TIRANË

Vrasja e një 14-vjeçari në dyert e shkollës ku mësonte është bërë temë debati në seancën e sotme plenare. Opozitë-maxhorancë kanë shkëmbyer akuza për situatën e rendit dhe sigurisë në vend.

Deputetja Ina Zhupa kërkoi nga deputetët një minutë heshtje dhe t’i mbanin kokat ulur, teksa fajësoi qeverinë.

“Doja ti kërkoja këtij Kuvendi një minutë heshtje, por do desha të caktonim një orar që të ishim të gjithë dhe të ulnim kokën të gjithë sepse fajin e ka kjo qeveri”, tha Zhupa.

Ajo e cilësoi këtë një ngjarje të paralajmëruar. “Ishte një ngjarje më e rëndë se sa e kishim imagjinuar dje, sepse ishte e paralajmëruar. Ishte një ngjarje në oborrin e shkollës, ku ishin njoftuar mësues, drejtor, oficerë sigurie. Kishte që të premten që ndodhte dhe nuk reagonte e nuk bënte gjë askush”, tha Zhupa.

Ajo u shpreh se për sigurinë në shkolla nuk mund të reagohet vetëm kur ndodhin ngjarje të tilla.
“Uroj që ministrja Manastirliu, e cila nuk ndodhet këtu, të jetë duke shkruar dorëheqjen. Më vjen shumë keq që ne duhet të kthejmë kokën nga arsimi vetëm kur ndodh një rast i tillë. Ju flisnit këtu për paketën e sigurisë në shkolla, ku e çuat? Te thikat që hyjnë në shkolla, te hashashi dhe droga që hyjnë në shkolla? Kjo është paketa që marrin brenda çantës fëmijët tanë në shkolla”, tha Zhupa.

Zhupa u shpreh se një ngjarje e tillë nuk mund të kalohet sikur nuk ka ndodhur asnjë gjë.

“Si mund ta kalojmë këtë me normalitet dhe nuk duhet të kërkojmë përgjegjës. Duhet të flasim ne, të jemi të parët që ngremë zërin. Doni ta amnistoni ministren Manastirliu dhe ministrin Hoxha? Ne flasim për një skandal vetëm kur ka një vdekje. Ne jemi vrarë si shoqëri, nuk jemi më shoqëri nëse presim një vdekje që të flasim për çështjet. Jemi thjesht një grumbull njerëzish që jetojmë me njëri-tjetrin. Nëse nuk kemi sensibilitet edhe për këtë vrasje. ‘Fan Noli’ ishte shkolla e parë e rankuar për rezultate më të mira në mësime, imagjinoni çfarë ngjarje tragjike kemi në shkollat e tjera të vendit”, tha Zhupa.

Nga ana tjetër Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Taulant Balla tha se po përdoren për politikë dhimbja dhe vdekja. Ai foli për një qasje tjetër në perimetrin e sigurisë.

“Vaji, dhimbja, vdekja përdoren për politikë. Kërkuat përgjegjësi për zbatimin e paketës së sigurisë në shkolla. Na duhet një qasje tjetër në perimetrin e sigurisë në shkolla dhe luftës kundër keqpërdorimeve të rrjeteve sociale. Sot kemi nevojë të bashkohemi për të kaluar propozimet e prezantuara prej kohësh. Duhen ndëshkuar maksimalisht ata që shkelin perimetrin e sigurisë, atyre që shpërndajnë lëndë narkotike pranë shkollave dhe ju keni qenë këtu kur detyrë të raportoja pranë jush numrin e lartë të personave të arrestuar se shisnin drogë pranë shkollave”, u shpreh Balla.

Deputeti i PS, Etjen Xhafaj iu kthye deputetes Zhupa duke i thënë se po e përdorin vrasjen për politikë.

“Nuk jam ndjerë kurrë i turpëruar që jam në këtë sallë për mënyrën se si u soll dje kjo çështje. Si çdo prind që e mori vesh atë lajm në sallë ndërsa flisje pa pikë ndjesie. Si çdo prind që ka një djalë 14 vjeçar në shkollë kam mbajtur frymën, dhe unë e kam një të tillë 14-vjeç në shkollë. Nuk mund të marrësh përsipër të falësh ca gjëra dhe ta kthesh më patetizëm politik dhimbjen e kësaj familje. Në vend se të rrimë e të flasim si ti zgjidhim më mirë, të mendojmë çfarë të bëjmë për të zgjidhur jo të dalim aty të bëjmë patetiken nga mëngjesi në darkë. Kur nga mëngjesi në darkë promovoni dhunën, nuk mund të rrish të tregosh të tjerët me gisht”, tha Xhafaj.

Deputeti i PD-së Dashnor Sula e cilësoi hipokrizi sjelljen e maxhorancës.

“Hipokrizia juaj nuk ka fund. Para disa javësh a u vranë 4 qytetarë në Shkodër nga bandat. Ishin dy prindër që la fëmijët pas. U kujtua ndonjë nga ju të bëjë një mesazh ngushëllimi? Dilni sot me lot krokodili”, tha Sula.

Deputetja e PD-së Zheni Gjergji bëri apel për reagim. “I bëj thirrje shoqërisë shqiptare të reagojë pasi ngjarje si kjo nuk duhet të ndodhin më”, tha Gjergji.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb