Kur në SHBA mbahej debati i parë mes kandidatëve republikanë, Hillary Clinton, udhëheqësja në kampin demokrat, ndodhej për një takim në California me figura te spektaklit amerikan si Kannye West dhe Kim Kardashian.

Mbrëmjen e të mërkurës së kaluar, ndërsa Republikanët mblidheshin për debatin e tyre të dytë, ajo ishte mes shqiptaro­amerikanëve në Staten Island, New York, ku kujtoi bashkëpunimin e hershëm me komunitetin dhe i ftoi ta mbështesnin në garën për presidente.

Gjithçka u organizua në shtëpinë e Sal Rusit (Staten Island, New York), biznesmenit, filantropistit dhe aktivistit të njohur shqiptaroamerikan, figura e njohur e një familjeje me kontribut të madh në New York dhe në Dibër. Ndonëse takime të tilla fondmbledhëse lënë jashtë median, “Illyria” ishte e pranishme si gazetë e komunitetit dhe ju sjell disa detaje nga mbrëmja interesante. Ndonëse kjo është një periudhë e rëndësishme për mbledhjen e fondeve nga kandidatët për presidentë, është e vështirë të kesh personalisht Hillary Clinton në takimin fondmbledhës.

Me një agjendë të ngjeshur që e detyron të fluturojë nga një anë e vendit në tjetrin, ndërkohë që duhet të shpenzojë shumicën e kohës në Iowa dhe New Hampshire, mund të thuhet se ishte një sukses për komunitetin shqiptaro­amerikan dhe familjen Rusi që siguroi praninë e saj në një nga momentet më të nxehta të parafushatës.

Ndonëse si organizatorët ashtu edhe fushata Clinton u përpoqën të mos tërhiqnin vëmendjen e medias, një numër artikujsh dolën në shtypin lokal. Shqiptaro­amerikanët në New York, kanë një bashkëpunim të vjetër me zonjën Clinton, në kohën kur ajo ishte për tetë vjet senatore e Shteteve të Bashkuara. Si Sekretare e Shtetit ajo ruajti vëmendjen ndaj Ballkanit dhe punoi për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës si dhe vizitoi Shqipërinë me rastin e 100­vjetorit.

Në kohën kur ishte Zonja e Parë e Amerikës, ajo vizitoi kampet e refugjatëve nga Kosova në Maqedoni dhe argumentoi publikisht në mbështetje të ndërhyrjes së NATO­s për çlirimin e Kosovës. Në fjalën e saj përpara shqiptaro­amerikanëve të mbledhur, ajo solli kujtime nga vizita e saj në rajon, ndërkohë që përmendi krizën që po ndodh sot me refugjatët në Europë. “Nuk arrija ta besoja në atë kohë që në Europën e viteve 1990, njerëzit plaseshin nëpr vagona treni e dëboheshin nga shtëpitë e tyre”, tha ajo, duke treguar pastaj sesi kishte shkuar në Maqedoni çadër më çadër për të biseduar me burra e gra nga Kosova.

Ajo e paraqiti suksesin e SHBA­së në atë kohë në bashkëpunim me aleatët për të sjellë paqen dhe qendrueshmërinë në Ballkan si një shembull për të zgjidhur edhe problemet e sotme në Europë. Kujtimet e asaj kohe ishin në kontrast me vizitën e saj të mëvonshme në Ballkan. Ajo foli për momentin kur pa statujën e Presidentit Bill Clinton në Kosovë dhe tregoi me humor për episodin kur u fut në shitoren që ka emrin e saj aty afër. “Ia vura emrin se nuk doja që presidenti të ndihej vetëm”, i kishte thënë pronarja e dyqanit. Hillary Clinton tha nga ana tjetër se megjithë ndryshimet e mëdha në Ballkan ku jeta është më e mirë, puna ende nuk ka mbaruar.

Por ajo nënvizoi se ndërhyrja e NATO-­s në Kosovë mbetej një nga momentet më krenare të presidencës së bashkëshortit të saj. Hillary Clinton u tha shqiptarëve të Amerikës se ndryshimet e mëdha të arritura në Ballkan, vendosja e paqes dhe e qendrueshmërisë, pavarësia e Kosovës, integrimi etj., janë fryte edhe të punës së madhe që kanë kryer ata si shqiptaro­amerikanë. “Ju erdhët këtu, realizuat ëndrrën amerikane dhe tani po e bëni këtë ëndërr edhe më të bukur”, tha ajo. “Vendosmëria juaj, mbështetja juaj për këtë vend dhe për atdheun nga erdhët është ajo çfarë kanë bërë emigrantët në këtë vend për breza të tërë. Është një histori e mrekullueshme dhe unë po kandidoj si president që të bëj të sigurt, që kjo histori të vazhdojë”.

Ajo pastaj krahasoi qëndrimin e saj me atë të kandidatëve republikanë, sidomos të udhëheqësit prej tyre, në anketime, Donald Trump (pa ia përmendur emrin) që janë kaq negativë ndaj emigrantëve. “E kam të vështirë që ta kuptoj”, tha ajo. “Ky vend dhe ky qytet u ndërtuan nga emigrantët”. “Gjyshi im, ishte ende një djalë i vogël kur emigroi nga Anglia. Ai gjeti një punë në fabrikë ku punoi gjithë jetën”, tregoi zonja Clinton. “Ajo që donte ai, ishte një jetë më e mirë për fëmijët e tij. Dhe ata patën një jetë më të mirë. Shkuan të gjithë në shkollë. Babai hapi një biznes”. “Jo kaq të madh sa biznesi i Sal Rusit”, shtoi ajo duke shkaktuar të qeshura. “Po mjaftoi që të na siguronte të gjithëve një jetë të shtresës së mesme. Dhe ja tani, unë, vetëm brezi i tretë emigrantësh, po kandidoj për presidente”. “Kjo është çfarë ka premtuar gjithmonë ky vend”, tha Hillary Clinton.

“Kjo është çfarë simbolizon, Zonja Liri aty në limanin afër nesh (duke folur për Statujën e Lirisë që ndodhet mes dy ishujve Staten Island dhe Manhattan, fare afër vendit të takimit)”. “Ne nuk duhet t’i kthejmë kurrë kurrizin kësaj ëndrre. Unë po kandidoj që fëmijët tanë të kenë po ato mundësi. Që emigrantët e rinj që duan të punojnë shumë të kenë për fëmijët e tyre të njëjtat mundësi”, tha ajo. Ajo ftoi shqiptaro­amerikanët ta nidhmojnë në këtë mision. “Dua të jem partnerja juaj që ta ndihmojmë këtë vend të forcohet, të rritet begatia e të shtohen mundësitë. Dua që të jem partnerja juaj në punën për ta forcuar edhe atdheun e rajonin nga keni ardhur, që të ketë edhe aty më shumë begati e mundësi në vend të luftës dhe vuajtjeve”.

Këto zgjedhje, tha ajo, janë për të ardhmen e Shteteve të Bashkuara por edhe për të ardhmen e udhëheqjes amerikane në botë. “Afroni sa më shumë njerëz në këtë nismë, se dua të jeni në skuadrën time”, tha ajo. “Një skuadër që mbledh bashkë njerëzit me mentalitetin e duhur, në mbarë vendin tonë, njerëz që jo vetëm do të më ndihmojnë të zgjidhem, por edhe që do të bëjnë të sigurt që premtimet që po jap do të mbahen të gjitha”.

Ajo përmendi mbesën e saj tashmë njëvjeçare dhe tha se do të kishte dashur të kishte shumë nipër e mbesa si Sal dhe Vivian Rusi, por tha se të gjithë ishin një bekim e një dhuratë në jetën e familjeve të tyre se të gjithë meritonin të jetonin në një vend më të mirë. “Sigurisht që do të bëjmë çmos që fëmijët e fëmijëve tanë të kenë jetë më të mirë. Po kjo nuk mjafton, duhet edhe që të jetojnë në një vend më të mirë”. “Unë do të luftoj që ky vend të mbetet më i miri në botë. Ky është një premtim, ndaj më ndihmoni që t’i fitoj këto zgjedhje”, tha ajo, ndërsa shqiptarët e mbledhur e shoqëruan me duartrokitje. Në sallë ishin edhe një numër aktivistësh të njohur demokratë të qytetit dhe shtetit të New York­ut. Hillary bëri çmos që të takohej me sa më shumë pjesëmarrës që të ishte e mundur.

Ajo falënderoi në veçanti të zotët e shtëpisë, Sal dhe Viviane Rusi si dhe Familjen Rusi në përgjithësi për takimin e organizuar. Vetë zoti Rusi nuk mbajti fjalim, por Ian R. Siegel, një nga drejtuesit e Salmar Properties, prezantoi kandidaten demokrate dhe shpjegoi se me Sal Rusin i bashkon vizioni se sekreti për forcimin e Amerikës është fuqizimi i shtresës së mesme. Siegel tha se asgjë nuk e simbolizon më mirë këtë pikëpamje sesa nisma e re e biznesit e kompanisë së Sal Rusit në Brooklyn, që do të hapë 13,000 vende të reja pune duke kthyer manifakturën në New York.

Kjo rezonon pikërisht me premtimet e fushatës së Hillary Clinton, të cilat kandidatja i përmendi edhe në mbrëmjen e të mërkurës. Ajo kujtoi sesi në kohën kur ishte President Bill Clinton, në SHBA u hapën 23 milionë vende pune. Ajo dëshiron të bëjë të njëjtën gjë, madje edhe ta kalojë këtë numër. Ajo tha se çdo njeri që dëshiron të punojë duhet ta ketë një mundësi që të ndryshojë jetën e tij dhe të familjes së tij. Mbrëmja ishte e bukur dhe për shumë nga shqiptarët e mbledhur ky nuk ishte takimi i parë me Hillary Clinton.

Midis figurave të shquara merrnin pjesë, biznesmeni dhe filantropisti Lazim Destani, aktivistët Harry Bajraktari, Martin Shkreli, vëllezërit Ilirjan dhe Benjamin Rusi, botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, asambleisti i New York­ut, Mark Gjonaj, senatorët e shtetit të New York­ut, Jeffrey Klein dhe Diane J. Savino, asambleisti i Staten Island, Mike Cusick etj. “Kjo ishjte një mbrëmje e mrekullueshme për të mbështetur kandidaten demokrate për presidente të Amerikës, Hillary Clinton.

Komuniteti shqiptar në Amerikë ka dhënë dhe po jep një kontribut të pazëvendësueshëm për atdheun duke qenë urëlidhja më e mirë ndërmjet adminsitratës amerikane dhe Shqipërisë, Kosovës e trojeve të tjera ku jetojnë shqiptarët në Ballkan”, tha z. Destani. “Ishte një nder jo vetëm për familjen Rusi por për gjithë shqiptarët organizimi i kësaj mbrëmje të mrekullueshme në mbështetje të zonjës Clinton. Shqiptarët i janë shumë mirënjohës asaj dhe bashkëshortit, presidentit Clinton për çlirimin e Kosovës. Kjo mbrëmje ishte një mirënjohje për familjen Clinton”, tha botuesi i gazetës “Illyria” Vehbi Bajrami, i cili ka pasur edhe takime të tjera me Bill dhe Hillary Clinton. Në mënyrë të veçantë zonja Clinton mbeti plot mbresa nga shtëpia e bukur dhe madhështore e Sal Rusit, që në qytet njihet si “Shtëpia e Bardhë” e Staten Island.

Me buzën në gaz, ajo tha: “Kam jetuar në Shtëpinë e Bardhë për 8 vjet dhe po kandidoj që të kthehem aty, mirëpo besoje kur të them Sal, Shtëpia e Bardhë as që i afrohet kësaj tëndes”. Shpërthyen të qeshurat dhe duartrokitjet dhe batutat për ta sjellë në Staten Island qeverinë amerikane. /Illyria/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb