22 vjet pasi kishte xhiruar gjendjen e vështirë në Kosovë, në vitin 1997, kameramani Chris James mbrëmë xhiroi ndeshjen e Kombëtares së Kosovës kundër Anglisë, në stadiumin “St.Mary’s”.


Ndeshja mes Anglisë dhe Kosovës, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020, ishte paraprirë nga shumë histori për luftën në Kosovë në fund të viteve të 90-ta dhe rolin e Britanisë së Madhe në bombardimet e NATO-s, shkruan Gazeta Express.


Historia e ngritjes së Kosovës si shtet dhe si ekip kombëtar u rrëfye nga shumë media britanike sportive, mirëpo kameramani i televizionit ITV Football, Chris James, nuk kishte nevojë t’i lexonte ata artikuj për të mësuar rreth historisë së “Dardanëve”.


  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

James kishte qenë dështimar i situatës në Kosovë, pasi që ai vetë kishte xhiruar në territorin e vendit në vitin 1997, siç tregon gazetari i ITV Sport, Gabriel Clarke.

Tani, 22 vjet më pas, James u bë vetë dëshmitar i ngritjes së Kosovës, ashtu siç është cilësuar nga mediat britanike “nga joekzistente në prag të kualifikimit për EURO 2020”, pasi xhiroi në ndeshjen e mbrëmshme mes Kosovës dhe Anglisë.

Në këtë ndeshje, të zhvilluar në stadiumin e Southamptonit, “St. Mary’s”, Anglia e mposhti Kosovën me rezultat 5:3, duke i dhënë fund ecurisë së 15 ndeshjeve pa disfatë.

Megjithatë, kosovarët e shprehën mirënjohjen e tyre për ndihmën e Anglisë në bombardimet e NATO-s përmes pankartave si ajo ku shkruhej “Falë juve, tani ne luajmë kundër juve. Gjithmonë mirënjohës ndaj teje, Anglia jonë e dashur”.