Më shumë se një lojtar amerikan i NBA-së, ka qenë për basketbollin shqiptar, kur Viktor Papavangjeli, ende i panjohur, shpërtheu me ekipin e “Dinamos” së kryeqytetit. Tipik i një qendre moderne, elegant, me një stil e gjuajtje shumë të bukur, por, mbi të gjitha, me një kërcim të jashtëzakonshëm. Student në ILKF, (Instituti i Kulturës Fizike “Vojo Kushi”), por edhe titullar me kombëtaren, kur Hysni Kapo, u premtoi tifozëve vlonjat, kthimin e tij në qytetin bregdetar, në vendlindjen e tij, Vlorë. Si ishte karriera e tij, me “Flamurtarin” dhe ajo me “Partizanin”, që e merrte përforcim në çdo ndeshje ndërkombëtare? Çfarë bën sot ai që demonstroi për herë të parë “slum dunk”, e që habiti mjedisin e shportës, si një ndër talentet e papërsëritura për klasin dhe kualitetin, që shfaqi në vitet ’70-të?
Një fillim midis atletikës e basketbollit
Do të ishte bërë një atlet shumë i mirë në garat e kërcimit. Në shkollë ka qenë absolut, në këto disiplina. Pastaj, një dëmtim që e largon nga atletika, luan basketboll me fëmijët e shkollës, më pas në gjimnazin “Halim Xhelo”, nga ku trajnerët e njohur të basketbollit vlonjat, Elmaz Agalliu, Agron Kosova, Ilo Taska, Patriot Aliaj, Pajtim Resuli, etj., që e kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës, duke parë aftësitë fizike, e orientojnë përfundimisht te ky sport.
E nis me ekipet zinxhirë dhe pastaj me të rinjtë e klubit. Por me të dhënat individuale që kishte, ai do të ishte bërë jo vetëm një atlet i shquar, por edhe një volejbollist i shkëlqyer, një notar i tillë, pra i gjithanshëm, universal në çdo disiplinë sportive.
Student në Tiranë, nuk ia njohin talentin!
Basketbollisti i ri nga Vlora, Viktor Papavangjeli, vjen në Tiranë në vitin 1968, për të kryer ILKF “Vojo Kushi”, ndonëse në mjedisin sportiv tiranas, nuk njihet. Është student dhe që në sezonin e parë luan me “Dinamon”, skuadër modeste, kryesisht me universitarë, dhe jo me “17 Nëntorin” apo “Partizanin”, pasi nuk ia dinë apo s’ja vlerësonin talentin!
E neglizhuan, ndërkohë që i riu Papavangjeli, ka një progres të shpejtë, madje të jashtëzakonshëm dhe në vitin 1969, karriera e tij starton me bujë. Paraqitja e tij i tërheq vëmendjen të gjithëve, si një talent i madh, por i pazbuluar nga të “fortët”, që nuk kanë mundësinë e forcën ta marrin në klubet e tyre, siç bëhej zakonisht, pasi ai është lojtar i “Dinamos”.
Shpërthimi te parku pas Kryeministrisë
Pikërisht në parkun e njohur sportive, mbrapa Kryeministrisë, rreth viteve ’70-të, ku zhvillonin ndeshje e stërvitje skuadrat e lojërave me dorë të Klubit “Dinamo”, ka zanafillën historia legjendare e të vajzave të volejbollit të “Dinamos”, por njëkohësisht edhe e djemve të basketbollit.
Me trajnerët Naim Pilku, Muhamet Përmeti, Eduart Beliu, Papavangjeli, me një grup të talentuarish lojtarësh, si; Doda, Rusi, Shano, Llazani, Peja, e më pas Trebicka etj., do të krijonin një pesëshe simpatike për kohën, që do të rivalizonte të mëdhatë e traditës. Si te “Dinamo”, dhe “Partizani”, ai ka luajtur me 10-ën në fanellë, numër i rëndë dhe që kërkonte një fizik të tillë për ta mbajtur.
I pari që aplikoi “slum dunk” në Shqipëri
Në rolin e një qendre anësore, i fortë në tabelë, në sulm e mbrojtje, Papavangjeli zotëronte një gjuajtje shumë të bukur me një stil perfekt dhe një kërcim të jashtëzakonshëm, gati fluturues. Shumë elegant, një trup i bukur, ka luajtur dhe është ndeshur me kundërshtarë gjigantë.
I datëlindjes 1949, i gjatë 193 cm, ai është i pari basketbollist që ka mundur të fusë me dy duar topin në kosh, duke aplikuar të famshmen “slum dunk”, një stil shumë i preferuar e karakteristik për lojtarë kalibri, model i atyre amerikan të NBA-së.
Jemi në vitet ’70-të dhe një veprim i tillë, ishte spektakolar, të cilin atij ia garantonte kërcimi potent, falë forcës së gjunjëve me elasticitet suste që kishte.
Derbi, edhe nën shenjën e tij
Ka qenë një rivalitet i madh në fundvitet ’60-të, në basketbollin e meshkujve, “Partizani” e “17 Nëntori”, “Vllaznia, Lokomotiva”, “Universiteti” (pastaj “Studenti”), kur çdo ndeshje midis tyre, ishte një betejë sportive, deri në sekondat e fundit.
Ndërkohë, ardhja e Papavangjelit, krijimi grupit me perspektivë të “Dinamos”, i rinovuar me elementë të rinj, i jep gjallëri kampionatit, në veçanti derbit kryeqytetas, që, si në asnjë vend tjetër të botës, kishte pesë skuadra, (bashkë me “Dajtin”), që luanin në kategorinë e parë, apo superioren siç njihet sot.
“Dinamo” fillon bindshëm: Fiton 111-70 në Shkodër, pastaj arrin një rezultat surprizë; 64-60 ndaj “17 Nëntorit”, ku dallohen Papavangjeli e Shano, duke i bërë kështu një “favor” ekipit të “Partizanit”, që barazohet me pikë me tiranasit dhe në finalen në fund të sezonit, fiton titullin kampion.
Por sapo kishte filluar të luante e të ishte protagonist i këtyre sfidave të mëdha, pikërisht kur fama e Papavangjelit po vinte në rritje dhe ishte bërë personazh shumë i njohur si një yll me të ardhme, vjen transferimi i tij në Vlorë. Largohet nga kryeqyteti, pasi e pret tjetër skuadër, tjetër karrierë, pa harruar të rikthehet në Tiranë, kur e grumbullonte “Partizani” dhe Kombëtarja.
Kthimi në Vlorë dhe premtimi i Hysni Kapos
Nuk është vetëm Viktor Papavangjeli, por ka edhe të tjera raste, tipike për mjaft sportistë që kanë luajtur në Tiranë, me klubet e njohura “Partizani” e “Dinamo”, e që janë rikthyer në qytetin e tyre, pas një premtimi, pasioni, apo kërkesave të opinionit sportive, që u bënin udhëheqësve të lartë të PPSH-së, si dhe letrave të qytetarëve, që u drejtonin komiteteve të partive të rretheve përkatës.
Kjo ndodhte me ata sportistë që vinin në Tiranë për studime, shërbimin ushtarak dhe kur pas përfundimit të tyre, klubet e kryeqytetit, donin t’i mbanin në ekipet e tyre. Një histori e tillë, është e lidhur edhe me Viktor Papavangjelin. Gjatë një vizite në Vlorë, në vitet ’70-të, ish-sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së, Hysni Kapos (figura nr 2 pas Enver Hoxhës), i thonë se; “duan të na e marrin Viktorin”.
“Nuk e njoh, cili është ky?”, pyeti ai, e ndërsa e informojnë se bëhej fjalë për një sportist që luante me “Dinamon”, ai u premtoi se do t’ua plotësonte kërkesën, sportdashësve të qytetit të tij. Premtimi i dhënë bëhet realitet dhe në harkun e pak kohëve, Papavangjeli lë “Dinamon”, për t’u kthyer në Vlorë.
I gjithë qyteti pas tij dhe i vetëm kundër “big”-ëve
Ardhja e Papavangjelit në Vlorë, u shoqërua me një entuziazëm që përfshiu gjithë qytetin, ashtu siç kishte ngjarë edhe me Mexhit Haxhiun, Todi Drizën, Uran Xhafën, apo Agron Sulon, Leonidha Çurin, etj..
Për shumë vitesh, mjediset sportive si parku i lojërave me dorë “Flamurtari”, (pranë kinoteatrit) dhe ai “Eftiqi Baka”, mbusheshin me tifozerinë vlonjate, vetëm për ta ndjekur nga afër atë dhe çastin kur topi shkëputej nga dora e tij, për të përfunduar në koshin kundërshtar.
Nuk i ka zhgënjyer asnjëherë ata, madje ka qenë dhe është ende krenaria e tyre. Karrierën, pjesën që është e lidhur me Vlorën, Papavangjeli ia kushtoi krejtësisht “Flamurtarit”, që e gjeti në Kategorinë II-të dhe me ardhjen e tij, skuadra ngjitet në të parën (1971), duke qenë gjithmonë më i miri në fushë dhe për shumë sezone, i ka takuar që të luajë i vetëm kundër “big”- ëve të elitës. (Në pak kohë, bashkë me Kujtim Kasmin, i transferuar në Vlorë, luajtën me “Flamurtarin”).
Mjafton t’u hedhësh një vështrim gazetave të kohës, kur ato shkruajnë: “Që në start, debutuesja ‘Flamurtari’ shënon fitoren e parë ndaj ‘Skënderbeut’, 87-69, ku Papavangjeli realizon 36 pikë, shkëlqen gjatë gjithë takimit dhe i jep jetë ‘Flamurtarit’. Një fitore që është psikologjike për vlonjatët”.Dy gjuajtje të lira realizuar nga Papavangjeli, më i miri në fushë, i dhanë fitoren ‘Flamurtarit’ ndaj ‘Labinotit’, që kryesonte me 7 pikë”.
Pastaj, surpriza që “Flamurtari” i bën një të papritur “17 Nëntorit”, duke e mundur 99-95, dhe heroi i takimit është Papavangjeli, që realizon edhe koshin në çastet e fundit. Apo Kupa e Republikës, e sezonit 1976, kur kanë mbetur edhe 15 sekonda lojë dhe Papavangjeli shënon e, i jep fitoren “Flamurtarit”.
Ka qenë sezoni 1974-‘75 kur luan me “Flamurtarin”, në javën e 6-të të kampionatit kombëtar, spikat takimi i zhvilluar në Vlorë, ku “Dinamo” mori dy pikë pas fitores 94-71, një ndeshje ku Papavangjeli realizoi 41 pikë. Më pas në Durrës, ndaj “Lokomotivës”, në këtë sezon: 61 pikë. Me klubin “Flamurtari” dha një kontribut të madh në përfaqësimin e kësaj skuadre në nivelet e larta të basketbollit kombëtar, ndonëse ai i djemve nuk ishte në traditën vlonjate, krejt ndryshe me atë të vajzave, tejet historike.
I padiskutueshëm në formacionin e kombëtares…!
Për një dekadë, Papavangjeli ka qenë lojtar i padiskutueshëm në skuadrën kombëtare, titullar në të gjitha aktivitetet që ajo ka marrë pjesë, duke qenë ndër shënuesit kryesorë të saj, edhe gjatë viteve kur luante në Vlorë me “Flamurtarin”, në Kategorinë e II-të. Më kryesoret janë ndeshjet për eliminatoret e kampionatit europian në Hungari, nga 21- 25 maj i vitit 1969, me Shqipërinë, që luan në një grup të fortë bashkë me Turqinë, Francën, Hungarinë e Poloninë.
Në përfundim të aktivitetit, në të cilin Agim Fagu (i “Partizanit”) realizon 67 pikë, Papavangjeli renditet i pesti, me 44 pikë dhe pas tij Vaso Shaka (i “17 Nëntorit”), me 34 pikë. Pastaj Lojërat Universitare të Torinos, edicioni 18-të, në gusht të 1970-ës, ku veçohet rivaliteti në takimin Shqipëri- Jugosllavi 72-74 (10 pikë Papavangjeli), për të vijuar me turneun e Sardenjës (Itali) eliminatoret e kampionatit europian, edicioni 18-të, (29 maj-2 qershor 1970), ku bashkë me titullarët e “Partizanit” e “17 Nëntorit”, në përfaqësuese, janë edhe Nusret Reka i “Lokomotivës”, Mim Rusi i “Dinamos” e Papavangjeli i “Flamurtarit”.
Protagonist edhe në turneun olimpik, në Hralem të Holandës, me takimet Shqipëri-Belgjikë; 82-83, Shqipëri-Çekosllovaki; 69-88 dhe Shqipëri-Holandë; 81-84, ku dallohen sërish Fagu, me një përqindje prej 22.3 pikësh në ndeshje, Papavangjeli 14.7 dhe Vaso Shaka. 11.3, pikë për ndeshje
Për “Partizanin”, ka qenë lojtari më i preferuar si përforcim në ndeshjet ndërkombëtare, në pjesëmarrjet e klubit në të tilla aktivitete e të tillë e federon në çdo prag pjesëmarrjeje në Europë. Gjithmonë i rrethuar nga kundërshtarë të lartë e të fortë, debutimin me të kuqtë, e ka në vitin 1969, në Shkodër, ku “Partizani” luan me “Dinamon” e Bukureshtit, për Kupën e Kampioneve.
Pastaj vijnë sfidat ndaj “Cervena Zvezdës” (“Ylli i Kuq” i Beogradit), dhe në dy kualifikimet historike në Kupën e Kampioneve: Ndaj “Çepel” të Budapestit (Hungari), ku shënon 11 pikë dhe “Sparta Bertranzh” (Luksenburgut) në përbërje me amerikanë dhe Papavangjeli realizon 17 pikë, ndërsa në atë të kthimit, shquhet në mbulimin e francezit Mutter (2.04), zotëron tabelat, duke qenë autor i 23 pikëve.
Duke mos harruar gjithashtu duelet në Kupën e Kampioneve me sfidat e dyfishta, ndaj “Vinerberg” (Austri), në të cilat Papavangjeli pëlqehet shumë dhe në Vjenë realizon 18 pikë. Në Kupën e Kupave, përballja me “Aspo-Tours” të Francës, ku Gim Fagu, Viktor Papavangjeli, Kastriot Mushi (“Lala”) dhe Kushtrim Zaçe, dalin fitues në tabelë ndaj Meniard 2.08 dhe Boven 2.06. Në takimin e Tiranës, Papavangjeli realizon koshin e fitores, 83- 80, por që “Partizani” eliminohet, pasi humbet 101-76 në sfidën e kthimit.
Kundër Kapiçiç, Simonoviç e Sllavniç
Vitet ’70-’80-të, konsiderohen të arta në basketbollin shqiptar për djem. Jo vetëm për rivalitetin sportive, që na ofruan, në veçanti “Partizani”-“17 Nëntori”, por për mentalitetin e ri, tejet modern për kohën, kur pallati i sportit “Partizani”, mbushej plot me spektatorë, të gjithë djem e vajza.
Një erë e re që shoqërohej nga dëshira dhe pritja në çdo fundjavë, për të shkuar të shtunën në mbrëmje, hyrja me, apo pa biletë, në Pallatin e Sportit të kryeqytetit, për të ndjekur rivalitetin sportiv të asaj periudhe, të përfaqësuar nga një brez me sportistë model, në çdo drejtim. Janë vitet kur jemi ndeshur me “Oransodën”, “Zadarin”, “Jugoplastikën”, “Cervena Zvezdën”, “Partizanin”, “Sparta”, “Çepel”, apo “Banco Romën”, e “Sinudine” që kishin në përbërje lojtarë gjigantë, të famshëm e të jashtëzakonshëm, që dominonin basketbollin botëror dhe atë kontinental, me klube e përfaqësuese.
E tillë ka qenë edhe njëra prej tyre, ajo “Partizani”- “Crvena Zvezda”, në vitin 1972, një skuadër kundërshtare e përbërë me lojtarë të kalibrit europian, si Kapiçiç, Sllavniç, e mbi të gjithë, Simonoviç, një ndër lojtarët më të mëdhenj e ndër shënuesit më të mirë, të të gjithë kohërave në ish-Jugosllavinë e Marshallit Tito
Duke iu referuar shtypit të kohës, lexojmë se; “Partizani e filloi lojën me Fagun Papavangjelin, Zaçen, Palin, Mushin. Dhe në fund: Partizani humbet; 78-89, e Papavangjeli shënon 16 pikë, ndërsa për jugosllavët, Kapiçiç 31, Simonoviç 25”.
Edhe në takimin e kthimit, “Partizani” humbet, gjë e cila ndikonte edhe prej varësisë së kushteve atmosferike, pasi në dimër e verë, në diell apo shi, në ngricë, apo vapë përvëluese, Papavangjeli me shokët e tij, stërviteshin dhe luanin në mjedise të hapura.
Familja Papavnagjeli me origjinë nga Gjirokastra
Familja Papavangjeli, me origjinë gjirokastrite, por prej shumë dekadash e transferuar dhe e sistemuar në Vlorë, madje të parët e tij kanë qenë tregtarë të njohur të qytetit. Nuk kanë pasur traditë familjare në sport, Papavangjeli, djali i vetëm midis dy motrave, preferoi pikërisht sportin, arsimimin dhe familjen.
Viktor Papavangjeli është i martuar, trashëgon dy fëmijë, djalë e vajzë, por që nuk e vazhduan rrugën e të atit. Pasi e mbylli me basketbollin e luajtur, Viktori vijoi si trajner i skuadrës së parë të djemve, duke qenë njëkohësisht edhe mësues i edukimit fizik, në shkollat me profil klasat sportive në basketboll.
Karrierën sportive, gati 15-vjeçare, e filloi 17 vjeç në Vlorë dhe po në këtë qytet, e mbylli në moshën 30-vjeçare (1980). Nuk lëvizi gjatë trazirave të ’97-ës, duke preferuar qëndrimin në qytetin e tij, ku edhe sot e kanë dhe e nderojnë, si një pasuri me vlerë të madhe.
Këto vitet e fundit, Papavangjeli ka shërbyer si inspektor në Klubin shumë-sportesh “Flamurtari” dhe çdo mëngjes e gjeje duke pirë kafe me miqtë e tij, trajnerë, ish-basketbollistë, etj.
Për “Flamurtarin”, për mjedisin sportiv vlonjat dhe për të gjithë fushat e pallatet ku luajti, e konsumoi energji të mëdha fizike e mentale, ai u shfaq si një “Everest” i vërtetë. Ende sot Vlora, nuk ka nxjerrë më një basketbollist si Viktor Papavangjeli, një mjeshtër i denjë, për në “Hall of Fame”, të basketbollit kombëtar.
Mik me dy vëllezërit Rusi, Mimin e Asllanin!
Te “Flamurtari”, “Partizani”, e në kombëtare, ka pasur shumë shokë, por te “Dinamo” dhe gjatë qëndrimit trevjeçar në Tiranë, një miqësi e veçantë e ka lidhur me Mim Rusin, vëllain e legjendës së volejbollit shqiptar, Asllan Rusi (që prej shumë vitesh, fatkeqësisht që të dy janë ndarë nga jeta).
Të dy te “Dinamo” dhe në kombëtare, u evidentuan si lojtarë të një brezi që garantonte të ardhme të sigurt, ndërsa te “Dinamo”, krijuan një tandem modern, si dy lojtarë të gjatë, elegantë, shumë të fortë, në lojën në tabelë, në sulm e mbrojtje.
Janë vitet e shpërthimit të talenteve që dominuan në basketbollin shqiptar të vitet ’70-’80-të, ndër të cilët ishin edhe Papavangjeli e Rusi. Pastaj miqësia me mjaft sportistë të tjerë, por më shumë me Agim Fagun, Pirro Kolekën, Roland Avramin dhe Zef Gjonin, sot trainer i njohur i ekipit të boksit të Shkodrës, por dikur, basketbollist i “Vllaznisë”.
Në Athinë, e kujtuan për grek
Viti 1976, në Greqi, Athinë, me ekipin kombëtar në “Olimpiakos Stadium”, në thirrjen tradicionale të emrave para fillimit të ndeshjes, spikeri në greqisht shqiptoi; Papavangjelis.
Në pushim, ndërsa përgatitej pjesa e dytë e, lojtarët po kryenin disa gjuajtje, poshtë koshit, Papavangjeli i afrohet një person, të cilin nuk e njihte dhe në greqisht, me këmbëngulje, diçka donte t’i thoshte. Pak nga frika, pak nuk kuptonte gjuhën, më në fund në ato sekonda, i huaji i shpjegoi, se edhe ai ishte me mbiemrin Papavangjelis, e për rrjedhojë, duhet të ishin të afërt.
Pa i dhënë përgjigje, Viktori i dha të kuptojë, se një gjë e tillë, nuk ekzistonte, pasi ai nuk kishte asnjë të afërm në shtetin fqinj.
Një karrierë në qiell të hapur
E tillë ka qenë thuajse një pjesë e madhe e karrierës së Papavangjelit, të cilën e ka kaluar në qiell të hapur, duke luajtur e stërvitur në terrene me dhe të zi, e në varësi të kushteve atmosferike, dimër, verë, diell apo shi, ngricë apo vapë përvëluese.
Pallatet e sportit të Shqipërisë, janë ndërtuar vonë (i pari “Partizani” i kryeqytetit Tiranë, 1963, Pallati sportit “Punëtori” në Durrës, në vitin 1969, si dhe ai Shkodër, ku për shumë vite, është luajtur në Parkun “Spartak” të hapur, pallati i sporti, i projektuar mbi Katedralen e madhe Katolike të rrënuar, u ndërtua në vitin 1969).
Edhe në qytete të tjera, aktivitetet zyrtare janë zhvilluar në mjedise të hapura, protagonist i të cilave ka qenë edhe Papavangjeli me brezin e tij. Pallati i sportit “Flamurtari” në Vlorë u inaugurua në vitin 1978, kur në mjedisin e tij u zhvillua “Kongresi i Gruas”. /Memorie.al/