Hezbollahu hodhi një tjetër breshëri raketash drejt Izraelit të martën dhe udhëheqësi në detyrë i grupit militant u zotua të vazhdojë trysninë ndaj dhjetëra mijëra trupave izraelite të dislokuara pranë kufirit libanez. Ushtria izraelite tha se dërgoi më shumë trupa tokësore në Libanin jugor dhe se një komandant i lartë i Hezbollahut u vra në një sulm ajror.

Dhjetëra raketa të lëshuara nga Hezbollahu kishin në shënjestër zona të shumta në Izrael, përfshirë qytetin jugor Haifa dhe qeveria izraelite paralajmëroi banorët në veri të qytetit bregdetar që të kufizojnë lëvizjet, duke shkaktuar mbylljen e më shumë shkollave. Ushtria izraelite tha se Hezbollahu lëshoi rreth 180 raketa drejt Izraelit.

Sheikh Naim Kassem, udhëheqësi në detyrë i Hezbollahut, tha se aftësitë ushtarake të grupit militant mbeten të paprekura nga sulmet e rënda ajore të Izraelit. Ushtria izraelite ka sulmuar shumë rajone të Libanit, duke vrarë komandantët e tij kryesorë brenda disa ditësh. Udhëheqësi i Hezbollahut tha se forcat izraelite nuk kanë qenë në gjendje të përparojnë që nga fillimi i një inkursioni tokësor në Liban javën e kaluar.

Gjatë një vidoe konference nga një vend i panjohur, Sheikh Naim Kassemi tha se Hezbollahu do të emërojë një udhëheqës të ri për të zëvendësuar Hassan Nasrallahun, “por rrethanat janë të vështira për shkak të luftës”.

Në një deklaratë drejtuar popullit të Libanit, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Hezbollahu është në gjendjen “më të dobët në shumë vite”. Ai theksoi se “ne eliminuam mijëra terroristë, duke përfshirë vetë Nasrallahun dhe shumë zëvendësues të tij”, por pa i përmendur ata me emër.

Hassan Nasrallahu u vra në një sulm ajror izraelit në Bejrut muajin e kaluar. Hashem Safieddine, një kushëri i Nasrallahut që mbikëqyr çështjet politike të grupit, konsiderohej si trashëgimtari i tij. Por asnjë njoftim nuk është bërë për zëvendësimin e udhëheqësit të vrarë të Hezbollahut dhe Hashem Safieddine nuk është shfaqur në publik dhe nuk ka bërë ndonjë deklaratë publike që nga vdekja e Nasrallahut.

Admirali Daniel Hagari, një zëdhënës i ushtrisë izraelite, tha të martën mbrëma se Izraeli po vazhdon përpjekjet për të sqaruar statusin e Hashem Safieddinit dhe akuzoi Hezbollahun se po përpiqej të fshihte detajet e një sulmi të fundit në Bejrut, në një zonë ku besohej se ishte vendnodhja e tij.

Ushtria izraelite tha se ka shkatërruar infrastrukturën e grupit militant përgjatë kufirit Izrael-Liban dhe ka vrarë qindra luftëtarë të Hezbollahut.

Nuk është e mundur të konfirmohen pretendimet e palëve në fushën e betejës.
Ushtria izraelite tha se dislokoi një divizion të katërt në Libanin jugor dhe se operacionet janë zgjeruar në perëndim, por se ajo vazhdon të jetë e përqëndruar në një rrip të ngushtë përgjatë kufirit.

Një ditë pasi shënuan përvjetorin e fillimit të luftës në Gazë, forcat izraelite zhvilluan beteja të forta të martën me militantët palestinezë në veri të Rripit të Gazës, ku banorët janë urdhëruar të evakuohen./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: