Hezbollahu ka thënë se ka sulmuar të martën zonat Haifa dhe Krayot në Izraelin verior, duke shtuar se ka lëshuar “një sasi të madhe raketash”.
Ushtria izraelite ka thënë gjithashtu se zbuloi se ishin lëshuar raketa nga Libani pak pas mesditës me orën lokale, dhe shumica e tyre u kapën, por disa ishin përplasur në zonë, raporton BBC.
20 predha të tjera u identifikuan duke kaluar nga Libani në territorin izraelit, shtuan Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) pak më vonë.
Shërbimi i ambulancës Magen David Adom i Izraelit thotë se një grua 70-vjeçare ishte plagosur nga copëzat, teksa shpërndau video që shfaqte një ndërtesë që ishte goditur. Mediat izraelite raportuan gjithashtu se një ndërtesë në Kiryat Yam në Haifa ishte dëmtuar.
Haifa, qyteti i tretë më i madh i vendit, ka një popullsi prej rreth një çerek milioni. Ai u godit dje për herë të parë në gati 20 vjet.