Shkëlqim Cani mund të konsiderohet si i larguari i parë nga qeveria me urdhër të kryeministrit, por në mënyrë figurative, është më i fituari. Shkëlqim Cani është i vetmi që nuk e dorëzoi mandatin e tij si deputet, pavarësisht se kolegë të tij si, Saimir Tahiri, Damian Gjiknuri, Ermonela Felaj, Ditmir Bushati etj e kanë ‘djegur’ veten si deputet më qëllim të ushtronin detyrën e ministrit.

Që në momentin kur ishte ende në opozitë, Edi Rama konfirmoi se me ardhjen në pushtet socialistët të cilët do të marrin postin e ministrit do të heqin dorë nga mandati i deputetit. Kjo sipas Ramës do të krijojë një ekuilibër të ri dhe hapësirë më të madhe për kontrollin parlamentar.
“E kundërta është e vërtetë, ministrat do zgjidhen mes deputetëve, por me marrjen e mandati të ministrit heqin dorë nga mandati i deputetit. Ato do jenë figura politike, që janë pjesë e skuadrës sonë të Rilindjes, por do të bëjnë një ndarje të punëve, sic kemi rënë dakord dhe e kemi sanksionuar në marrëveshjen me LSI, por edhe në marrëveshje me forcat e tjera të koalicionit duke bërë që pushtetet (legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor) të bëjnë funksionimin e tyre, dhe duke krijuar kështu një ekuilibër të ri dhe hapësirë të madhe për kontrollon parlamentar, por edhe për ti kryer punët në shërbim të publikut shumë më mirë duke shtuar numrin e njerëzve tanë pjesëmarrës në këtë hapësirë që nesër do jetë e ndarë mes Parlamentit dhe qeverisë”, sqaroi Rama 3 vjet më parë.

Dhe ky premtim gjatë fushatës u mbajt pjesërisht. Shumë personazhe që luftuan për të marrë mandatin e deputetit në zona të nxehta elektorale e dorëzuan atë në KQZ, me qëllim të ushtronin postin e ministrit që u kishte ofruar Edi Rama. Por, jo Shkëlqim Cani.
Ministri Shkëlqim Cani, ishte i vetmi ministër që nuk e dorëzoi mandatin e tij të deputetit. Sipas të dhënave kohë më parë, kjo u justifikua se në qarkun e Dibrës ende nuk ishte zgjidhur çështja se kush do të ishte pasuesi i Canit në Kuvend, pasi sipas Kodit Zgjedhor, ky mandat duhet t’i kalonte kandidates grua në listën e PS, që është Ezmerina Hoxha. Por në pritje të marrjes së mandatit është dhe mjeku i njohur i Burrelit, Hasan Ceni, të cilit i është premtuar ardhja në Parlament.
Cështja e emrave që do të zëvendësonin ministrat si deputetë në Kuvend ka qenë një debat i gjatë brenda PS, pasi disa nga kandidatët e listës që plotësonin vendet e poshtme në listë nuk parapëlqeheshin për të qenë pjesë e Grupit Parlamentar socialist.

Por pasi Rama e heq si ministër, Shkëlqim Cani sot mund të qëndrojë lehtësisht në Parlament, ndryshe do të ndodhte sikur emri i larguar të ishte Tahiri, Bushati, Gjiknuri apo Felaj. Pas konfirmimit se Cani largohet si ministër i Financave, Zyra e shtypit të Qeverisë bëri me dije se Kryeministri Edi Rama e informoi ministrin Shkëlqim Cani për vendimin e zëvendësimit të tij me një koleg tjetër dhe i kërkoi vazhdimin e angazhimit të tij, me të njëjtin profesionalizëm e përkushtim, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë e Financave.

Por dhe ministri Cani e falënderoi nga ana e tij Kryeministrin për besimin dhe bashkëpunimin e ngushtë në kapërcimin me sukses të situatës së rëndë financiare të trashëguar dy vjet e gjysëm më parë, si edhe e siguroi për vazhdimin me përkushtim të plotë të angazhimit të tij politik e profesional si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

(d.bonollari/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: