“Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, romani i shkrimtarit të njohur Visar Zhiti, ka një titull ngacmues e që të fut në mendime. Është një titull që bart në vetvete idetë frymëzuese dhe drejtuese të veprës. Nuk është shprehje e mohimit apo pohimit, siç mund të duket në pamje të parë, edhe se elementët e këtyre koncepteve nuk janë të huaja për të. Ka një simbolikë të përcaktuar qartë në gjetjen e atij titulli, përfundim i një shtrydhjeje të materialit jetësor për të nxjerrë kuintesencën, thelbin që, në të njëjtën kohë, është ftillim e përgjithësim i një përvoje që i kalon shumë bëmat e jetës së një njeriu apo të një shoqërie në një periudhë të caktuar të qenies së saj.

Romani ka në qendër të tij një histori dashurie, në kohën e dënimeve gjatë diktaturës komuniste, në vendin e urrejtjeve, të internimeve e burgjeve politikë. Ishte një dashuri me D të madhe, një nga ato që përmbledhin në vetvete e shpalosin me forcë të gjitha shfaqjet e saj të mundshme, që nga pasioni fizik, fuqia e mishit dhe e gjakut deri tek idealja, poezia, kënaqësia eprore së bashku me dhimbjen sfilitëse e asgjësuese dhe vetëflijimin që, përmasat e saj, dashje pa dashje, bëjnë të detyrueshëm në prani të fundit tragjik të elementit kryesor të çiftit. Por dashuria vazhdon edhe pas vdekjes, ajo ka fuqinë që i jep amshimi.

Shkëndija e parë e kësaj dashurie ndizet në një mjedis të pazakontë, në një sallë gjyqi, në të cilën një vajzë e re, gjimnaziste shkodrane, përgjigjet para një trupi gjykues të diktaturës së proletariatit për idetë e saj, të shprehura në shkollë e jashtë saj, ide që bien ndesh me regjimin komunist dhe një realitet të ngurtësuar e të mbështetur në dogma dhune e mashtrimi. N’atë sallë rastësisht ndodhet një ushtar, një djalë i ri nga Lushnja, vendbanimi i autorit, për të cilin imazhi i vajzës së bukur “reaksionare”, mbetet i ngulitur në mëndje e i rrënjosur në zemër.

Shkëndija e asaj dite gjyqi kthehet në një flakë të madhe mbas disa vitesh kur vajza, e internuar në Bedatin e largët, buzë kënetës së Karavastasë, mbas kryerjes së dënimit, takohet me djaloshin që vinte çdo ditë nga qyteti për të punuar në ndërtim. Është një nga ato dashuritë e “ndaluara”, për shkatërrimin e të cilave, në “Absurdlandin” shqiptar aktivizohej një aparat i tërë partiak e shtetëror që, fliste e vepronte nëpërmjet Sigurimit të Shtetit, përfaqësuesit më tipik e më të egër të “shtetit proletar”.

Ema Marku dhe Feliks Kondi, portretizohen me mjeshtëri nga autori e dalin nga penda e tij si njerëz të gjallë, me të cilët lexuesi simpatizon dhe ka përshtypjen se njihet prej kohësh. Fati i tyre e rrëmben atë, e bën pjesëmarrës në jetën e tyre, në çdo grimcë të saj, e bën të gëzohet, të ngazëllehet, të padisë, të luftojë, të eksitohet, të ndjejë dhimbjen, zhgënjimin, vetëdijen e pamundësisë për të ndryshuar kursin e ngjarjeve në betejën qytetare për të sendërtuar atë rend gjërash, në të cilin individi të mos kushtëzohet nga shteti në krijimin e jetës së tij.

Individi dhe Shteti, marrëdhëniet mes tyre, vartësia e ndërsjellët, kompleksi dashuri – urrejtje, kufijtë e përmasat e shkrirjes së fateve të përbashkëta, nga jeta në ëndërr dhe ndërsjelltas, përgjegjësitë e secilit në konfliktin e përhershëm që shoqëron në mënyrë të pashmangshme ecjen mijëvjeçare të njerëzimit drejt shtigjesh të njohura e të panjohura, drejt lirisë, asaj së brendshmes së pari, janë këto motivet zotëruese të veprës, përbëjnë shqetësimin qytetar të shkrimtarit. Ai nuk i trajton ato në mënyrë akademike, mbasi drama e romanit të tij është e përcaktuar në kohë dhe mjedise që analizohen me një realizëm rrëqethës.

Ajo i përket periudhës së dy dhjetëvjeçarëve, atij të fundit të sistemit komunist në Shqipëri dhe të parit të demokracisë, kur bulojnë shpresat. Është një periudhë që mbart dukuri nga më të ndryshmet, që nga dhuna dhe arbitrariteti i shtetit policor “socialist”, tek demagogjia e atij “demokratik”, që nga varfëria skajore e viteve të “vazhdimësisë”, për të “ngrënë bar”, duke mos u përkulur, tek plotësia e tregut të një vendi të çliruar nga vargonjtë e planifikimit shtetëror, popullsia e të cilit, me një të rënë të shkopit, u kthye në mërgimtare e përmasave biblike e në tregtare në pjesën dërmuese të saj.

Në këtë kuadër kohor e historik merr formë, lulëzon e shkon drejt fundit të saj tragjik dashuria e çiftit të ri, një dashuri që, në synimin e autorit, përbën sfidën më të fuqishme ndaj botës së krimit. Ajo tragjedi është bijë e natyrshme e një shoqërie që vjen nga një sistem kriminal, përballë të cilit ‘Ferri i Dantes’ është një imazh i zbehtë, që kalon nëpër një “purgator” fare të shkurtër, të përbërë nga mbjellje iluzionesh, ndërrime xhaketash e triskash partie, nga një shumicë e të konvertuarve në demokratë, që i a morën frymën demokracisë së porsa-nisur, në të cilën autorët e krimeve nuk mund të ndëshkojnë vetveten, madje fitojnë imunitetin n’emër të parimeve që deri një ditë më parë i kanë quajtur “borgjeze”, “reaksionare”, “të dënueshme”, për pohimin e të cilëve kanë dërguar në kasaphanën gjysëm shekullore, dhjetëra mijra qytetarë të Shqipërisë, edhe personazhet e këtij romani.

Është ky problem nervi i zbuluar në të cilin mendimi i shkrimtarit vërtitet paprerë, është ai motivi i endjes sfilitëse të personazhit të tij nëpër Europën e shumë dëshiruar e të shurdhër, ku çanta me dokumentet paditëse nuk gjen kurrë një tryezë gjyqtari për t’a hapur e shpalosur.

Koha e re në të cilën besojnë Ema e Feliksi, është e mbarsur me shpresa e iluzione, sidomos për ish “armiqtë e klasës”, për ata që kaluan vitet e tyre në burgjet e kampet e internimit. Por shpejt do të vijnë zhgënjimet që, në romanin e Zhitit, arrijnë pikën kulmore në vrasjen e personazhit kryesor, të Emës së dalluar n’atë periudhë për aktivitetin e saj të dendur në paditjen dhe dënimin e diktaturës.

Çifti, teksa i gëzohet i lirë dashurisë duke u përpjekur të përmirësojë jetën në vendin e tij, ndeshet çdo ditë me përfaqësuesit e krimit të kaluar, njerëz tashmë të pasuruar e të vendosur në poste të larta të administratës demokrate. Kështu oficeri Operativ i Sigurimit, që u përpoq të ndajë çiftin n’agimin e dashurisë e të rekrutojë Feliksin, bëhet një nga drejtuesit e firmave piramidale, mashtrimit më të madh financiar të pësuar nga shqiptarët, në historinë e shkurtër të demokracisë së tyre, e më pas drejtor gazete!!!

Ai që kishte arrestuar nxënësen e re bëhet drejtor i Antikrimit në Ministrinë e Brendshme, siç duket për “aftësinë” e spikatur në zbulimin e krimeve, si ai që dënohej nga neni 55/1 i ish-Kodit Penal. Sekretari i parë, që kish firmosur arrestimin, shfaqet çdo ditë në lokalin ku Ema e Feliksi kanë dëshirë të pinë një kafe, i privatizuar prej gruas së tij. “Edhe ne duhet të privatizojmë burgjet, qesëndiste një shoku ynë, po tregonte Ema…”!

Zhgënjimi i personazheve kryesore të romanit është pasqyrë e zhgënjimit të pjesës dërmuese të shqiptarëve që shfaqej në mënyra të ndryshme: nëpërmjet mërgimit masiv, shkrimeve që arrinin të botoheshin, rritjes sistematike të numrit t’atyre që nuk votonin, ftohjes dhe indiferentizmit ndaj vetë konceptit t’Atdheut. Qytetari dhe Atdheu, simboli dhe realiteti, ndjenja dhe detyra e ndërsjelltë në fundin e mijëvjeçarit, të mbështjella me jetë dhe ëndërr – ja një tjetër pistë në të cilën derdhet shqetësimi i shkrimtarit, një temë e guximshme që thyen tabu të mendimit shqiptar të rrënjosura thellë.

A duhet të njëjtësohet Atdheu me klasën drejtuese të tij? A mund të jetë e njëjtë dashuria për të e të gjithë bijve të tij edhe atëherë kur për shumë prej tyre ai nuk është nënë por njerkë, madje dhe vrastare? Çfarë caqesh duhet të ketë sakrifica për të e deri në ç’masë duhet të ndahet fati i qytetarit me atë të tij?

Në regjimin e kaluar, shërbimi ndaj Atdheut ishte sinonim mashtrues i shërbimit ndaj diktaturës që nëpërkëmbte çdo vlerë njerëzore. Si pasojë, koncepti i vërtetë përmbysej, mbasi interesi i Atdheut ishte i kundërt me atë të pushtetit që përfaqësonte zyrtarisht atë. Në demokraci, ku qytetari duhet të jetë zot i fateve të tij, në teori jo Atdheu, por klasa e tij politike, duhet të njëjtësohet me të, si shprehëse e aspiratave, vullnetit e personalitetit të popullit të saj.

Por kur dhe demokracia dëmtohet nga forma të luftës së klaneve për pushtet e pasurim të paligjshëm, kur ajo merr në drejtim të saj kastën e spiunëve të Sigurimit të Shtetit me mendësinë e së shkuarës, kur ajo i vë pengesa çdo shtegu të përtëritjes e shpresave për ndryshim, është e drejtë e ligjshme e qytetarëve t’a kërkojnë fatin e tyre në botën e madhe e njëkohësisht të kërkojnë dëmshpërblimin për padrejtësitë e pësuara e të ëndërrojnë gjyqin e madh për të gjithë. Ky roman guxon edhe gjyq për Atdheun, është i pari.

Të drejta e detyra – një çift nocionesh që harmonizon marrëdhëniet mes qytetarit dhe Atdheut, mes shtetasit dhe Shtetit, mes qytetarëve, të kaluarës dhe të tashmes. Ajo shoqëri që arrin të sendërtojë drejtpeshimin mes tyre është një model për t’u marrë si shembull. Sa më larg atij modeli aq më e padrejtë e mëkatare është jeta e saj. Është edhe ky një nga përfundimet e filozofisë së kësaj vepre.

Për personazhin kryesor të romanit, Ema Marku, që jeton në kapërcyell të dy epokave, “njërës që nuk don të vdesë e tjetrës e pafuqishme të lindë”, Atdheu nuk është vetëm prangat në duart e njoma, humbja e virgjërisë në një qeli hetuesie mbas një përdhunimi nga “mbrojtësit e rendit”, dënimi në një gjyq që nuk ka asgjë të përbashkët me parimet fillestare të drejtësisë, vuajtja e dënimit në një kamp pune të detyrueshme, mes një morie viktimash të pafajshme, internimi pa motiv mbas kryerjes së dënimit, internimi i prindërve në një fshat të thellë të malësisë, përpjekja për t’a privuar nga e vetmja gjë e bukur që jeta i dha, dashuria.

Atdheu është edhe objekti ku zënë fill ëndrrat e iluzionet për një jetë më të mirë, për një Vend që ve në themel të qenies së tij lirinë e begatinë e bijve të tij, që vetë-pastrohet nga mëkatet, që e dënon me forcë krimin, që i jep përparësi dëmshpërblimit moral e material të kundërshtarëve e viktimave të dhunës, që është i aftë të ndërtojë një shoqëri ku të zotërojë drejtësia, respekti i ndërsjellët, meritokracia.

Heroina e romanit është një idealiste, një përfaqësuese e denjë e vajzës shqiptare të përndjekur nga diktatura, një rezervë e paçmuar dhe paraprirës ndërkohë e një shoqërie që synon të ribëjë vetveten nëpërmjet një demokracie të vërtetë. Ajo pëson por edhe lufton, rreshtohet në barrikadën e pjesës më të shëndoshë të popullit të saj, nuk kursehet, del në pah e vihet në shënjestrën e ithtarëve të errësirës, t’atyre që si kameleoni kanë ndryshuar vetëm ngjyrën e lëkurës, por që mbeten në thellësi forca të së keqes, të kthimit mbrapsht, të paligjshmërisë, të krimit. Ema përfundon e vrarë.

Autori i romanit është një shkrimtar që nuk i pëlqejnë sajesat, fundet e lumtura. Ai ka meritën e madhe të pasqyrojë në art jetën, epokën e shoqërinë ashtu siç i shpalosen tani. Në roman merr rolin dhe simbolikën e një personazhi një pasqyrë e madhe, misterioze në lashtësinë e mondani-tetin e saj. Ajo pasqyrë thyhet në ditën e varrimit të heroinës së romanit, thyhet nga goditja e cepit të arkivolit të saj. Copëzat e xhamit të thyer të pasqyrës simbolizojnë thyerjen e shpresave, të iluzioneve, të jetës.

Nëse optimizmi nuk merr tone triumfuese në veprën e shkrimtarit, ai ekziston në vetëdijen dhe mesazhin e tij, në kërkimin e së mirës, të dritës, dhe nëse ngjyra gri dhe e zezë zotërojnë tablonë e saj, nuk është mungesë subjektive e shkrimtarit, por një e vërtetë me të cilën ndeshemi çdo ditë.

Në stilin e filozofinë e tij nuk zotëron i burgosuri i zonës së tretë të Spaçit, por qytetari dhe artisti shqiptar i vetëdijshëm për misionin e tij, që vëzhgon, përsiat, arrin në përfundime, që e don vendin e tij më shumë se çdo gjë tjetër, që e don atë më të mirë, më të drejtë, më të shëndetshëm, më të përparuar, më të respektuar, “një Atdhe i pastër, i larë, jo me gjak, jo, por me ujë. Me ujin e zakonshëm të jetës”. Prandaj ai padit, çirret, ulurin nëpërmjet personazheve të tij, himnizon dashurinë, jo vetëm si krijesë mishi dhe ëndrre, por dhe si elementi kryesor përbërës i botës drejt së cilës priret e për të cilën lufton me të gjithë forcën e pendës së tij.

Vrasja e Emës kthehet në simbol, është vrasja e ëndrrës, e cila bëhet më e fortë se vdekja, duke e sfiduar atë. Kemi ëndërruar Shqipërinë evropiane, Atdheun që shkon përpara, që ka forcën të shkulë nga trupi i tij tumorin e së keqes, që jep shpresë për brezat e ardhshëm. Vrasja e saj mbetet pa autor dhe pa ndëshkim, si ato të Vera Dumes, të Bujar Kaloshit, si shumë të tjera në vitet nëntëdhjetë. Megjithatë lufta vazhdon, nëpërmjet Feliksit që ka ndarë me të jo vetëm shtratin e dashurisë, por edhe aspiratat fisnike. Veprimi i tij tashmë zhvendoset jashtë Shqipërisë, kërkon hapësira më shumë. Në Shqipëri nuk ka vend për idealistë, ata janë të paracaktuar të humbin…!

Feliks Kondi niset për në Evropë i armatosur me një çantë dokumentesh e me një ide të ngulitur në tru: të padisë Atdheun në Gjykatat Ndërkombëtare, të shpalosë para opinionit publik tragjedinë e tij e të Vendit të tij, të kërkojë Emën që i ka premtuar se, “do më gjesh duke ikur”! Ndërmarrja është e vështirë por vullneti i personazhit është i madh.

Udhëtimin n’Evropë e fillon nga Italia, përtej deti kaq shumë i lidhur me të shkuarën në të mirë e në të keq e me projektet e shqiptarëve për t’ardhmen, Vendi nga do të niste shëtitja e çiftit të ri në kontinentin e lirë. Personi i parë që has në Romë është një mik i vjetër i familjes, Omer Starja. Emri i tij mbulon atë të Dr. Mentor Çokut, një pikë referimi për shumë shqiptarë që vinin n’Itali në vitet e para të mërgimit.

Autori e përshkruan me shumë dashamirësi e respekt. Për ata që e kanë njohur e gjejnë menjëherë atë, ishte një prind e mësues i thjeshtë e i dashur. Por ishte një nga personalitetet më të spikatura të diasporës shqiptare, një ithtar i përjetshëm i lirisë, një atdhetar, një politikan largpamës e me kulturë të gjerë që dha ndihmesën e tij, edhe nëpërmjet këshillave shumë të vyera në nivelet më të larta, në formimin e shëndetshëm të demokracisë së re shqiptare.

Tek ai dhe familja e tij Feliksi gjeti një oaz ngushëllimi e mirëkuptimi dhe ndihmën e parë, aq shumë të nevojshme, për këdo që ndërmerr rrugën e mërgimit për herë të parë. N’atë mjedis të ngrohtë i shfaqet vegimi i shtratit martesor, si pasqyrë e lumturisë së thyer. I shoqëruar prej tij apo mbesës studente të Drejtësisë, Feliksi njeh Romën dhe monumentet e saj mijëvjeçare. Me ndihmën e tyre rregullon dokumentet, gjen punë të ndryshme, fillon të grumbullojë para, madje edhe të ndihmojë nënën e motrën studente në Shqipëri.

Por kjo jetë në mërgim, jo ashtu si qindra e mijra të tjera të shqiptarëve gjithandej në botë, nuk mund të bëhej kurrë një jetë normale. Personaliteti i personazhit ka kushtëzim shumë të fortë nga humbja e së dashurës që, në mënyrë irracionale, e kërkon në çdo vajzë që has në pikturat e mjeshtërve të mëdhenj apo tek ato me të cilat ndeshet çdo ditë.

Po aq i fuqishëm është ankthi që e ka mbërthyer për të realizuar synimin të dëshmojë para botës tragjedinë e tij e të padisë: “Më kap një ankth i madh e një ndjenjë e madhe faji, kudo gjej fajin, dëshmitë e tij, i mbledh, i sistemoj, i fsheh si i marrë, ulërij, vij në vete, s’di ku të iki, çdo nisje më çon te kurmi i saj i copëtuar dhe fustani i gjakosur. Ky është tempulli im tani, që më mban. Dua shpagim, por të tillë ashtu siç e meriton ajo, siç më porosit zëri i saj…”!

Jeta e tij bëhet frenetike, kalon sa në një vend të Evropës në një tjetër, mes dëshmish, bisedash me bashkatdhetarë apo vendas, që nuk arrijnë të kapin mesazhin që don të përcjellë. Kaq absurde e të pabesueshme janë ngjarjet që ai tregon mbi “të vetmin vend në botën moderne që ka dënuar jo vetëm njerëzit, por edhe emrat, edhe varret, madje edhe kuajt, pemët deri dhe fotografitë…”, saqë “Dëgjuesit iknin nga takimi pa qenë të sigurt kush kishte qënë i çmendur: referuesi apo vendi nga ai vinte a të dy bashkë”!

Pak nga pak në vetëdijen e personazhit fillojnë të ngrihen mure të reja, edhe pse prej xhamash vezullues ndonjëherë, por prapë mure, pikërisht nga ajo Evropë që, në një gjysëm shekulli errësire, kishte qenë për iluzionet e shqiptarëve një rreze drite, një shpresë, por edhe shkak vuajtjesh e dënimesh, mbasi shkohej në burg pse lexoheshin shkrimtarët e filozofët e saj t’ashtuquajtur “reaksionarë”, pse dëgjoheshin këngët e saj, pse simpatizoheshin artistët e sportistët e saj, pse bisedohej për politikanët e saj, thjesht pse ëndërrohej për të.

Kur mbas hapjes së kufijve ne shkuam n’Evropë, e cila kishte qenë oazi i gjelbër ku nanuriseshin iluzionet tona për t’i shpëtuar erës përvëluese të shkretëtirës që na rrethonte, me keqardhje pamë se pak kush, për të mos thënë askush, shfaqte një mirëkuptim aktiv e një vlerësim thelbësor për kalvarin tonë të posaçëm të burgjeve e internimeve. Madje dëshmitë tona ndonjëherë jepnin bezdi, mbasi viktimat e komunizmit ishin të një kategorie tjetër.

Evropa nuk parapëlqente të fliste për ta, mbasi goja e saj ishte gjithnjë e mbushur me viktimat e nazifashizmit. Parlamenti i saj hodhi poshtë një rezolutë të suedezit Lindblad, që nuk pohonte asgjë tjetër veç faktit që: viktimat janë të tilla e duhen trajtuar si të tilla, pavarësisht nëse xhelatët quhen fashistë, nazistë apo komunistë.

Heroi i romanit të Visar Zhitit, bie ndesh me këtë mendësi e qëndrim t’Evropës që po i jepte strehim e përkrahje jo pak xhelatëve me “dëshmi persekutimi” dhe emrat e qyteteve të saj si Haga, Brukseli, Luksemburgu, Strasburgu, mbetën vetëm mirazhe të një projekti që nuk do të realizohej kurrë, mbasi për institucionet e tyre nuk ekziston krimi komunist, madje dhe Ema e tij, është vrarë nga fashistët…!

Ngarkesa emotive e jashtëzakonshme së bashku me hidhërimin që buron nga pamundësia për të sendërtuar ëndrrën e jetës, përbëjnë një përzierje mbytëse që jo rrallë çon në një fund vetë-shkatërrues. Feliks Kondi, përfundon jetën e tij duke u hedhur nga ura mbi Danub, në kryeqytetin e lashtë të ish- Perandorisë mike të Atdheut të tij, mbasi heq dorë plotësisht nga padija që do t’i bënte këtij të fundit.

Por padija mbetet në filozofinë e veprës, në nënë-ndërgjegjen e lexuesit, në besimin se ëndrrat edhe se të vrara, ringjallen e lulëzojnë tek të tjerë njerëz që do të vazhdojnë të luftojnë për të sendërtuar shoqërinë e shpresave. Kjo është kredo–ja e autorit edhe se në çastet e fundit Feliksit, i aviten dy hije, të lidhura me tragjedinë e tij e të vajzës së dashur, përfaqësues të asaj kastë që e dënoi e mbase dhe e vrau Emën e tij. “Ç’doni u tha me inat hyjnish. Se mos pendohesh, të të shtyjmë…”! Vrasës të pa penduar deri në fund, profesionistë të krimit.

Feliksi dhe Ema takohen në një botë tjetër ku, shpresohet, të mos ketë, sekretarë, operativë, policë që të endin fatkeqësinë e tyre. Romani mbyllet me një vetëvrasje e lexuesit i mbetet hidhësira në gojë, mbasi vepra është një zinxhir i pafund zhgënjimesh, të cilat autori i pasqyron me një stil marramendës e të fuqishëm letrar, duke i bërë një shërbim të madh bashkatdhetarëve të brezit të tij e, ndoshta, edhe më të madh atyre që do të vijnë.

Vepra paraqet aspekte të kohës së cilës i referohet, ka vlerën e dëshmisë së saj, por si çdo krijim letrar, nuk merr përsipër të kryejë funksionin e një dosje me dokumenta, tashmë historike. Historia e heronjve kryesorë të saj, me gjithë vërtetësinë therëse të paraqitjes, nuk mund të përgjithësohet dhe as bën tipiken e shoqërisë shqiptare. Kemi të bëjmë me një roman që ka në themel estetikën e dhimbjes dhe ekzaltimin e ndjenjës, që përbën një himn për gruan shqiptare të dënuar nga diktatura e jep në tërësinë e tij personalitetin e saj.

U mundova të shtjelloj një pjesë të ideve të autorit, një analizë më e plotë, sidomos ajo e thurimës artistike, e pleksur me psikikën e dëmtuar të një kohe, do të kërkonte më shumë hapësirë. Sidoqoftë e konsideroj romanin “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, një nga veprat më të arrira të letërsisë sonë të epokës së re, në të cilën duhet të kishim patur më shumë vepra të këtij lloji e të këtij niveli, pasqyra të një realiteti që, edhe se e kemi lënë mbas shpine, do të vazhdojë të na kushtëzojë gjatë, sidomos në fushën e kulturës./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb