Pas vetës mban gjithmonë një sëpatë. Me të fle, e madje edhe rruan mjekrën. Por për gjithë këtë punë, plaku nga Korisha e Prizrenit thotë se e ka një histori të veçantë. Me atë sëpatë ai para disa viteve e vrau një arushë. Këtë veprim thotë se e bëri për ta mbrojtur djalin i cili i erdhi në jetë pas më shumë se 60 viteve martesë.

Në hyrjen e shtëpisë së plakut 81-vjeçar, Avdyl Gega, gjendet një pikturë me dimensione disa metërshe e cila ka një histori të veçantë. Në të shihet një malësor, një fëmijë rreth moshës 10 vjeç si dhe një arushë. Të gjithë mysafirët që ia mësyjnë shtëpisë së Gegës pyesin për domethënien e asaj pikture e cila ka disa vite që gjendet aty.

pikturaa

Ishte qershori i vitit 2007 kur Avdyl Gega e mori djalin e tij, Ylberin, atë kohë 10 vjeç, për ta shëtitur dhe për t’i treguar trojet e paraardhësve të familjes Gega në malet e Korishës. Por ecja në shtigjet e atij fshati gati sa nuk doli të jetë fatale për Avdylin.

Aty, ai u ballafaqua me një arushë dhe dy këlyshë të saj.
E gjithë drama, siç plaku nga Prizreni e quan, nisi kur disa gjuetarë kishin shtënë me pushkë në drejtim të arushës. Në atë moment plaku nga Korisha ishte brenda malit bashkë me djalin e tij të vetëm. Ai thotë se në ato momente e pa me sytë e tij vdekjen.

piktura 1

“Pas më shumë se 60 viteve martesë ma fali Zoti një djalë. Në qershor të vitit 2007 me mëngjes e mora djalin me e çu në mal e me i tregu se ku i kanë pas trojet gjyshërit e stërgjyshërit. Kur dolëm tu ia tregu trojet, kur kemi hy në Kabash i kemi dëgjuar dy mamxerre nga vendi ku është si xhehnem. Grykat e malit bën që në gjithë malin të dëgjohen ato të shtëna”, rrëfen i moshuari nga Prizreni.

plaku sepate

Ai thotë se me tirqe në trup dhe me një sëpatë në krahë kishte marrë rrugën drejtë malit.
“Arusha me dy këlyshë, nuk ka mujtë me i gjetë se prej ku kanë gjujt ata. Ajo ka marrë ikën duke e lyp se kush e sulmoi. Unë me djalin isha ende në mal. Duke ardhë poshtë malit, i kisha dy qen me vete. Arusha na pa neve, edhe u mësy këtej nga ne. Unë i thash Ylberit të fshihet pas një lisi. I thash du me dal atje, e ta mbys arushë. Jo që deshta me e mbyt unë arushën, po thash më mirë le të më mbysë mu ae të shpëtojë djali. Të paktën të shpëtojë një bimë e Avdyl Gegës”, thotë ai.

Më tej 81-vjeçari, Avdul Gega, tregon për momentin ku është ballafaquar me arushën. Thotë se ajo kishte qenë gjigande.

“Arusha shumë e madhe, leshin, mos ta flasim. Dushk i madh. Kur është afruar tek unë e është çuar me këmbë para, veç më ka ndihmua Zoti, e t’ia kam llullë ndërmjet dy syve. Ja lypa pikën e dobët për me shpëtuar djalin anej. E kam sakicën, për qejf e marr në mal, biles rruhem edhe me të, aq që e ruaj. Ajo sakice ka hy në ashtin e arushës, tehu i sakic. Kur e ka hap gojën me e futë kokën time, mu ka dok vetja si mizë, aq i vogël që u doka karshi saj”.

plaku sepate 2

Por nga e gjithë kjo situatë plaku nga Prizreni nuk doli pa pasoja. Atij iu helmua gjaku pas gërvishtjeve që kishte marrë. Si rrjedhojë e kësaj kishte qëndruar për disa javë në spital.

“Më ka kap pastaj me thonj në këmbën e djathtë. Por qentë që i kisha me vete më kanë ndihmuar. Djalin e shpëtova. Qentë e mbytën edhe këlyshin e arushës. Disa ditë pas saj kam qëndruar në spital, prej gërvishjeve të arushës më është helmuar gjaku”, rrëfen për ngjarjen plaku nga Korisha e Prizrenit, shkruan Express.

E djali i tij i vetëm, Ylberi, tashmë i ka mbushur 22 vite jetë. Ai sipas bacës Avdyl e mban mend shumë mirë gjithë ngjarjen. Ylberi punon në ndërtimtari.

plaku ok

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: