TIRANE

Në emisionin “Me zemër të hapur”  këtë herë trajtohet historia e dy bashkëshortëve Festim dhe Elida Selika, të cilët janë rrahur me sende të forta në banesën e tyre nga 3 persona që kishin shkuar për një sqarim. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gjeroven të Njësisë Administrative Velabisht, në Berat, në sy të dy fëmijëve të mitur 4 dhe 3 vjeç.


Pak përpara se tre personat të shkonin në banesën e familjes Selika, e kanë parë kryefamiljarin Festim Selika duke pirë kafe në një lokal në fshatin Velabisht me nipin e tij, me të cilin ata kanë pasur një konflikt të mëparshëm. Duket se kjo kafe ka qenë edhe sebepi i sherrit që ka ndodhur në banesën e çiftit Selika ku 3 personat, njëri prej të cilëve bashkëfshatari i tyre, i kanë kërkuar llogari Festimit se pse po pinte kafe me personin që ata ishin në konflikt.


Në debat e sipër ata kanë qëlluar disa herë në kokë Festimin, i cili ka rënë pa ndjenja. Pasi ka ndërhyrë gruaja e tij, Elida ata e kanë goditur edhe atë me gur në kokë dhe pasi e kanë përplasur disa herë në mur, e kanë qëlluar me shkelma e grushta në trup.


Pasi 3 agresorët janë larguar, Elida ka njoftuar policinë dhe çifti është dërguar me hematoma të shumta në Spitalin Rajonal të Beratit. Gruaja ka marrë 3 çarje të thella në kokë dhe plagë të shumta në trup, ndërkohë që bashkëshorti i saj është në gjendje më të mirë shëndetësore. Duke treguar të gjithë ngjarjen që terrorizoi edhe 2 fëmijët e tyre,çifti Selika kërkon nga shteti që përgjegjësit e këtij agresioni të vihen përballë drejtësisë,pasi ata pohojnë se agresorët e tyre nuk janë arrestuar dhe kjo i bën të ndihen më të kërcënuar për jetë.

“Të vi të më rrahi mua gruan dhe në sy të fëmijëve? Ka më keq sesa në sy të fëmijëve. Unë dua drejtësi në vend. Ai më vjen me nipin dhe me kunatin te shtëpia dhe më rreh në sy të kalamajve. Ai çuni kishte 2 gur një gur ia shtriu nuses një mua.  Iku nusja, më iku mendja, çunat po qanin unë më keq. Fati im dhe fati i nuses time që ishte njëri me makinë në Berat dhe me atë kam ikur. Sa kam vajtur në spital policia ka qenë atje.

Më vjen kunati më thotë ai ka mik të fortë, ndaj e ka hapur nusja në media se unë nuk doja me e nxjerr. Më ka ikur mendja, kur kam parë nusen dhe çunat të tmerruar. Për mua nuk ka drejtësi, dua që drejtësia të vijë në vend. Edhe në portal me Edi Ramën i kam dërguar dhe nuk më ka kthyer përgjigje.

S’kishte punë me gruan në sy të fëmijëve të mi.”-u shpreh Festimi në një lidhje telefonike në emisionin “Me zemër të hapur”.

Nga ana tjetër gruaja e tij, Elida e pranishme në studion e emisionit shprehet se ndihet e pasigurtë, ndërsa shton se nuk kërkon të lërë në haesmëri as burrin dhe as fëmijët.

“Nuk dua të lë as burrin në hasmëri, as fëmijët. Kur unë ndihem e kërcënuar me të në shtëpi. Po pa të?”-u shpreh Elida.
Autorët pretendojnë se ngjarja ka ndodhur si shkak i kryefamiljarit Festim. Një nga ata, në një lidhje telefonike me emisionin pretendon se në momentin që  ka shkuar të sqarohet  Festimi ka tentuar ta qëllojë.

“Ngjarja ka ndodhur për shkak të Festimit. I thashë të sqarohemi jashtë shtëpisë, ai ka tentuar të më qëllojë me kazëm. “-tha ai.

Mjeku kirurg në Spitalin Rajonal të Beratit, Piro Leka, ka konfirmuar se çifti ka shenja dhune në trup, por më e dëmtuara nga goditjet e marra është gruaja Elida, e cila ka marrë goditje të rënda në kokë e në trup.

Në lidhje me këtë ngjarje, burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat konfirmojnë se një nga agresorët është arrestuar dhe dy të tjerët po hetohen në gjendje të lirë.

(BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb