Shkulet memoriali i 4 policëve të vrarë nga Dritan Dajti në qytetin e Durrësit, 1 muaj pasi u vendos. 4 javë më parë u inaugurua pllakata për 4 efektivët e rënë krye të detyrës më 7 gusht të vitit 2009. Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feska dhe Saimir Duçkollari u përjetësuan në një nga rrugët kryesore të qytetit e cila u riemërua si rruga “Dëshmorët e Kombit”.

Sot, 4 shtator 2024, memoriali në nder të 4 policëve të operacionales është hequr. Vepra e skulptorit Ardian Pepa e realizuar nën kujdesin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nuk është më. Aty kanë ngelur vetëm vidat, siç duket edhe në pamjet që sjell BalkanWeb.

Memoriali I Hequr
Memoriali I Hequr
Pllakata Per 4 Policet Ne Durres
Pllakata Per 4 Policet Ne Durres

Megjithatë, burime të Policisë së Durrësit thonë për gazetaren e News24, Klodjana Haxhiaj se memoriali është larguar sepse i ishin liruar vidat. Por, pllakata përkujtimore e 4 policëve, pritet të rivendoset në rrugën “Dëshmorët e Kombit” të qytetit bregdetar.

Efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit, mbetën të vrarë në operacionin e 7 gushtit të vitit 2009, kur ndërhynë në zonën e plazhit për të arrestuar Dritan Dajtin, i cili ishte në kërkim për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo.

Në korrik të vitit 2014, Dritan Dajti u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësve të policisë Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj gjatë një operacioni për arrestimin e tij më 7 gusht të vitit 2009 në plazhin e Durrësit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb