Kërcënohej nga një 17-vjeçar për publikimin e një videoje, 16-vjeçarja nga Berati i jep fund jetës duke u vetëhelmuar me fostoksinë.

“BalkanWeb” mëson se adoleshentja është përcjellë mesditën e sotme për në banesën e saj të fundit. Adela Çaçi, dy ditë më parë helmoi veten me fostoksinë, pasi nuk duroi dot shantazhet që prej javësh i vinin me sms në telefonin e saj nga një 17-vjeçar.

Mes dhimbjesh e lotësh, familjarë, miq, të afërm e nxënës shkolle, shoqëruan kortezhin funebër për në varrezat e fshatit Duhanas, ku edhe jetonte vajza me familjen e saj.

Adela Çaci, ishte nxënëse në Shkollën e Mesme Profesionale të qytetit të Beratit, në vitin e parë. Edhe kërcënuesi i saj, David Kovaçi, tashmë i arrestuar nga policia, ishte nxënës në të njëjtën shkollë me vajzën.

Për familjarët dhe të afërmit e Adelës, lajmi për vetëhelmimin e saj ishte tronditës dhe krejt i papritur, pasi askush nuk e kishte kuptuar gjendjen depresive të vajzës dhe askush nuk dinte se ajo kërcënohej nga një djalë. Komshinjtë dhe të afërmit e Adelës pohojnë se, familja e saj ishte mjaft punëtore dhe se të dy prindërit punonin çdo ditë në arë për të shkolluar Adelën dhe 2 motrat e saj. Ata shprehen se, 16-vjeçarja ishte një vajzë e edukuar dhe e urtë dhe se, lajmi i kobshëm i ka tronditur pa masë të gjithë ata që e njihnin.

Drejtori i Shkollës së Mesme Profesionale në Berat, Ferik Koçi, shprehet se ,nxënësja Adela Çaçi ishte një nxënëse e dalluar, e urtë dhe asnjëherë nuk kishte sjellë shqetësime në klasën e saj dhe në shkollë. Koçi pohon se, Adela nuk kishte shfaqur asnjë shenjë depresioni dhe shqetësimi tek mësuesit dhe psikologët e shkollës. Në lidhje me kërcënimet që i vinin çdo ditë nga 17-vjeçari David Kovaçi, drejtori i shkollës pohon se, ai dhe mësuesit nuk kanë qenë në dijeni dhe sepse vajza nuk ishte në të njëjtën klasë me djalin. Sipas tij, njohja mes tyre mendohet të ketë ndodhur gjatë aktiviteteve jashtëshkollore, ku të dy merrnin pjesë.

Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat, nëpërmjet një komunikatë për shtyp ,njoftuan edhe arrestimin e 17-vjeçarit David Kovaçit, banues në lagjen “Kushtrim” në Berat që, sipas policisë, e kishte përndjekur prej disa ditësh vajzën me mesazhe telefonike kërcënuese. Kovaçi do të përballet tashmë me akuzën e “Përndjekjes” në Gjykatën e të miturve.

Ky nuk është rasti i parë i vetëhelmimeve në këtë shkollë. Në 27 Tetor 2016, 17-vjeçari P.Xhaferraj, nga fshati Tomorr, helmoi veten me fostoksinë pasi nuk duroi dot talljet e vazhdueshme nga shokët e klasës që i thërrisnin “fshatar”, për shkak të origjinës së tij nga fshati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb