116 vjet më parë, në vitin 1908, aty nga ora 12 paradite, e datës 20 nëntor, që binte e premte, në një shtëpi trekatëshe në Manastir të Maqedonisë, Luigj Gurakuqi nxori një dërrasë të zezë dhe filloi të shkruante me shkumës shkronjat e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Disa prej këtyre shkronjave ai vetë nuk i njihte, por Gjergj Fishta i rrinte afër duke e ndihmuar, Ndre Mjeda e shikonte si një nxënës të dobët, ndërsa Mit’hat Frashëri mbante qetësinë në një sallë të mbushur plot me burra të habitur.
Nxënësit që po ndjekin këtë mësim nuk janë fëmijë, por janë disa zotërinj të mbledhur nga gjithë zonat ku jetojnë shqiptarë në Perandorinë Osmane, të cilët kanë ardhur në Manastir si delegatë të një Kongresi që ka për qëllim të unifikojë gjuhën shqipe e cila deri atë ditë shkruhej me të paktën dhjetë alfabete të ndryshëm. Këta burra të veshur trashë, që kishin arritur deri aty hipur mbi kuaj dhe mushka dhe që flisnin me dialekte të ndryshme, ishin nga shqiptarët më të ditur të asaj kohe.
Meqë atëherë nuk kishte selfie, as gazeta me tirazh të lartë dhe as televizor apo internet, ata e kaluan ditën e parë për të njohur njëri-tjetrin dhe ditën e dytë u ulën të vendosin se çfarë rruge do ndiqnin për të përcaktuar alfabetin e gjuhës shqipe. Në vitin 1908, gjuha shqipe kishte kohë që shkruhej, por çështja ishte me çfarë shkronjash do vazhdonte të shkruhej. Pra Kongresi ishte një Betejë për Shkronja dhe kongresmenët kishin përpara dy mundësi.
Ose të hartonin një alfabet të ri, ose të bazoheshin tek alfabetet e krijuara më parë. Kongresi i shkoi rrugës së dytë, pra të gjente një të mesme mes tre alfabeteve që ishin më në modë.
Alfabeti i parë i rëndësishëm ishte ai i familjes Frashëri, që mbrohej me këmbëngulje nga Mit’hat Frashëri. Ky burrë i cili në vitin 1908 mbante skeptrin e familjes më të shquar shqiptare, mbronte variantin e Alfabetit që ishte krijuar në vitin 1879 në Stamboll, nga babai i tij Abdyl Frashëri dhe xhaxhai Sami Frashëri, me të cilin shkroi xhaxhai tjetër i madh, Naim Frashëri.
Alfabeti i dytë ishte ai i shoqërisë Bashkimi të Shkodrës, e cila në vitin 1899 kishte propozuar një alfabet më latin se alfabeti i Stambollit. Me këtë alfabet shkroi Gjergj Fishta dhe shumica e klerikëve të ndritur të veriut. Vetë Gjergj Fishta kishte ardhur në Manastir si përfaqësues i Shkodrës dhe tani ishte përballë Mit’hat Frashërit, njeriut që drejtonte Kongresin.
Por këta dy burra kishin përballë edhe një të tretë, që ishte edhe më luftarak se ata. Ky ishte një prift i shkurtër me mustaqe, shumë kokërfortë, një poet i mrekullueshëm dhe një rebel i gatshëm të shkatërronte një parti për një shkronjë. Ky ishte Ndre Mjeda. Pasi kishte qenë anëtar i shoqërisë Bashkimi, ishte zënë me Gjergj Fishëtn dhe priftërinjtë e tjerë dhe ishte larguar duke krijuar alfabetin e vet bashkë me vëllain Lazrin, që ishte dhe ai prift.
Kështu ishin rreshtuar palët në Kongresin e Manastirit në mes të nëntorit 1908.
Por klima jashtë Kongresit ishte edhe më e ndezur. Shumë njerëz që nuk donin asnjë nga tre alfabetet apo që nuk ishin ftuar fare, mezi prisnin që ata të dështonin.
Kundërshtari më i zhurmëm dhe natyrisht më zevzeku ishte Faik Konica, i cili nuk mori pjesë në Kongres, me pretekstin se ishte ftuar me vonesë. Duke e njohur, me siguri, organizatorët ia kanë çuar ftesën me qëllim shumë vonë, në mënyrë që ai mos vinte, sepse prezenca e tij tekanjoze mund ta kishte prishur atë Kongres, të cilin Faik Konica e quajti një mbledhje xhonturqish.
Por edhe pa pjesëmarrjen e Faik Konicës, Kongresi ishte i mbushur me çudira.
Askush nuk e beson dot se si debatet më të ashpra, u krijuan për disa bashkëtingëllore dyshe dhe sidomos për shkronjën dh. Imagjinoni sot, sikur burrat e ndritur të Shqipërisë të mblidhen dhe të zihen për një shkronjë. Por në vitin 1908 kur nuk kishte Shqipëri, grindjet ishin më artistike dhe shumë më të dobishme.
Mit’hat Frashëri donte një alfabet me disa gërma greke. Ndre Mjeda ishte kundër gërmave të përbëra dh, sh, ll, gj,nj, xh dhe nëse do zgjidhej varianti i tij, sot fjaën Shqipëri do ta shkruanim Skipëri meqë ai nuk e njihte as gërmën q. Ndre Mjeda nuk përdorte asnjë bashkëtingëllore dhe alfabeti i tij ishte i gjithi diakritik, pra me shenja sipër dhe poshtë shkronjave, siç i përdorin francezët dhe gjermanët. Y-ja e tij ishte një “ü” me dy pika lart, kurse xh ishte dz dhe fjalën xhind ai e shkruante dzind.
Ndërsa Gjergj Fishta ishte për një latinizim më të madh të alfabetit duke këmbëngulur që gërmat greke të Sami Frashërit të eleminoheshin dhe po ashtu edhe shenjat e Ndre Mjedës. Nëse Gjergj Fishta do ishte sjellë si Faik Konica dhe nuk do kishte shkuar në Manastir, sot nuk do e kishim gërmën sh dhe fjalën shtet do ta shkruanim stet me një gërmë greke në fillim.
Në thelb, beteja ishte mes dy varianteve të gjuhës shqipe.
Atij toskë, që ishte gjuha që shkruante Naim Frashëri dhe atij gegë, që ishte gjuha që shkruante Gjergj Fishta. Kongresi i Manastirit ishte një përballje mes dy poetësh që u takuan në vitin 1908 në Manastir dhe meqë njëri kishte vdekur në vitin 1900 dhe tjetri ishte gjallë, u gjet një kompromis.
Në vend të një alfabeti, Kongresi i Manastirit miratoi dy alfabete, që kishin të përbashkëta 27 shkronja dhe të ndryshme 9 shkronja. Jehona e këtyre nëntë shkronjave që po të bashkohen krijojnë një zhurmë të tmerrshme dhëshzhxhnjthgjc, i ka lënë pa gjumë për një javë burrat më të ndritur të kombit.
Natyrisht i pari që u miratua, ishte Alfabeti i Stambollit, nga i cili nuk hiqte dorë Mit’hat Frashëri, dora e fortë e Kongresit dhe i dyti ishte Alfabeti i Shkodrës, të cilin Gjergj Fishta, mendja e Kongresit, e kërkonte edhe për arsye praktike. Ai i botonte veprat e veta në shtypshkronja që vinin nga Perëndimi dhe nuk i njihnin gërmat greke që përdorte Sami Frashëri dhe gjithe Toskëria.
Ndryshe nga Kongresi i Manastirit, koha vendosi që ky i dyti do ishte alfabeti që pothuajse kemi sot.
Por fakti që Kongresi miratoi njëkohësisht dy alfabete do të thotë që debatet kanë qenë të forta dhe kanë rrezikuar ta mbyllin Kongresin pa një alfabet unik. Prandaj mesa duket u gjet një zgjidhje oportuniste. Por për shkak të betimit që i kishin bërë njëri-tjetrit, delegatët nuk folën publikisht mbi mosmarrëveshjet që patën dhe zgjedhjen e dy alfabeteve në vend të njërit.
Njëri prej 32 delegatëve ishte edhe stërgjyshi im nga nëna, Simon Shuteriqi, ndoshta delegati më i ri i Kongresit të Manastirit.
Në vitin 1908 ai ishte vetëm 25 vjeç, me një kravatë me vija të trasha, që sot do ishte vintage, me një këmishë të bardhë me jakë të rrumbullakët që është ende shumë në modë dhe me një kapele të zezë si ajo që mbanin të krishterët në Peradorinë Osmane. Mustaqet e tij të gjata, sytë e ulur poshtë dhe një ballë i vrenjtur tregojnë një njeri të fiksuar pas detajeve, sic edhe ishte Simon Shuteriqi.
Nuk e di kush i ka vendosur numra delegatëve, por në foton zyrtare të Kongresit, ai mban numrin 21, një numër që ka shoqëruar familjen tonë, në gëzime dhe hidhërime, deri ditët e fundit.
Për fat të keq ai nuk i shkroi kujtimet e tij për Kongresin e Manastisit, sepse ishte nën betim. Kishte dhënë fjalën të mos fliste. Simon Shuteriqi e mori alfabetin e Manastirit dhe një vit më vonë, në vitin 1909, hapi dhe drejtoi bashkë me Luigj Gurakuqin, Normalen e Elbasanit, shkollën që përgatiste mësues.
Ai i respektoi në mënyrë të çuditshme dhe shumë besnike vendimet që u morën në Manastir dhe kjo duket nga mënyra se si e ka përdorur gërmën sh, që ka qenë dhe një nga shkaqet e mospajtimit të madh të Manastirit.
Simon Shuteriqi e firmosi si S. Suteriqi vendimin e Kongresit të Manastirit në 1908, pra pa i vendosur një sh mbiemrit të tij, ndërsa në vitin 1922, i drejtohet mikut të tij Fan Nolit si Shenjtëri, pra me gërmën sh, të alfabetit të dytë të Kongresit.
Deri në vitin 1911 Simon Shuteriqi botoi dy libra. Njërin për jetën e dajës së vet Kostandin Kristoforidhit, të cilin e shkroi me alfabetin e Naim Frashërit, kurse tjetrin, një abetare për fëmijë që e shkroi me alfabetin e Gjergj Fishtës.
I kam gjetur me vështirësi këto dy këto botime dhe te “Jetëshkrimi i Kristoforidhit”, fjalën shqip ai e ka shkruar me një s greke, siç e shkruante Sami Frashëri, ndërsa tek abetarja e tij, fjalën shqip e shkruan siç e shkruajmë ne sot, me gërmën sh.
Abetarja e Simon Shuteriqit i ka të gjitha bashkëntingëlloret dyshe për të cilat Kongresi i Manastirit debatoi për një javë, edhe sh, edhe dh, edhe nj, edhe ll, edhe rr, edhe gj, edhe th, edhe xh edhe zh. Ajo është një Abetare e bukur, e vogël, me shumë përshkrime kafshësh dhe frutash, e cila mund ta lumturonte çdo fëmijë 100 vjet më parë, kur nuk kishte as lodra dhe as filma të animuar.
Librat e Simon Shuteriqit janë botuar në shtypshkronjën tregtare të Manastirit në vitin 1911.
Dy vjet më vonë, në vitin 1913, serbët e morën Manastirin dhe i vunë emrin e shëmtuar Bitola, për ta fshirë nga historia jonë. Bashkë me qytetin, ne humbëm edhe shtëpinë e Kongresit të Alfabetit ku çdo vit, në nëntor, do ishte bërë një pelegrinazh i madh, frymëzues, i ngjashëm me atë që bëhet në Vlorë gjatë përkujtimit të Pavarësisë.
Shtëpia e Manastirit dhe shtëpia e Vlorës do ishin shtëpitë më të famshme të Shqipërisë sepse aty u bë Shqipëria, atëherë kur Shqipëri nuk kishte.
Aty do kisha shkuar sot, për t’i bërë një homazh Simon Shuteriqit, stërgjyshit tim, delegatit më të ri të Kongresit të Manastirit, kravatën me vija të të cilit do doja ta mbaja kur flisja në Parlament, për punët e Shqipërisë.
(BalkanWeb)