Baba Kamber Prishta, u lind në vitin 1873, në fshatin Pagri të Përmetit. Paraardhësit e Baba Kamberit, kanë ardhur nga fshati fqinjë Hotovë dhe janë vendosur në Pagri, aty nga fillimi i shekullit XIX-të. Ata kanë qenë atdhetarë dhe besimtarë të mirë. Një xhaxha i gjyshit të tij, i quajtur Meço, ka qenë çuedar i Ali Pashë Tepelenës dhe besnik i tij, në luftën kundër Turqisë, deri sa pashait u iu pre koka. Meçoja, u arratis për disa vjet, për t’u shpëtuar ndjekjeve, por u vra në pritë. Gjyshi dhe gjyshja e Baba Kamberit, ishin besimtarë bektashinj dhe u bënë myhypë në Teqenë e Frashërit, qysh me themelimin e saj, nga i shenjti Nasib Tahir Babaj. Tre nga djemtë e tyre, përfshirë edhe të atin e Kamberit, u bënë dervishë në teqenë e Frashërit.

Por meqenëse familja kishte nevojë për punët e bujqësisë, babai i tij, Mehmeti, u emërua Dervish nderi dhe u lejua të martohej. Edhe xhaxhallarët, shërbyen si Dervishë në Teqenë e Frashërit. Më i njohuri prej tyre, Dervish Kaso, pati fatin të shërbente në kohën e Baba Alushit, i cili e ktheu Teqenë e Frashërit, në një vatër të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku organizoheshin mbledhje dhe veprimtari të rëndësishme. Baba Alushi, priste e përcillte udhëheqësin e Lidhjes, Abdyl Frashërin dhe veprimtarë të rëndësishëm të saj, në Jug të Shqipërisë. Me këto mësime të Rilindjes Kombëtare dhe të bektashizmit mëmëdhetar, u ushqye dhe u mbrujt Dervish Kamberi.
Mbas vdekjes së atit të tij shpirtëror, Dervish Kasos, Dervish Kamberi, u përpoq t’i përtëritte traditat e Teqesë së Frashërit, dhe të bektashizmit. Në vitin 1910, shoqëroi për në Haxhi Bektash të Turqisë, Baba Ahmet Turanin dhe Baba Sulejmanin e Teqesë së Gjirokastrës, që u dorëzuan gjyshër nga Kryegjyshi Botëror Fejzi Dedej, i cili ishte shqiptar. Në takimet me Kryegjyshin, Baballarët dhe personalitetet shqiptare të Turqisë, si edhe nga vizita në Siri e Liban, Dervish Kamberi, përfitoi mjaft përvojë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në vitin 1911, Dervish Kamberi u kthye në atdhe, ku kishin shpërthyer kryengritjet për liri në gjithë hapësirën shqiptare. Teqeja e Frashërit, u bë sërish vatra e lëvizjes për liri e pavarësi. Në Teqenë e Frashërit, në qershor 1912, u organizua një tubim i çetave të Shqipërisë jug-lindore dhe u ngrit komiteti kryengritës, me në krye Tajar Tetovën dhe Sali Butkën. Dervish Kamberi, e priti me gëzim shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912. Bashkë me klerikët e tjerë bektashinj, ia nisi punës për ringjalljen e bektashizmit në Shqipëri, por kjo lëvizje, nuk arriti të kurorëzohej, sepse Shqipëria u pushtua nga ushtritë greke e serbe, mandej nisi edhe Lufta e Parë Botërore.

Shqipëria e Jugut, veçanërisht Kolonja, Përmeti, Gjirokastra, Skrapari etj., u dogjën e u masakruan nga ushtria greke e andartët dhe popullsia e këtyre trevave, u shpërngul për në Vlorë. Edhe familja e madhe e Kamber Meços. Në Vlorë, ai u angazhua në ndihmën e emigrantëve në nevojë, të çfarëdo feje e krahine qofshin. Baba Ahmeti i Turanit, organizoi gjithë punën, për të ndihmuar mijëra të shpërngulurit në ullishtat e Vlorës, madje ngriti një kazan të madh, që gatuante për familjet në skamje e mjerim. Por mungesa e kushteve higjenik, bëri që të shpërthente kolera, e cila çoi në varr me qindra njerëz dhe sidomos fëmijë. Nga familja e madhe e Meçove, humbën 13 frymë, midis tyre edhe i ati, motra dhe nipër e mbesa të Dervish Kamberit, i cili u prek edhe vetë nga kjo sëmundje dhe mezi mundi të shpëtonte, falë kujdesit të vëllait të tij, Hasanit dhe të Baba Ahmetit.

Në fund të Luftës Parë Botërore, Dervish Kamberi, shkoi në SHBA-së, për të mbledhur ndihma nga bashkëkombësit për ringritjen e teqeve të shkatërruara nga lufta. Atje u prit mirë nga bashkatdhetarët, në mënyrë të veçantë nga Federata “Vatra” dhe drejtuesit e saj, Konica e Noli. Në vitin 1920, ai u takua në Amerikë edhe me bashkëpatriotin e tij, Mid’hat Frashërin, i cili bënte një vizitë atje, për të siguruar mbështetje politike për Shqipërinë dhe për një ndihmë për shtetin e ri shqiptar. Ndërsa Mid’hati, u nis për në Paris, si kryetar i delegacionit në Konferencën e Paqes, Dervish Kamberi u kthye në Shqipëri në vitin 1921.

Krerët e bektashizmit në Shqipëri, bënë shumë përpjekje për organizimin e institucioneve të fesë bektashiane dhe pavarësimit të tyre, tashmë që shteti shqiptar merrte në mbrojtje e garantonte besimet fetare, sipas statusit të Kongresit të Lushnjës. Në këtë lëvizje të rëndësishme fetare dhe kombëtare, ka ndihmësuar edhe Baba Kamberi. Ai mori pjesë aktive në organizimin e Kongresit të Parë të Bektashizmit, që u mbajt më 17.01.1921 në Teqenë e Prishtës në Skrapar. Në këtë kongres, Dervish Kamberi, u emërua Baba dhe Gjysh i Teqesë së Prishtës nga Baba Ahmet Turani, i cili drejtonte kongresin. Këshilla Atnore, si organi më i lartë i Klerit Bektashian, hartoi Statutin Bektashian, që u miratua edhe nga Parlamenti Shqiptar.

Në Teqenë e Prishtës, Baba Kamberi u shqua si një simbol, por edhe një misionar i Bektashizmit. Teqeja e Prishtës, u bë një qendër e rëndësishme, jo vetëm e bektashizmit, por edhe e patriotizmit dhe e njerzillëkut. Baba Kamberi, ndihmonte gjithë ata nevojtarë që e vizitonin teqenë, por edhe të varfrit e të vuajturit, pavarësisht nga përkatësia fetare apo krahinore. Prandaj edhe ai u mbiquajt “Prishta”. Po ashtu, ai u shqua edhe për administrimin e Teqesë së Sukës, një nga më të njohurat në vend, me një pasuri prej 222 ha tokë, shumë bagëti e pendë qeshë.
Baba Kamberi, udhëhiqej nga mësimet e Naim Frashërit, edhe ai bektashi i shquar, i cili thoshte: “Bektashinjtë janë vëllezër jo vetëm midis tyre, por edhe me krejt njerëzimin. Ata duan me gjithë shpirt myslimanët e tjerë dhe të krishterët dhe shkojnë mirë me të gjithë njerëzit. Por mbi çdo gjë, ata dashurojnë atdheun dhe bashkatdhetarët e tyre dhe ky është më i madhi i gjithë virtyteve”.

Baba Kamber Prishta, ndihmësoi në organizimin e drejtimin e kongreseve të tjerë të bektashizmit në Shqipëri, si në atë të Gjirokastrës, më 8 korrik 1924 dhe në kongresin e tretë, në Teqenë e Turanit të Korçës, më 26 shtator 1929. Ky kongres, më i rëndësishmi në historinë e bektashizmit, u dominua nga fryma kombëtare dhe ajo e institucionalizimit të bektashizmit shqiptar. Kongresi, u zhvillua nën kryesinë e Baba Kamber Prishtës, që luajti një rol të rëndësishëm, si në vendimet themelore për bektashizmin, ashtu edhe në hartimin e miratimin e statusit të bektashizmit, që përcaktohej qartë, si sekt i fesë myslimane. Në statut, veç të tjerash, theksohej se klerikët bektashianë, duhet të jenë shtetas të Shqipërisë, me gjuhë e gjak shqiptari.

Në artikullin 3, thuhet se; gjuha zyrtare dhe fetare e sektit, është shqipja. Në art. 58, sanksionoheshin qendrat, titulluar të gjyshërve dhe gjyshërit përkatës. Gjithashtu, në statut, theksohej shprehimisht: “Deri sa të zgjidhet Kryegjyshi, në konformitet me dispozitat e art. 27, zgjedh zëvendës kryegjysh, hirësinë e tij, Gjysh, Kamber Ali Prishtën”. Por një nga arritjet kryesore të këtij kongresi dhe një nga meritat e mëdha të zv/kryegjyshit, Kamber Prishtës, ishte vendimi për të krijuar Kryegjyshatën Bektashiane, me qendër në Shqipëri si edhe zgjedhja dhe thirrja nga ana e Këshillit Gjyshnor të Sali Njazi Dedejt, si Kryegjysh Botëror. Siç dihet, në vitin 1923, ishte ndaluar në Turqi “Urdhri Bektashian” dhe ishin mbyllur teqetë bektashiane.

Kështu që, Kryegjyshi Botëror Sali Njazi Dedej, me ftesë të gjyshërve e baballarëve të Shqipërisë, u largua nga Qendra Botërore e Bektashizmit në Turqi dhe u kthye në atdhe. Erdhi, siç thuhet, me rrobat e trupit, por me idenë për ta vendosur Qendrën Botërore në Shqipëri. Qendra e saj, u vendos në Teqenë e Turanit dhe në fund të vitit 1930, ajo u zhvendos në Teqenë e Melçanit, Korçë. Këshilli i Ministrave të Mbretërisë së Zogut, miratoi statutin (rregulloren) e dalë nga Kongresi III-të, duke i dhënë fuqinë ligjore të shtetit shqiptar. Në mars 1930, Mbreti Zog I-rë, dekretoi emërimin e Hirësisë së Tij, Sali Njazi Dede, Kryegjysh të Sektit Bektashian Shqiptar dhe e ftoi ta ngrinte Selinë e Shenjtë në Tiranë. Dede Saliu, e bleu këtë vend që e ka bekuar Zoti dhe ndërtoi Kryegjyshatën, duke u bërë themeluesi i saj.

Në kohën e Mbretërisë, bektashizmi shënoi përparime të mëdha, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në trevat shqiptare të shkëputura nga trungu shqiptar, veçanërisht në Kosovë (Gjakove, Tetovë, Kërçovë), por edhe më gjerë, si në Turqi, Egjypt, Irak, Greqi etj. Por qendra e Bektashizmit Botëror ishte në Shqipëri, nga drejtohej e gjithë veprimtaria bektashiane botërore, me në krye Sali Njazi Dedenë. Rol të rëndësishëm, ka luajtur Baba Kamberi, i cili u dekorua nga Mbreti Zog me “Urdhrin e Skënderbeut”. Një goditje mori bektashizmi, në kohën e pushtimit fashist. Akti më i rëndë, ishte vrasja e kryegjyshit Sali Njazi Dedej, nga italianët, ditën e shenjtë të 28 nëntorit 1941.

Arsyeja ishte se; Kryegjyshi, nuk u bë vegël e pushtuesve, nuk pranoi subvencionet e Italisë dhe e mbajti ndezur flakën e patriotizmit e të bektashizmit. Fakti që Kryegjyshata, u bë qendra e manifestimeve të 28 nëntorit 1939, ku demonstruesit antifashistë, bashkë me Kryegjyshin, u betuan mbi varrin e Naim Frashërit, fakti tjetër që; Dede Saliu, shpalli ditë zije ditën e vrasjes nga italianët të Baba Abazit të Teqesë së Rabijes, me shtatë Dervishë (viti 1940) me fjalët: “Sot është ditë zije. Duhen 24 orë lutje e falje, për këta heronj të rrugës sonë”! Fakti tjetër që; Kryegjyshi, refuzoi të firmoste një mesazh të komuniteteve fetare, drejtuar Musolinit në tetor të vitit 1941, që e kishin firmosur kryetarët e komuniteteve të tjera, por që i ishte përgjigjur prerë Jakomonit, një muaj para se ta vrisnin.

“Unë kam një Këshill Gjyshnor”, pra këto fakte e të tjera, ishin të mjaftueshëm që fashistët ta eliminonin fizikisht Kryegjyshin atdhetar, Sali Dedej, siç vërtetohet nga dokumentet arkivore. Por goditjen më të madhe e mori bektashizmi dhe të gjitha fetë në Shqipëri, në kohën e komunizmit. Madje qysh gjatë Luftës civile që e provokoi Partia Komuniste Shqiptare dhe e bekuan jugosllavët. Komunistët, e përçanë dhe e goditën Klerin Bektashian. Disa krerë të tij, u bashkuan me komunizmin, morën pjesë në luftë dhe morën poste të larta dhe grada ushtarake, (kolonelë) në kundërshtim me statusin e sektit bektashian. Përpjekja e tyre, ishte t’ia përshtasnin bektashizmin komunizmit dhe ta vinin Klerin Bektashian, në shërbim të regjimit komunist.

Ata që nuk iu nënshtruan kësaj politike, u vranë, si Baba Zylfoja, që u ther në Teqenë e Turanit, në vitin 1943, Baba Murat Frashëri, po më 1943, Baba Qamil Gllava, u pushkatua më 1945, Baba Ali Tomorri, Baba Bedri Cakrani, Baba Shefqet Koshtani, u pushkatuan më 1948-ën dhe dhjetëra të tjerë, që vdiqën burgjeve e internimeve. U ndalua feja, u mbyllën teqetë e tyrbet, u sekuestruan pronat e tyre, u persekutuan klerikët, por edhe besimtarët. Po ç’ndodhi me baba Kamber Prishtën? Ai qëndroi besnik i fesë bektashiane dhe i atdheut, njëherësh edhe kundërshtar i kolerës së komunizmit. Ai nuk pranoi të ikte nga Shqipëria, si mjaft të tjerë, për t’i shpëtuar gijotinës komuniste.
Kur erdhi Baba Rexhepi në Kryegjyshatë, në tetor 1944, dhe i kërkoi Dede Kamberit të bashkohej me të, për në mërgatën politike, “sepse komunistët nuk e duan Zotin dhe njerëzit e Zotit”, Kryegjyshi, nuk pranoi. Të dy kishin të drejtë. Baba Rexhepi, kishte luftuar kundër komunistëve dhe ata e kërkonin kokën e tij. Ndërsa Baba Kamberi, ishte Kryegjysh Botëror dhe s’mund ta braktiste Kryegjyshatën dhe besimtarët. Edhe kur iu lut Baba Mustafai, miku i tij i ngushtë: “Të ikim me të tjerët se do ta pësojmë”, Dede Kamberi, iu përgjigj: “Deri këtu ishim bashkë, tani ndahemi dhe hejbet merri me vete, se unë s’dua ndonjë send, se mehybet e mi, kanë ardhur mbas meje e teje dhe ne s’mund të lemë vatanin, e të ikim në Evropë, si politikanët. Ne kemi qenë myrshid e rehber dhe unë nuk mund të bëhem edhe i braktisur nga atdheu. Mos e dhëntë Zoti”!

Dhe nuk e braktisën. Të dy Baballarët qëndruan. Por panë me sytë e tyre, çfarë tragjedie ndodhi me bektashizmin, me popullin dhe me atdheun e tyre. Baba Kamberin, e arrestuan më 28 prill 1945, po ashtu edhe Baba Mustafa Canaj, menjëherë sapo komunistët morën pushtetin. Pesë muaj në hetuesi, tortura dhe poshtërim nga Sigurimi i Shtetit. Më 3 shtator 1945, Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës, e dënoi në moshën 72 vjeçare, me 15 vjet heqje lirie dhe heqjen e të drejtave qytetare e politike, si edhe sekuestrimin e pasurisë, me akuzën: “Deklarohet fajtor për krimin se, ka qenë pjesëtar koshient në organizimin dhe forcimin e organizatës tradhtare të ‘Ballit Kombëtar’, bashkëpunëtor i ngushtë, i eksponentit Ali Këlcyra. Ka bërë propagandë në dëm të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Ka transferuar në çerdhe tradhtarësh, e armiqsh Teqen e Prishtës dhe të Sukës”.

Në burg, siç dëshmojnë bashkëvuajtësit, mbajti një qëndrim dinjitoz, të palëkundshëm dhe të përshpirtshëm prej fetari. Siç rrëfente bashkëvuajtësi, Beqir Ajazi, Baba Kamberi i kishte kaluar të tetëdhjetat, por dukej shumë më i vjetër. Ishte një burrë i gjatë, ndoshta deri në dy metra, por duke qenë dhe shumë i trashë, gjatësia e tij nuk binte në sy…! Kokën e kishte të madhe. Me atë taç prej shajaku të trashë dhe me pëlhurën jeshile, që e rrethonte. Të tëra këto, e bënin Baba Kamberin një gjë të frikshme. Sytë e tij të zezë e të mëdhenj, si sy kau, nuk arrije t’i shikoje plotësisht, sepse vetullat e tij të trasha, si shtëllunga leshi, i vareshin teposhtë. Mjekra e tij e bardhë, që niste që nga tëmthat, ia mbulonte faqet e veshët, pastaj ajo varej poshtë e dendur e kaçurrele dhe, duke iu bashkuar me mustaqet, shkonte deri tek brezi i meshintë, ku qëndronin dikur teslimet. Me këtë pamje, Baba Kamberi, të trembte në takimin e parë, por kjo trembje, shumë shpejt kthehej në simpati dhe admirim, që s’e kuptoje nga vinte.

Baba Kamberi, refuzoi që të dorëzonte taçin, me argumentin se feja, ishte një gjë dhe politika një gjë tjetër. Kështu që, nëse baballarët e burgosur, ishin kundër komunizmit, kjo nuk do të thoshte aspak, se këta ishin edhe kundër atdheut, aq më tepër kundër bektashizmit. Kur në burgun e Tiranës, erdhën Baba Faja dhe Baba Fejzua, për t’i marrë taçin Baba Kamberit, ky kundërshtoi duke thënë se; atë taç të Hazret Aliut, e kishte mbajtur gjashtëdhjetë vjet në kokë dhe nuk e jepte kurën e kurës. Pas disa javësh, ata erdhën sërish, këtë herë të vendosur për t’ia marrë dhunshëm. Baba Kamberi, i tha Baba Fajës: “Unë kokën e jap, po taçin jo. Por në qoftë puna me dhunë, në kokë e kam dhe, po qe se e ke ndarë mendjen, lësho dorën dhe merre, Veç, ama, dije se përgjegjësinë dhe gjynahun e ke për vete”!

Baba Faja kishte lëshuar dorën dhe kishte rrëmbyer nga koka e Baba Kamberit, Taçin që plaku i nderuar bektashi, e kishte mbajtur me një barrë nder. Mandej, i rruan edhe mjekrën. Për Babain, kjo ishte më e keqe se vdekja. Por nuk kaloi shumë kohë, kur altoparlanti i burgut dha lajmin tronditës se Baba Faja dhe Baba Fejzua, ishin vrarë nga dora e Kryegjyshit Dede Abazi, që ishte vetëvrarë. Kryegjyshata, ishte mbytur në gjak. Shkak ishte shkelja e statutit dhe kodit bektashian, që sanksiononte mos martesën e klerikëve të këtij sekti.
Kur vizitoi një herë Mehmet Shehu burgun, hyri në kaushin ku dergjeshin plot 42 të dënuar, midis tyre edhe Baba Kamberi. E pyeti për emrin.

-Baba Kamberi i Prishtës, ejvallah, i tha babai.
-Ç’Baba e ç’Dede i Prishtës je more? Ti je një kriminel i rrezikshëm, që ke vrarë shokun tonë, Riza Cerovën! – iu hakërrua Mehmeti. – Ç’është ajo fjalë, ejvallah? Meazallah, qoftëlarg dhe përtej detit, që një baba të vrasë njerëz! Ne bektashinjtë, nuk vrasim dot njeri, ejvallah. Prandaj, e ke jangllësh zotrote!

Bashkëvuajtësi tjetër, Tomorr Aliko, tregonte se bekimi i Baba Kamberit dhe fjalët e tij profetike, më bënë që rezistova edhe 13 vjet të tjera, në ferrin e burgut, gjersa u lirova. “Ishte viti 1950. Hera e dytë që shtrohesha në dhomën e vdekjes në spitalin e burgut. Sollën me barelë Baba Kamberin. Ai ishte në agoni, gjoksi i rrihte fort nga frymëmarrja e vështirë. E lashë të qetësohej. Pas pak hapi sytë. I shkova pranë, i fërkova duart e këmbët. E mbuloi një djersë e madhe. Më tha: “Tomorr, o bir, na kanë thënë se ke vdekur, shyqyr që Zoti vuri dorë! Kurajo, bir, ki besim te Zoti…! Ti do të shpëtosh, do vuash, por ke për të dalë nga burgu, do të bashkohesh me nënën, babanë dhe njerëzit e tu. Do të jetosh gjatë dhe do shohësh dynja me sy. Se koha do të ndryshojë…! Merre këtë feste dhe çoje në kryegjyshatë”!

Ishte festja, me të cilën kishte zëvendësuar taçin në burg…! Ditën e dhjetë të agonisë, Baba Kamberi ndërroi jetë…! Baba Mustafai, që vuante dënimin në burgun e Burrelit, sapo e mori vesh, dha shpirt edhe ai. Por e habitshme, ishte kurajoja dhe devotshmëria e Kryegjyshit Botëror të asaj kohe, Ahmet Myftar Dede, i cili e varrosi trupin e Baba Kamberit, “armikut të popullit”, në Kryegjyshatë. Natyrisht, edhe për këtë gjest dhe nderim të lartë, në kundërshtim me regjimin komunist, Dede Ahmeti, bashkë me Dervishin besnik, Reshat Bardhin dhe Ibrahim Hasnajnë, u internuan më pas në Drizar të Mallakastrës. Mandej, eshtrat e Baba Kamberit, u zhvarrosën nga Kryegjyshata me urdhër të Enver Hoxhës dhe u varrosën në fshehtësi nga Esat Pagria në varrin e Bamit, e mandej në Tufinë. Për Baba Kamberin, u fol dhe u shkrua si një “armik e kriminel”, ndonëse në shpirtin e popullit, ai jetonte si shenjtor.

Tomorr Meço, bir nga kjo familje, të cilit ia ka vënë emrin vetë Baba Kamberi, kujton: “Ne të familjes, e morëm vesh vdekjen e tij, por nuk u bë asnjë ceremoni dhe askush nuk fliste hapur për të. E mbanim në shpirt dhimbjen dhe imazhin. Në verë të vitit 1950, u hodhën me aeroplan në Përmet, Dangëlli e Skrapar, fletushka të hartuara nga Komiteti ‘Shqipëria e Lirë’, ku flitej për vdekjen e Baba Kamberit, këtij martiri të kombit dhe të bektashizmit. E kam parasysh si tani fotografinë e Baba Kamberit, në ato fletushka, që i mblodhi me ngut Sigurimi i Shtetit, që të mos i lexonte populli”. Vetëm me ardhjen e demokracisë, në vitin 1993, me kujdesjen e Tomorr Meços dhe të Tomorr Alikos si dhe përkushtimin Kryegjyshor të Dede Reshat Bardhit, eshtrat e tij, u rivarrosën me nderime të mëdha, në Tyrben e Kryegjyshatës, përkrah Kryegjyshëve të tjerë.

Dhe, më në fund, si një homazh i kësaj kohe, erdhi vlerësimi i Kryegjyshit Botëror, Haxhi Dede Reshat Bardhit: “Dede Kamber Prishta, së bashku me Baba Mustafa Canaj, shpalosën shpirtin e madh të patriotit dhe të klerikut bektashian. Ata nuk u përkulën për asnjë çast, sepse besonin që flaka e qiririt të Haxhi Bektash Veliut, nuk mund të fikej asnjëherë. Së bashku me mijëra klerikë dhe besimtarë të tjerë bektashianë, ata mbajtën të gjallë në shpirt, besimin tek Zoti e tek Atdheu dhe u sakrifikuan për besimin e shenjtë. Brezat e sotëm dhe të nesërm. do të përkulen kurdoherë me respekt pranë mezareve të tyre!” /Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb