Ndërsa reja toksike e rrenave elektorale po mbulon Kosovën, si ministër i jashtëm jam i detyruar të flas të vërtetën. Ajo është e njëjta, jo ndryshe për qytetarët dhe bashkëvendasit, dhe ndryshe për miqtë e mi. Kjo vlen për shumë prej pyetjeve që më bëhen prej tyre dhe që janë themelore për këtë fushatë : a do hiqet taksa ? a do liberalizohen vizat ? Nuk ka disa përgjigje për to.

Ka vetëm një ! Unë jam i bindur dhe dua t’i them lirisht përgjigjet për këto dy pyetje. Këto përgjigje kanë më së shumti një pjesë të përbashkët : ato lidhen me raportin tonë me Perëndimin që në këto momente është përkeqësuar.

Që ta forcojmë këtë raport si më parë, apo më shumë se më parë, ne duhet t’i dëgjojmë këshillat e miqve tanë perëndimorë. Me miqtë ndajmë, madje plot dëshirë një pjesë të sovranitetit tonë që nuk e kemi 100%, ndajmë ruajtjen e territorit ; ndajmë vlera të përbashkëta ; janë ata që na kanë ndihmuar dhe ndihmojnë fuqishëm ekonomikisht. Ne nuk guxojmë të bëjmë aventura për këtë marrëdhënie. Ne nuk mund t’i gënjejmë dy herë apo disa herë miqtë tanë, sepse kostoja e një marrëdhënieje të pasinqertë nuk bie vetëm mbi ne politikanët individualisht, por mbi qytetarët.

A nuk i tha Presidenti Makron drejtuesve tanë shtetërorë në takimin e Berlinit : hiqeni taksën dhe unë zotohem se do të mbroj heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës ?

Pse sot nuk kemi liberalizimin e vizave ? Me heqjen e taksës lidhet dhe rënia e mbështetjes ndërkombëtare, posaçërisht asaj amerikane në shumë organizata ku ne duam të aderojmë. Kjo që po them është nga eksperienca e përditshme e

gjithë muajve të fundit, ndërsa po luftojmë në mënyrë të pabarabartë inkursionin e Serbisë për të tërhequr simbolikisht njohjet. Dikush thotë : jo, s’ është e vërtetë ! Gënjejnë ata që s’ e pranojnë rënien e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën, ndërsa Serbia po e fuqizon mbështetjen e fuqive të mëdha për veten !

A po i sheh kush këto ndryshime ?

Si po reagojmë ?

Me përralla elektorale që do harrohen që ditën e parë pas zgjedhjeve ? Ajo që dhemb më shumë është reduktimi i mbështetjes amerikane. Dhe ja prova më e qartë e paralajmërimit publik prej miku se ky reduktim do vinte : është një letër që përfaqësuesit e 3 institucioneve më të rëndësishme amerikane-Këshilli i Sigurisë Kombëtare, gjegjësisht Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit dhe ai i Mbrojtjes u kanë dërguar kryetarëve të institucioneve tona në shkurt 2019. Në këtë letër kërkohet pezullimi i taksës. Letra është e pazakontë në shkallëzimin e presionit të mikut tonë : është letër publike dhe e kanë nënshkruar tre institucione. Si për të na thënë : mos luani me ne, sikur SHBA-të kanë dy a tre politika ndaj Kosovës !!!

“….Duke pasur parasysh veprimet e padobishme të qeverisë tuaj, ….Do të shikojmë me kujdes aspektet e tjera të bashkëpunimit tonë dhe do të shqyrtojmë nëse edhe ato do të pakësohen/shkurtohen/cungohen.….Kosova nuk ka mik më të mirë sesa Shtetet e Bashkuara. Ne kemi punuar për kaq shumë vite për të realizuar një të ardhme për popullin e Kosovës, në mënyrë që ai të jetojë ashtu siç ka zgjedhur, në paqe. Lufta e Kosovës për liri ka mbetur në mendjen e amerikanëve. Mijëra diplomatë amerikanë dhe ushtarë janë përfshirë personalisht në përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme për Kosovën. Është e pabesueshme që pas gjithë çfarë kemi bërë bashkë, Kosova e vlerëson miqësinë tonë aq ulët sa të injorojë këshillat tona…. »

A nuk është e qartë këshilla dhe paralajmërimi amerikan për gjithë atë që na ka ndodhur prej shkurtit e këtej ? Dikush prej klasës sonë politike thotë se ne nuk e heqim taksën pa garanci se në bisedime do të ketë njohje të Kosovës. Nga kush i don garancitë ? A nuk ishte Presidenti amerikan Trump që i ka dhënë këto garanci në letrën e tij drejtuar Presidentit Thaçi me urimin për 11 vjetorin e pavarësisë, po në shkurt 2019 ? Ja ku është garancia nga kryetari i shtetit që është miku ynë më i madh : « …Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse..”.

Si ministër i jashtëm, dhe si kryetar i një partie pjesë e qeverisjes, ju ftoj që të heqim dorë nga propaganda me taksën. Kush ka guxim të kundërshtojë SHBA-të edhe pas 6 tetorit, le të dalë publikisht, por unë nuk besoj se dikush është aq i marrë sa ta bëjë këtë. Ndaj i ftoj gjithë kolegët: të fokusohemi tek oferta reale për qytetarët. Të mos e drejtojmë anijen tonë të vogël, Kosovën kah përplasja me miqtë, se kështu jemi edhe më të dobët përballë armiqve tanë historikë!!! Mos luani me miqtë dhe as me qytetarët!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: