Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se një procedurë e re moderne për problemet kardiovaskulare është përdorur për herë të parë në spitalin e Shkodrës, duke shënjuar një histori suksesi. Mjeku kardiolog me përvojë ndërkombëtare, Aurel Toma, ka realizuar me sukses teknikën që shmang bypass-in e zemrës, duke ofruar zgjidhje efikase dhe më pak invazive për pacientët.

“Për herë të parë në Shqipëri, kryhet në Spitalin e Shkodrës teknika që shmang bypass-in e zemrës. Kjo procedurë moderne dhe mini-invazive u udhëhoq nga asist. prof. Aurel Toma kardiolog me përvojë ndërkombëtare, i cili është gjithashtu drejtues i Repartit të Hemodinamikës në Donau Spital të Vjenës dhe pedagog në Universitetin e Vjenës. Falë përkushtimit dhe ekspertizës së tij, si dhe bashkëpunimit me ekipin e Shërbimit të Hemodinamikës në Shkodër, u realizua me sukses trajtimi i një okluzioni kronik të arteries koronare përmes “përqasjes retrograde””, tha ministrja në një postim në Facebook.

Sipas Koçiut, “kjo teknikë e avancuar eliminon nevojën për bypass-in aorto-koronar, duke ofruar një zgjidhje efikase dhe më pak invazive për pacientët. Një hap i rëndësishëm për mjekësinë shqiptare, që sjell standarde dhe praktika ndërkombëtare për të përmirësuar kujdesin shëndetësor në vend”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb