Shefki Çepi është një i moshuar nga fshati Xhyrë i Njësisë Administrative Hotolisht në Bashkinë e Librazhdit të cilit i është deformuar shtylla kurrizore që kur ishte i mitur. Shtylla kurrizore e tij është deformuar me shpejtësi në atë moshë  dhe aktualisht duket se ka marrë pamjen e gërmës L.

Sëmundja e panjohur ose fare pak e njohur në atë kohë e ktheu jetën e tij në torturë. Deformimi i shtyllës kurrizore i shkaktoi  atij dobësi, mpirje dhe dhimbje në pjesën e poshtme të ekstremiteteve por edhe probleme të frymëmarrjes, lodhje, madje edhe dobësi të zemrës. Këndi i lakimit të shtyllës kurrizore të 67-vjeçarit për shkak të sëmundjes tani është mëse 60-70 gradë dhe hera-herës kur ai është në lëvizje duket edhe më shumë se sa kaq.

Ai sipas të afërmve është dërguar tek mjeku shumë kohë pasi ishte vërejtur shtrembërimi karakteristik i shtyllës kurrizore të tij. Mungesa e kontrollit mjekësor, diagnostifikimit dhe trajtimit në kohë  me qëllim që të ngadalësohej procesi i lakimit të shtyllës kurrizore bëri që sëmundja të përparonte.

Fatkeqësisht reduktimi i progresit të lakimit të shtyllës së tij kurrizore nuk qe i mundur për arsye të shumta. Me përparimin e sëmundjes dhimbjet e shtyllës kurrizore për 67-vjeçarin u bënë intensive dhe të padurueshme. Prindërit e tij në vitet e fundit të jetës së tyre shitën gjithçka në fshat dhe blenë një dhomë modeste në katin e parë të një ndërtese të vjetër në qendër të qytetit që nga vendasit njihen me emrin e çuditshëm “Kursi i Partisë”.

Aty, Shefki Çepi, 67 vjeç, që krahas deformimit të shtyllës kurrizore  dhe që vuan edhe nga sëmundje të tjera jeton në vetmi e në kushte tejet të vështira në çdo aspekt. Për të kujdesen të afërm e fqinjët kur munden dhe e ardhura e vetme është pagesa e Kempit prej 11.000 lekë( të reja). Lavdie Nogu, e motra e tij  tregon mes lotësh se jeta për 67-vjeçarin Shefki Çepi ka qenë një ferr i vërtetë për shkak të sëmundjes së tij të deformimit të shtyllës kurrizore dhe sëmundjeve të tjera të moshës.

Historia e jetës së tij është edhe më e dhimbshme sesa kaq. Në dhomën ku ai jeton në vetmi tri herë kanë hyrë nga ballkoni grabitësit të cilët i kanë vjedhur gjithçka gjendej aty. Grabitësit duke qenë se i moshuari i sëmurë jeton në vetmi në shtëpinë e tij, jo vetëm e kanë plaçkitur disa herë duke marrë ushqimet, televizorin, frigoriferin, stufën, drutë e zjarrit e deri edhe lugët e pjatat por disa herë edhe e kanë dhunuar. E motra e tij tregon një rast kur sapo vajza e saj i solli një makinë me ushqime, gjetën hajdutin  në shtëpinë e 67-vjeçarit duke i marrë gjithçka. Ndërsa ngjarja më e tmerrshme ishte një rast kur grabitësi i kishte marrë edhe protezat e dhëmbëve.

Këto raste i kemi denoncuar në polici por asgjë nuk u ka ndodhur atyre që vodhën banesën e të moshuarit. Kur  ai është në gjendje disi të mirë tregon e motra ai  del në natyrë por e ngacmojnë.

Gjendja shëndetësore e tij sa vjen e rëndohet. Edhe kujtesa prej 20 vitesh i është dobësuar shumë. Fatkeqësisht as motra e as vëllezër nuk ka pranë me përjashtim të Lavdies, por edhe ajo vetë është e sëmurë, ndërsa vetë i moshuari vetëm sa mundet të shprehet me shumë vështirësi se do ndihmë për t’i përballuar vështirësitë e jetës dhe sëmundjen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb