Dashnor Kaloçi/ Kjo është historia e panjohur e një prej piktoreve të para në Shqipëri, Çezarina Daragjati Canco, pinjolle e një prej familjeve aristokrate më të pasura dhe fisnike të qytetit të Shkodrës, e cila pasi kishte studiuar në qytetin e Dubrovnikut, u kthye në qytetin e lindjes dhe morri mësime private nga dy mjeshtrit e mëdhenj të penelit, Kol Idromeno e Simon Rrota. Dëshmia e të birit, 80-vjeçarit, Zhani Cano, për historinë e nënës së tij, së cilës Sigurimi i Shtetit në vitin 1947 i mbyti në tortura, vëllanë, Simonin, dhe ajo gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës nuk pranoi të pikturonte dhe ekspozonte asnjë tablo të realizmit socialist…

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Nëna ime Çezarania Daragjati e cila kishte studiuar në Dubrovnik të Kroacisë dhe kishte marrë mësime private për gjashtë vite me radhë në qytetin e Shkodrës nga dy kolosët e mëdhenj të pikturës shqiptare Kol Idromeno e Simon Rrota, nuk e lëshoi penelin nga dora deri në fund të jetës së saj. Pak ditë para se të ndahej nga jeta, aty nga fillimi i vitit 1991 kur ajo ishte në moshën 81 vjeçare, m’u drejtua mua duke më thënë: “Zhani, do të bëj një buqetë me lulet e diellit” dhe pas kësaj menjëherë hapi kavaletin dhe përgatiti penelat e bojrat e vajit. Ajo kujtonte se kishte forca për të punuar ashtu si në vitet e shkuara në rininë e saj, por sapo hodhi ngjyrat e para në telajo, e ndërpreu punën e më tha se do ta vazhdonte njëherë tjetër atë tablo dhe e la kavaletin ashtu të hapur. Por ajo nuk mundi që ta vazhdonte më atë punë të porsafilluar, sepse vetëm pas pak ditësh u nda nga jeta”. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al, është 80-vjeçari Zhani Canco, ish-piktor-arkitekt i Kinostudjos “Shqipëria Sot”, i dilpomuar në Bukuresht të Rumanisë, i cili rrëfen gjithë historinë e nënës së tij, Çezarina Daragjati (Canco) njëra nga piktoret e para shqiptare nga qyteti i Shkodrës, që ndonëse nuk e leshoi penelin nga dora deri në moshën 81-vjeçare, nuk pranoi që të ekspozonte asnjëherë gjatë periudhës së realizmit socialist.

Familja Daragjati
Çezarina Daragjati u lind në vitin 1910 në një familje të njohur qytetare shkodrane e cila asokohe merrej me tregti dhe banonte diku në fillim të rrugës Fushë-Çelë, që konsiderohej një nga rrugët më të bukura të atij qyteti e ndërtuar prej austriakëve. Babai i Çezarinës, Gaspër Daragjati, pasi kishte mbaruar studimet në Stamboll, ishte kthyer në qytetin e Shkodrës dhe kishte hapur një aktivitet tregtar nga i cili nxirrte të ardhura të konsiderueshme. Ndërsa bashkëshortja e tij dhe njëkohësisht e jëma e Çezarinës, quhej Angje dhe ishte bijë nga fisi i njohur i Dedëvukajve, që njihej më shumë prej Dedës së Shan Dedës, i cili kishte marrë pjesë në krye të përfaqësisë shkodrane në Lidhjen e Prizrenit. Çezarina kishte dhe dy motra të tjera më të vogla se veten, Agetinën dhe Domenikën, si dhe dy vëllezër, Simonin e Guljelmin. Duke qenë se Gaspër Daragjati vdiq shumë i ri, pesha e familjes i ra gruas së tij, Angjes, e cila u kujdes jo vetëm për rritjen e fëmijëve, por edhe për shkollimin e tyre. Lidhur me këtë, i biri i Çezarinës, Zhani Canco, dëshmon: “Vëllai i nënës sime, Simon Daragjati, pasi mori mësimet e para në vendlindjen e tij në qytetin e Shkodrës, shkoi në Itali ku dhe mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Barit. Më pas ai fitoi një të drejtë studimi dhe shkoi në Paris, ku u diplomua me rezultate të larta për Ekonomi. Pas diplomimit, Simon Daragjati u kthye në qytetin e tij të lindjes ku vazhdoi të merrej me aktivitet tregtar ashtu si dikur i jati i tij. Duke qenë se ishte nga një familje e pasur dhe me bindje antikomuniste, nga fillimi i vitit 1947 Simoni u arrestua nga Sigurimi i Shtetit dhe vdiq nën tortura në një nga qelitë e improvizura të Degës së Brendshme të qytetit të Shkodrës. Ndërsa i vëllai tjetër i Çezarinës, Guljelmi, i cili kishte kryer mësimet e shkollës së mesme bashkë me Simonin në qytetin e Barit, më pas vazhdoi studimet e larta dhe u diplomua për Ekonomi në qytetin e Torinos. Aty nga viti 1943, Guljelmi u kthye në qytetin e Shkodrës ku vazhdoi të merrej me aktivitetin tregtar të familjes, duke qenë përfaqësues i firmës italiane të pijeve “Martinirosi”. Në fundin e vitit 1944, Guljelmi u nis për në Itali së bashku me bashkëshorten e tij italiane që priste të lindëte dhe nuk u kthye më në Shqipëri, duke menduar se do të përfundonte ashtu si i vëllai i tij, Simoni”, dëshmon Zhani Canco lidhur me origjinën dhe familjen e nënës së tij, Çezarinës.

Nxënëse me mjeshtrat Idromeno e Rrota
Ndryshe nga sa kishte bërë me dy djemtë e saj Simonin dhe Gulejlmin të cilët i kishte shkolluar për Ekonomi në Francë dhe Itali, Angje Daragjati u kujdes që tre vajzat e saj të cilat kishin marrë mësmiet e para në Kolegjin e Motrave Stigmatine të qytetit të Shkodrës, të shkolloheshin në Kolegjin e famshëm të Dubrovnikut në Kroaci. Pas mbarimit të atij kolegji që njihej dhe konsiderohej si një nga më prestigjozët e Ballkanit dhe drejtohej nga murgeshat austriake, Çezarina Daragjati me dy motrat e saj u kthyen në qytetin e Shkodrës. Me kthimin e të bijave, ajo që i ra më shumë në sy nënës së tyre, ishte prirja dhe talenti që kishte shfaqur Çezarina për vizatimet. Lidhur me këtë, Zhani Canco dëshmon: “Prirjet për vizatimin, nëna ime, Çezarina, i kishte marrë nga murgeshat austriake gjatë viteve të shkollës në Kolegjin e Dubrovnikut, ku në programet e asaj shkolle përveç lëndës së vizatimit që shihej tradicionalisht si prioritare, zhvilloheshin gjithashtu edhe lëndë të tjera si ajo e muzikës dhe arti i kulinarisë. Sigurisht që krahas këtyre lëndëve të cilave u jepej mjaft prioritet në atë shkollë, aty zhvilloheshin edhe lëndë të tjerë të kulturës së përgjithshme si letërsia, historia, gjeografia etj. Pasi gjyshja ime Angje Daragjati u bind plotësisht për prirjet që kishte e bija e saj, Çezarina, për vizatimet, ajo e mori atë dhe shkuan për tu takuar me piktorin e skulptorin e famshëm shkodran, Kol Idromenon, i cili gjithashtu njihej edhe si një arkitekt e fotograf mjaft i zoti. Mjeshtri madh Idromeno pasi i pa vizatimet e Çezarinës, e mori atë në provë dhe shumë shpejt krijoi bindjen për talentin e saj. Pas kësaj ai pranoi që t’i jepte asaj mësime pikture privatisht duke parë tek Çezarina një vajzë të talentuar dhe me të ardhme në artin e bukur të pikturës. Kol Idromeno iu përkushtua asaj duke i sjellë edhe revista e libra të ndryshme pikture si edhe literaturë e metoda bashkëkohore të mësimeve teorike. Kështu për afro dy vjet me rradhë nëna ime mori mësime vizatimi nga mjeshtri i madh i pikturës shqiptare, i cili nuk nguronte ta shfaqte hapur kënaqësinë për talentin e nxënëses së tij. Mirpo pas dy vitesh, nëna ime, Çezarina, u detyrua që të shkëputej nga profesori i saj, për arsye se në atë kohë mjeshtri Idromeno, kishte mjaft kërkesa nga familjet shkodrane për projektimin e banesave të reja që filluan të ndërtoheshin asokohe në atë qytet. Kështu që duke mos e përballuar dot ngarkesën e madhe me punë, Kol Idromeno i rekomandoi gjyshes sime, që Çezarina të vazhdonte pikturën me mjeshtrin tjetër shkodran, piktorin e njohur, Simon Rrotën, i cili ishte diplomuar për pikturë pranë Akademisë së Arteve të Bukura të Gracit në Austri. Edhe Simoni e priti mjaft mirë Çezarinën, e cila për katër vite vazhdoi të studionte privatisht pranë mjeshtrit të shquar shkodran që ashtu si Idromeno, e vlerësonte mjaft talentin e nxënëses së tij. Atë periudhë që ajo qëndroi pranë mësuesit të saj Simon Rrota, ishin vitet më produktive të saj, sepse ajo kishte fituar mjaft përvojë dhe në punët e saj shprehte realitetin e pasqyruar me mjaft emocione të brendshme të shpirtit të saj prej artisteje të vërtetë. Në ato vite Çezarina realizoi disa nga punët më të mira të saj si në teknikën e vajit, ashtu dhe në vizatimet me karbon, të cilat janë vlerësuar mjaft nga piktorë të ndryshëm të asaj kohe dhe e pasuruan ndjeshëm fondin e punëve të saj. Nga dy profesorët e saj të famshëm, Idromeno e Rrota, Çezarina u njoh me kollosët e mëdhenj të pikturës italiane, franceze e angleze. Në atë kohë me porosi të profesorit të saj të gjuhës frënge në gjimnazin klasik të qytetit të Shkodrës, francezit Paul Guzhon-it, Çezarina realizoi mjaft riprodhime të mjeshtrave të mëdhenj të shkollës klasike franceze si Vigee Le Brun. Roza Boquer etj.”, dëshmon Zhani Canco.

1945 – 1990 asnjë pikturë në ekspozita
Edhe pse u shkëput nga profesori i saj Simon Rrota me të cilin mësoi për katër vite, Çezarina Daragjati e vazhdoi përsëri pikturën duke punuar në shtëpinë e saj. Ajo kishte kënaqësi që të ndiqte ndonjë shkollë pikture jashtë shtetit. Por edhe pse nuk iu dha mundësia që të studjonte më tej, Çezarina nuk hoqi dorë për asnjë moment nga pasioni i saj për pikturën dhe vazhdoi të punonte me të njëjtën kënaqësi ashtu si dikur në rininë e saj. Pasionin e saj ajo e vazhdoi edhe pas vitit 1937, kur u martua me Gjergj Cancon, ish mësuesin e Gjimnazit Klasik të qytetit të Shkodrës, i cili ia nxiti akoma dhe më shumë pasionin e saj për pikturën. Me bashkëshortin e saj Cancon, Çezarina jetoi në qytetin e Shkodrës deri në vitin 1945 dhe pas atij viti ata erdhën dhe u vendosën në Tiranë, ku Gjergji u emërua me detyrën e Drejtorit të Shkollës Teknike (Politeknikumi “7 Nëntori”). Pas vitit 1945 Çezarina u dëshpërua mjaft pas dy goditjeve të forta që pati familja e saj me vdekjen tragjike të vëllait, Simonit, që u shpall armik i popullit dhe humbjen e vëllait tjetër Guljelmit, i cili mbeti përgjithmonë jashtë Shqipërisë në Itali. Që nga ajo kohë Çezarina u mbyll brenda në shtëpi dhe nuk u angazhua asnjëherë në asnjë lloj punë shtetërore, duke menduar hijen e keqe të luftës së klasave që mund t’i shkaktonte asaj probleme të reja. Lidhur me këtë, i biri, Zhani Canco, dëshmon: “Ajo vazhdoi të pikturonte përsëri dhe nga punët më të spikatura të saj, janë ato të portreteve të dy prindërve të saj, e gjithashtu dhe vjehrrit e vjehrrës (Zisi e Parashqevi Canco) të cilët ajo i donte dhe i respektonte pa masë. Po kështu nga të gjitha punimet e saj në fondin e familjes sonë kemi mundur të ruajmë rreth 40 punime, ku nga më të spikaturat janë disa portrete dhe natyra të qeta me lule shumëngjyrshe, të cilat ajo i ka punuar me mjaftë dashuri dhe duket sikur brenda tyre ajo ka vënë diçka nga bota e saj. Po kështu në familjen tonë kemi ruajtur edhe shumë riprodhime të saj nga mjeshtrat e mëdhenj të shkollës klasike italiane, gjermane, franceze e angleze”.

Çezarina Daragjati vazhdoi të punonte në telajo dhe nuk e hoqi kurrë penelin nga dora edhe në vitet e fundit të jetës së saj, kur kishte arritur të tetëdhjetat. Lidhur me këtë, i biri, dëshmon: “Pak ditë para se të ndahej nga jeta aty nga fillimi i vitit 1991 kur ajo ishte në moshën 81 vjeçare, m’u drejtua mua duke më thënë: “Zhani, do të bëj një buqetë me lulet e diellit” dhe pas kësaj menjëherë hapi kavaletin dhe përgatiti penelat e bojrat e vajit. Ajo kujtonte se kishte forca për të punuar ashtu si në vitet e shkuara në rininë e saj, por sapo hodhi ngjyrat e para në telajo, e ndërpreu punën dhe më tha se do ta vazhdonte njëherë tjetër atë tablo duke e lënë kavaletin ashtu të hapur. Por ajo nuk mundi që ta vazhdonte më atë punë, sepse vetëm pas pak ditësh u nda nga jeta”, kujton I biri ditët e fundit të jetës së nënës së tij, Çezarina Daragjatit, piktores së famëshme shkodrane e cila ndonëse kishte marrë mësime nga dy mjeshtrat e mëdhenj e kolosët e pikturës shqiptare, Kol Idromeno e Simon Rrota, nuk ekspozoi asnjëherë në periudhën e realizmit socialist. Ëndrra e saj u bë realitet vetëm pas viteve ’90 kur punimet e saj u ekspozuan dy herë në ekspozita të ndryshme dhe u pritën me mjaft interes si nga kritika ashtu dhe nga shikuesit e shumtë.

8 mars 2003, Ekspozita e Çezarinës në Galerinë e Arteve
Ëndrra e Çezarina Daragjatit për një ekspozitë vetaike u bë realitet vetëm pas viteve ’90-të kur punimet e saj u ekspozuan dy herë në ekspozita të ndryshme dhe u pritën me mjaft interes si nga kritika ashtu dhe nga shikuesit e shumtë. Kurse ekspozita e parë vetiake e saj do të hapej vetëm më 8 mars të vitit 2002 në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, e cila u realizua në kuadrin e 8 marsit ditës ndërkombëtare të gruas që organizohej nga Ministria e Rinisë Kulturës dhe Sporteve në bashkëpunimim me Galerinë Kombëtare të Arteve. Kështu në një nga sallat e kësaj galerie u çel ekspozitë e titulluar “My Changes” në kujtim të Çezarina Daragjati Canco, ku në prani të shumë dashamirësve të artit, artistëve, piktorve të njohur dhe personaliteteve të kulturës, fjalën e hapjes së asaj ekspozite e mbajti kuratorja e Galerisë së Arteve, Suzana Kuka Varvarica, e cila nxorri në pah rolin e grave piktore shqiptare ndër vite. Në një nga sallat kryesore të asaj galerie, ishin ekspozuar 40 punime të piktores së famshme shkodrane Çezarina Daragjati dhe në sallat e ndryshme ishin ekspozuar punimet e piktoreve të tjera shqiptare që jetonin dhe ishin të pranishme në atë ekspozitë. Gjithashtu në stendat e kësaj ekspozite ishin ekspozuar dhe disa nga librat e piktores së famshme shkodrane dhe veglat e saj të punës, si penela, kavaleti dhe bojra të ndryshme, të cilat u ndoqën me interes nga vizitorët e shumtë./ Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb