Në emisionin Autokton të autores Anila Ahmataj u trajtua historia dhe veprimtaria patriotike e Kapo Lamçe Dautaj dhe Veledin Dautaj.
Pamja përrallore e këtij territori e bëri edhe më të bukur këtë udhëtim sa të vështirë aq edhe të gjatë për shkak të infrastrukturës. Vetëm 30 kilometra dhe duhen më shumë se 2 orë të mbrrish në këtë territor. Këtë herë do të shkojmë në shtëpinë e dëshmorit të Atdheut Kapo Lamçe. Pasardhësit e tij na shoqëruan me shumë emocion dhe nostalgji për vëndin, për trojet pothuajse të rrënuara, për kujtimet, për fëmijërinë e kaluar aty. Ato gurë e ato pemë i kalonin kufijtë e një parajse magjike.Mes asaj rruge që gjarpëron, midis kodrave të thyera, të këtij terreni ngrihet Maja e Qytetit, dhe kalaja antike amantine, të cilat dëshmojnë jetën e banorëve në shek. III p. Krishtit. Gorishti është një fshat i madh që përbëhet nga shumë lagje, të cilat në gjysmën e dytë të shek. XX, u bënë qendra administrative më vete.
Vet Gorishti ka një sipërfaqe rreth 26 km² dhe kufizohet: në verilindje me lumin Vjosa, në juglindje me Sevasterin, në jug me Lezhanin, në jugperëndim me Koculin dhe Karbunarin. Në këtë territor janë zhvilluar kuvende zakonore e mbledhje burrash të mëdha. Ja një detaj interesant në atë krahinë:Në regjistrin turk të Halil Inalçikut,të vitit 1431-1432, në këtë trevë shënohen dy vendbanime: Belush (Blush) që kishte 9 shtëpi dhe 508 akçe, si dhe Vervenik, (Rexhepaj)që kishte 11 shtëpi dhe 614 akçe. Banorët e Gorishtit përgjatë shek. XIX-XX kanë marrë pjesë në kryengritjet antiturke të fshatarsisë së Jugut kundër pushtuesve otomanë, sidomos në vitin 1834. 1847, në Mallakastër, Mesaplik dhe Delvinë. Në korrik 1911, te “Rrapi i Kushte” u organizua takim i madh në mbështetje të Memorandumit të Gërçes për të drejtat e shqiptarëve dhe autonominë e Shqipërisë. Disa herë banorët e Gorishtit u përleshën me xhelepçinjtë dhe xhandarët turq për mospagimin e taksave dhe shkuarjen nizam në viset e largëta të perandorisë. Në fillim të shek.XX banorët e këtij fshati organizuan qendresën e tyre edhe ndaj bejlerëve të Risilisë, të cilët zaptuan kullotat në Majën e Madhe, Majën e Qytetit dhe në Kamenicë. Me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare 1912-1914, banorët e Gorishtit mbështetën qeverinë e Vlorës dhe luftuan në Janinë e Labovën e Madhe për mbrojtjen e viseve jugore të vendit, si dhe kundër rebelëve esadistë në Lushnjë e Durrës. Me pushtimin italian të Vlorës dhe interlandit të saj, banorët e këtij fshati organizuan qendresën e tyre kundër pushtuesit.
Në Kuvendin e Barçallasë, 29 maj 1920, përfaqësues ishin edhe të Gorishtit si Halim Rakipi, Hodo Jaho Salo Islami, Kapo Lamçe e të tjerë. Halim Rakipi u zgjodh në Këshillin e Luftës, ndërsa komandant i çetës së luftëtarëve u caktuan Salo Islami dhe zëvendëskomandant Arif Banushi. Sipas vendimit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, çeta e Gorishtit, më 3 qershor 1920 çarmatosi dhe asgjësoi postkomandën e karabinierisë italiane në Rexhepaj. Çeta e Gorishtit mori pjesë në betejën e Kotës, 5 qershor 1920, ku u vra komandanti Salo Islami. Në luftimet e tjera kundër pushtuesve italianë në Vreshtat e Mëdha dhe Qafën e Koçiut, çetën e drejtoi Mulla Halimi, i cili u vra betejën në ullishtat e Vlorës, korrik 1920. Dëshmor ra edhe Kapo Lamçe i cili pas vrasjes së Mulla Halimit, i doli plumbit para pa ju dredhur qerpiku fare.
Në Gorisht, ndodhet një lagje e vogël me emrin “Nakaj” Në këtë lagje pozicionohet shtëpia dhe fisi Dautaj. Koha e vendosjes së kësaj familje në këtë lagje nuk dihet, por sipas gojëdhënës familjare, të parët e këtij fisi thuhej se në këtë lagje kanë ekzistuar fillimisht vetëm katër familje ku një ndër to është edhe fisi Dautaj. Lagjia Nakaj ndodhet përballë Kutës dhe Çorrushit të Mallakastrës dhe kufizohet në lindje me lumin Vjosa, në perëndim me fshatin Hadëraj, në veri me lagjen Begaj dhe në jug me fshatin Dushkarak të Sevasterit. Kapo Lamçe ishte i biri i Lamçe Selmanit, familje e madhe me baza patëriotike, ku në çdo kohë dhe çdo periudhë i janë gjendur atdheut të gatshëm, derisa ra dëshmor. Shtëpia në të cilën jetonin asaj kohe familja Dautaj ishte me dy Hoda të mëdha dhe me dy kate në formë “U-je” dhe të lidhura me një verandë, me një palë shkallë lidhëse dhe një portë hyrëse. Njëra nga Hodat, ajo më e bukura me tavan të punuar mjeshtërisht quhej “Hoda e Shemes” Kapo Lamçe dhe Sheme Lamçe ishin vëllezër.Kapo Lamçe u martua me Zybën dhe solli në jetë 6 femije nga dy martesa dhe kishte pesuar disfata te fëmijët, pasi njëri prej djemëve vdiq në moshën 20 vjeçare nga “gripi spanjoll” dhe djali tjetër u vra padashur nga dajua i tij. Kapo Lamçe ishte fshatar i një shtrese të mesme , i cili la një pasuri të pa luajtshme, një shtëpi dy katëshe që asaj kohe vështirë ta kishte njeri, e cila kishte gati 10 dhoma. Vet Kapua kishte emigruar për të qënë i mobilizuar për të luftuar dhe qëndroi në Izmir të Turqisë. Kapo Lamçe ishte aktivizuar edhe në luftën e parë botërore, në fund ai mbeti dëshmor i atdheut në luftën e Vlorës 1920. Pas vdekjes së Kapos, i biri Veledini mbeti jetim në një moshë fare të vogël, ai ishte vetëm 7 vjeç. Veledin Kapo Dautaj lindi në Gorisht në lagjen Nakaj në vitin 1913. Pas vdekjes së Kapos përgjegjësia për familjen i mbeti bashkëshortes Zybës, e cila ishte më shumë sesa një burr në punët që kryente. Zyba u detyrua që Veledinin ta martonte kur ai ishte vetëm 16 vjeç me Sadefe Qerim Xhelilaj nga fshati Rexhepaj i Gorishtit. Ata sollën në jetë 5 fëmijë një vajzë dhe katër djem. Çifti Veledin dhe Sadefe do të pësonin disfatën e parë duke humbur dy prej fëmijëve të tyre njërin prej djemëve vetëm 1 vjeç dhe vajzën 3 vjeçe.
Por fati nuk i buzqeshi përsëri, bashkëshortja e Veledinit ndërroi jetë në moshë fare të re kur ajo ishte vetëm 35 vjeçe duke lënë kështu 3 fëmijët e saj pa nënë. Pas shumë peripecish të kohës dhe gjëndjes në të cilën ndodhej Shqipëria, Veledini vendos të martohet sërish me Xhanen, një grua e cila vinte nga një martesë tjetër dhe kishte një vajzë. Veledini dhe Xhania sollën në jetë edhe 5 fëmijë, një vajzë dhe katër djem dhe kështu ata u bënë prindër të 9 fëmijëve nga dy martesat.Jeta në familjen e tyre u bë edhe më e vështirë, Veledini si gjithmonë do të angazhohej me çdo lëvizje apo mbështetje ndaj atdheut. Ai në korrik të 1944 u arrestua dhe u burgos në burgun e Vlorës, për shkak se mori pjesë në luftën nacional çlirimtare. Po atë ditë që Veledini u arrestua në shtëpinë e tij u morën të gjitha bagëtitë dhe u dogj edhe shtëpia me të gjitha çfarë kishte brenda. Familja e tij u strehua në ambientet e shkollës në fshatin Rexhepaj në Gorisht, ku brenda asaj shkolle ishin strehuar edhe familje të tjera që po atë ditë u ishte djegur banesa nga gjermanët. Asaj kohe familja rikthehet në shtëpinë e tyre ku tashmë kishin mbetur vetëm muret. Veledini qëndroi në burg deri në fillim tetori të atij viti dhe u arratis nga burgu me ndihmën e një gardiani me origjinë nga Puka. Por edhe pse Veledini u arratis nga burgu nuk ndali të bashkohej përsëri me forcat partizane duke vazhduar kështu deri në çlirimin e plotë të atdheut. Asaj kohe një ndihmë të madhe e dha edhe nëna e tij Zyba e cila, strehonte, ndihmonte dhe ushqente forcat partizane. Të dy nënë e bir u dekoruan asaj kohe nga kuvëndi popullor me dekoratat e Kujtimit, Trimërisë, Vjtërsisë dhe Çlirimit, Por më vonë Veledini u dekorua edhe me dekoratën e 10-vjetorit të ushtrisë dhe Dekoratën e punës. Pas çlirimit Veledini u angazhua me punë të pushtetit e partisë në fshat si sekretar organizativ i krahinës Gorisht- Treblovë dhe më vonë si kryetar lokaliteti në Gorisht me qëndër në Rexhepaj. Më vonë ai u caktua si agjent-grumbullimi për zonën Gorisht-Sevaster. Në vitin 1951 ai u caktua brigadier në fermën bujqësore Selenicë dhe më vonë magazinier në magazinën qëndrore të minierës së serës Selenicë. Por në vitin 1953 Veledini do të pushohej nga puna si shkak i qëllimit me armën e partizanëve në 12 dhjetorin e vitit 1943 në fshatin Shkozë të Sevasterit ndërmjet partizanëve dhe ballistëve. Veledini i rikthehet jetës në fshat pranë familjes. Fëmijët u rritën e u martuan, filluan të bëheshin edhe me fëmijë sa më shumë shtohej numri i pjestarëve të familjes aq më shumë vështirsoheshin kushtet ekonomike. Veledini nuk e përballonte dot këtë varfêri dhe qëndronte shpesh i mërzitur. Edhe pse fëmija i madh doli veç familjes dhe filloi të punonte përsëri nuk e përballonin dot. Pas zhvendosjes së fëmijës së parë në qytetin e Pukës. Më vonë të gjithë fëmijët ndihmuan njeri tjetrin dhe kështu nisi jeta e tyre familjare. Fati i keq këtë herë do ti trokiste drejtëpêrdrejt Veledinit, në gusht të vitit 1965 ai ndêrroi jetë shumë i ri papritur në moshën 52 vjecare. Tre muaj para se të vdiste ai i dërgoi djalit Tahirit një letër.