NGA AURORA KOROMANI

TIRANE- Edhe pse dy vëllezërit, Arbjon dhe Alban Aliko, nuk kanë pranuar asnjë prej akuzave që iu është komunikuar, burime pranë grupit hetimor sqarojnë se për dy të rinjtë ka prova të forta që i lidhin me sulmin ndaj policisë dhe vrasjen e efektivit Ibrahim Basha. Të njëjtat burime sqarojnë për “Gazeta Shqiptare”, se për dy vëllezërit ka prova të siguruara në mënyrë operative, por edhe fakte shkencore, që vërtetojnë se ata jo vetëm që më 24 qershor kanë qenë në Lazarat, por edhe që kanë qëlluar në drejtim të forcave të RENEA-s.

PROVAT
Arbjon dhe Alban Aliko, gjatë seancës së marrjes në pyetje nga prokurorët e çështjes dhe oficerët e policisë gjyqësore, nuk kanë pranuar asnjë nga akuzat që rëndojnë mbi ta. Burime pranë ekspertëve të hetimit, sqarojnë se dy të rinjtë nga Lazarati kanë thënë se nuk kanë lidhje me sulmin ndaj policisë dhe se nuk kanë qëlluar ata ndaj efektivëve të forcave speciale. Të pyetur për arratisjen e tyre, dy djemtë kanë shtuar se janë arratisur për shkak të frikës që patën nga policia, në momentin që morën vesh se u kishin shpallur emrin në kërkim për sulmin ndaj uniformave blu.

Por, përballë dëshmisë së vëllezërve Aliko, grupi hetimor ka dëshmi të të arrestuarve të tjerë, të cilët janë “thyer” përballë hetuesve dhe kanë treguar se kanë qenë Arbjon dhe Alban Aliko organizatorët e sulmit mbi policinë. Veç këtyre dëshmive, grupi hetimor ka edhe prova të tjera që i lidhin dy të rinjtë me sulmin me armë ndaj policisë mëngjesin e 24 qershorit në Lazarat, ku humbi jetën një efektiv dhe u plagosën dy të tjerë. Një provë e pakundërshtueshme, mësohet se janë edhe përgjimet telefonike që ekspertët kanë mundur të marrin nga dy telefonat e vëllezërve Aliko.

Por, prova që i lidh dy të rinjtë drejtpërdrejt me sulmin ndaj policisë janë gjurmët e gishtërinjve që ekspertët kanë mundur të gjejnë pranë vendit të ngjarjes. Burime të sigurta pranë grupit hetimor tregojnë për “GSH”, se pas rindërtimit të skemës së vrasjes së efektivit në Lazarat, ekspertët kanë mundur të gjejnë disa gjurmë gishtërinjsh në sendet (siç janë shishet e ujit) që janë gjetur pranë vatrave të zjarrit, të cilat përkojnë me shenjat e gishtërinjve të dy vëllezërve Aliko.

Mësohet se përgjatë orëve të qëndrimit të tyre, Arbjon dhe Alban Alikos u janë marrë edhe kampionë nga rrobat, mbetje biologjike, kampionë gjaku për krahasim si dhe material për të provuar nëse në duart e tyre ka faktorë plotësues të qitjes me armë ose mbetje baruti. Veç kësaj, sqarohet se një ndihmë jo të vogël për përcaktimin e autorëve të sulmit mbi policinë, do ta japë edhe videoja që kanë sekuestruar ekspertët, në të cilën duken disa nga personat që kanë ngritur armët mbi policinë.

Dy vëllezërit janë akoma në ambientet e policisë së kryeqytetit, ndërsa pritet që ditën e sotme të dalin para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Ditën e djeshme, trupi gjykues ka lënë në burg tre të rinjtë e arrestuar ditë më parë në Lazarat, të dyshuar se kanë lidhje me grupin e zjarrit. Konkretisht, në masën e sigurisë “arrest me burg” do të hetohen Klodian Selimi, Dervish Gaba dhe Elvis Boci. Ndërkohë, bëhet me dije se janë të paktën edhe 3 persona, të cilët janë akoma në kërkim si të dyshuar për lidhje me grupin e zjarrit.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb