Historia e pabesueshme e një burri nga Kukësi u trajtua në “Ftesë në 5”. 50-vjeçari Izet Onuzi kishte humbur duart dhe këmbët gjatë një aksidenti me tren, 25 vite më parë.

Izeti tregoi se si makina ku po udhëtonte bashkë me katër persona të tjerë përfundoi në shinat e trenit dhe pas përplasjes tre personat shpëtuan shëndoshë e mirë, por mbi trupin e tij kaluan 11 vagona treni, duke e dëmtuar rëndë.

“Sa dolëm te shinat e trenit, nuk e pashë fare makinën, në momentin që kam parë trenin duke ardhur kam thirrur shoferin që ‘jemi’. Në moment shoferit iu fik makina, pastaj kam dalë pa vetëdije dhe kam rënë në shina. Makinën e ka larguar treni, unë kam rënë mes shinave, 11 vagona. Ka ndaluar treni, po të kishte ecur edhe një metër vagoni tjetër, do të ishte bërë edhe më shumë.

E kam parë veten time të dëmtuar, erdhi vëllai, i thashë që jam mirë. E pashë që jam i dëmtuar, por jo i vdekur. Vëllai ishte në makinë me mua, kur e pashë atë gjallë thashë shyqyr që kanë shpëtuar ata, se ishte me dy miqtë e tij. Ai më dërgoi në spital, ku ndenja një muaj dhe dola”, tha ai.

Izeti falënderoi Zotin që nuk i mori jetën dhe i dha forcë për të nisur një jetë të re, për të punuar e për të krijuar familje. Sot baba i lumtur i dy fëmijëve, 50-vjeçari lëviz e kryen aktivitete të ndryshme falë protezave, madje ka krijuar një shoqatë që ju vjen në ndihmë të gjithë atyre që kanë probleme të njëjta.

“Nuk kam pas një dhimbje të madhe në trup, por morale, psikologjike. I madhi Zot më dha fuqi të madhe, kisha kurajo të madhe të ecja. Tri ditët e para ishin …, pastaj mora një vendim, më dha Zoti fuqi, dhe doja që edhe unë të ecja. Ishte pak e pabesueshme kjo puna e protezave, por pasi ma shpjeguan, m’u dha shpresë e madhe për këtë punë. Pas kësaj kam qenë shumë aktiv, kam punuar shofer me karrocë kali. Nuk është se kam bërë ndonjë punë të madhe, por mendja më thoshte të punoj”, shtoi 50-vjeçari.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb