Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, shprehet se ka çështje për të cilat Shtetet e Bashkuara dhe Serbia nuk pajtohen, por është i bindur se mund të punojnë së bashku pavarësisht se kanë mendime të ndryshme për disa çështje të rëndësishme, si për Kosovën.
Hill, në një intervistë për TV K1, duke iu përgjigjur pyetjes se cili është argumenti për faktin se Amerika së bashku me Turqinë dhe Britaninë e Madhe investon më së shumti në shndërrimin e KBS-së në ushtri, edhe pse sipas Rezolutës 1244, KFOR-i është e vetmja forcë e armatosur në Kosovë, tha se SHBA-të e njohën Kosovën.
“Shtetet e Bashkuara kanë marrë një vendim dhe ja ku jemi. Pra pyetja është nëse ne mund të punojmë së bashku, pavarësisht se kemi mendime të ndryshme për disa çështje të rëndësishme, çështje që janë të rëndësishme për ju dhe të rëndësishme për ne. Mendimi im është se ne mund të vazhdojmë të punojmë për çështje, edhe pse kemi mosmarrëveshje, unë nuk jam këtu për t’ju thënë se mund të biem dakord për gjithçka, por unë jam këtu për t’ju thënë se do të mundohemi të kuptojmë situatën, të lëvizim përpara”, tha Hill.
Deklaratës se askush nuk i tha Serbisë se rezoluta 1244 nuk është në fuqi, por se ajo nuk respektohet dhe se Amerika, e cila qëndron për shtetin e së drejtës, po bën diçka përtej asaj rezolute, Hill iu përgjigj se nuk mund të diskutojë për të kaluarën përsëri, por ajo që ai mund të bëjë është të shikojë se ku jemi sot dhe të shohë nëse ka vend për të punuar më shumë së bashku.
“Dhe mendoj se ka, megjithëse kemi disa mosmarrëveshje”, tha ambasadori amerikan.
Sipas tij, askush nuk është i kënaqur me zhvillimin e ngjarjeve në vitin 1999, por ato ndodhën dhe më pas arritëm në një situatë 10 vite më vonë, ku kur shikon se cilat ishin zgjedhjet, asnjë nga zgjedhjet nuk ishte e mrekullueshme dhe SHBA-të bënë zgjedhjen për të njohur Kosovën.
Hill shtoi se Serbia bëri një zgjedhje tjetër, por kjo nuk do të thotë se SHBA dhe Serbia nuk mund të diskutojnë një milion çështje të tjera.
I pyetur nëse mendon se Kosova kërcënohet në aspektin e sigurisë nga Serbia, siç pretendon shpesh kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Hill tha se nuk dëshiron të flasë për atë që mendon Kurti, por theksoi se SHBA-të duan të jenë të sigurta se kanë një mirëkuptim të qartë me Serbinë për atë që po tentohet të arrihet përmes bisedimeve.
“Qëndrimi ynë është se Serbia i mori seriozisht këto bisedime. Ky është një proces diplomatik. Diplomacia nënkupton një bisedë. Biseda zgjat shumë. Unë e kuptoj zhgënjimin e njerëzve për këtë çështje, por ne jemi të përkushtuar”, tha Hill.
Ai theksoi se SHBA-të po përpiqen të ndihmojnë në këtë situatë, për ta bërë rajonin më të mirë dhe më të sigurt dhe për ta bërë situatën në Ballkan shumë më të mirë se sa ishte në të kaluarën.