Është shfaqur sot për mediat filmi i fundit i Robert Budinës, “Pikë uji”. Duke marrë shkas nga një rast dhune, skenari skanon shoqërinë përmes pikave nevralgjike. Krimi, politika dhe pushteti takohen në një histori ku në krizë është edhe familja.

Një film autor që sjell një kinema të angazhuar skanon shoqërinë shqiptare dhe shpërfaq në gjuhë artistike krimin, korrupsionin, mitmarrjen dhe sistemin e drejtësisë. “Pikë uji” me regji të Robert Budinës, ka në qendër historinë e një adoleshenti që akuzohet për përdhunimin e një bashkëmoshatareje. Ndërsa ngjarja zbulohet, kryetari i bashkisë, prokurori dhe kriza e familjes dhe ajo e shoqërisë plotësojnë pazllin fillestar. Mesazhi i regjisorit, shkon përtej.

“Në momentet shoqërore që jemi vlen shumë për t’i thirrur shpirtit që në këto kohë të vështira e kemi braktisur në çdo kuptim. Ne kemi pasur kriza të mëdha dhe vetë kam pasur kriza të mëdha për sa i përket, çfarë më ka dhënë mua shoqëria dhe çfarë i jap unë mbrapsht asaj. Mua pavarësisht vështirësive më ka dhënë shumë vendi im, dua t’ia shpërblej duke thënë disa të vërteta, ndaj e kam bërë filmin si një terapi për veten. Mendoj se arti, është mënyra më e mirë, kisha ku ne mund të falemi. Unë kam qenë i angazhuar dhe nuk e kam gjetur këtë përgjigje dhe mendoj se arti ngre pyetje, dhe përgjigjet duhet t’i japë vetë shoqëria ”, tha Robert Budina.

Në rolet kryesore janë Arben Bajraktari dhe Gresa Pallaska që portretizojnë një çift që futet në krizë, ndërsa i biri trondit jetët e tyre dhe lidhjen me pushtetin. Deri ku prindërit kompromentohen dhe gjejnë kurbanë për hir të dashurisë për fëmijën? Producentja ju drejtohet:

Atyre që janë duke rritur fëmijë adoleshentë. Në një shoqëri toksike maçiste, çështja kryesore është që të gjithë ne këtë process si shoqëri kemi të hapim dialog e të flasim me njëri-tjetrin e të kuptojmë se këtu nuk ka viktima e xhelatë, këtu ka vetëm viktima, ne po prodhojmë vetëm viktima. Edhe ata që mendojnë sot që janë në majën e pushtetit e kanë gjithçka, do jenë edhe vetë ata viktima”, tha Sabina.

Me një fotografi ne tonalitete të zbehta që krijon ende më shumë mjegull, me simbole e metafora që prekin ekstremet dhe kontraste që nisin që më titullin, filmi ngre disa pyetje nxitur nga dilema personale duke kërkuar një katarsis kolektiv. Film i do të jetë në çdo kinema nga data 12 shtator.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb