-Mrekullia çudibërëse e gurit të marrë nga vëndi i shenjtë te Kisha Shën Ndout në Laç të Kurbinit, për familjen e emigrantëve shqiptarë-

 Befas, Dalin Mirakajt, iu kujtua ai guri i vogël e i lëmuar që kishte sjellë me vete, kur kishte zbritur për herë të parë në Kanada. U mundua të kujtojë ku e kishte fshehur atë gjë të çmuar, fat-dhënëse. Kishte kaluar kohë pa e parë e prekur, që kur e bija e tij e vetme, Bora, u nis për të filluar studimet në Universitetin e Otavës.

Atë gur ai e kishte sjellë të fshehur në xhepin e brendshëm të xhaketës, kur kishte mbërritur këtu përpara gjashtëmbëdhjetë vjetësh. Sipas tij, ai nuk ishte një send dosido, por një gur i bekuar, i shenjtë, çudibërës. Jeta e tij e deritanishme e kishte vërtetuar këtë. Sipas tij, ai vlen më shumë se sa floriri. Vjen nga vendi i bekuar, në zemër të Shqipërisë, nga Kisha e Shna Ndout, në kodrat e Laçit.

******

– “Po si, ne nuk dimë asnjë fjalë anglisht”, – i tha ajo.

– “Ka llotarira, por duhet të hyjmë në një kurs. Duhet ta mësojmë, aq sa të mundemi, të thyejmë veshin”. – “Njoh një mësuese anglishteje. I kam bërë disa ndere me fëmijët, kur i ka pasur pa qejf, ndoshta na vjen në shtëpi”. – “Po pranoi, e paguajmë se po qe për nder të vjen një herë, dy, por jo më shumë”, – sugjeroi ai dhe ajo tundi kryet në shenjë pohimi.

Dhe nisën të mësojnë të dy. Selimeja po ecte më mirë, ndoshta nga që ishte në moshë disa vjet më e re se sa Dalini. “Gjuha mbahet mend dhe mësohet më shpejt kur e praktikoni, mos flisni shqip në familje, por anglisht”, u tha mësuesja një ditë. Kishte të drejtë.

Provuan të vazhdonin kështu dhe përmirësimi i njohurive ishte i dukshëm. Në gazetë lexuan një njoftim se në Kanada, kërkoheshin infermierë nën moshën dyzetë vjeç, por duhet të plotësonin një formular dhe ta nisnin në ambasadën kanadeze në Romë. Kërkuan ndihmën e mësueses së anglishtes, për ta mbushur. Ajo u tha se brenda gjashtë muajsh, kërkesa do të shqyrtohej nga qeveria kanadeze; në se kualifikoheshin, një punonjës i ambasadës, do ta merrte aplikantin kryesor në provim për gjuhën. – “Qenka rrugë e gjatë”, – i tha Selimeja.

– “Ne kemi pritur dyzet vjet, e të mos presim gjashtë muaj, – ia priti Dalini me të qeshur – ti je aplikantja kryesore, Selime”. “Këtë radhë gruaja përpara, e unë pas saj. O Kisha e Laçit, na ndihmo, asnjë ndihmë nuk kemi në këtë rrugë ku kemi hyrë, veç besimit në Zot”! Atë natë Dalini nxori me kujdes nga valixhja gurin dhe e futi nën jastëk. Bëri një gjumë të shqetësuar. Për çudi pa në ëndërr se zbritën në New-York e jo në Kanada.

Nëpunësja e ambasadës kanadeze që i mori në intervistë, qëlloi një grua e mirë. Ajo kishte çelur përkohësisht zyrën në “Bllok”, në Tiranë. Pa shumë ceremoni, i thërriste aplikantët shqiptarë, një nga një. Aty nga dreka, i erdhi radha Selimesë. Dalini e përcolli deri tek dera e zyrës, duke i lënë në dorë gurin e Kishës së Laçit. Sa e preku, zemra i erdhi në vend dhe hapat deri tek tavolina, ajo i bëri e sigurt. Bashkëbisedimi ishte pa përkthyes, në anglisht. Selimeja edhe vetë u habit, si i erdhën ashtu ndërmend fjalët. Nuk ngeci në asnjë frazë. Gurin e shtrëngonte fort në dorë.

I ngjante se ai ishte zemra e saj dhe i pulsonte aty në pëllëmbë. “Ta gëzoni Kanadanë”, i tha nëpunësja në mbyllje të intervistës, shumë thjesht e pa asnjë ceremoni. Kaq ishte e gjitha. Deshi, ta përqafojë nëpunësen, por ndjeu sikur guri në dorë i tha të përmbahej, zyrtarja ishte në shërbim të vendit të vet, përfaqësonte shtetin, ajo nuk ishte thjesht një shoqe pune. Dalini e kuptoi që ajo e kishte kaluar testin, që kur në dalje ndeshi sytë e saj të qeshur. Pa thënë asnjë fjalë, i mori gurin nga pëllëmba e dorës dhe e çoi në buzët e tij. Mrekullia kishte ndodhur.

Plotësimi i dëshirës për emigrim me dokumente të rregullta në Perëndim, u ndryshoi jetën. Ja Kanadaja, ja Amerika! U ngjante se shpirtërisht ishin ngritur disa metra lart nga toka. Bora ishte rritur dhe kishte nisur të flasë. Dalini, sa herë hynte e dilte nga shtëpia, e merrte në duar, e ngrinte lart dhe i thoshte: “Për ty, bija ime, për ty Bora e ëmbël, po e bëjmë këtë sakrificë, të rritesh e të edukohesh si një princeshë, të fitojmë kohën e humbur, të marrëzirave socialiste”!

Të gjitha këto Dalinit, iu kujtuan duke pritur me ankth të kthehej e shoqja nga puna. Me siguri ajo e dinte, ku kishte përfunduar guri nga Kisha e Laçit. Si në një film, iu shpalos jeta që kishte bërë në Shqipëri, martesa dhe ardhja në jetë e bijës së tyre, Borës. Selimeja, së cilës në Kanada i thërrisnin të gjithë pa përjashtim Selma, punonte mami në një spital të Torontos, njëzetë minuta larg nga shtëpia. Sipas urgjencave, nganjëherë vonohej më shumë se zakonisht, por këto vonesa, me kalimin e kohës ishin bërë të zakonshme dhe askush nuk i vinte re. Këtë radhë ishte ndryshe.

I hodhi sytë orës elektronike në mur. Akrepi i madh kishte shkuar tridhjetë minuta përpara nga orari i kthimit. E priste të shoqen me ankth e padurim. U ngrit, shkoi tek dritarja, lëvizi perden dhe i hodhi një sy parkimit të shtëpisë. Ishte bosh. Qielli ishte nxirë nga re që lëviznin me shpejtësi në drejtim të perëndimit. Ajri ishte i mbytur me lagështi. Në se era do të ndalej, me siguri shiu do të zbrazej mbi tokë, por era vazhdonte si e tërbuar, duke ngritur nga toka shkarpa, copa letrash e gjethe të thata, që endeshin si të marrosura nga të katër anët e horizontit. Kopetë e mbarsura të reve ishin të paparashikueshme, nuk dihet se ku do ta zbraznin shiun. Dera e shtëpisë kërciti dhe Selma u shfaq papritur, duke shtyrë me ngut kanatin e derës.

– “Shyqyr që mbërrita pa filluar shiu”, – tha ashtu kot si duke i folur vetes me zë të lartë. Dalini e dëgjoi dhe u ngrit për ta përshëndetur. Kishte një çehre të vrarë dhe vështrim të hutuar, por Selma nuk e vuri re. Nuk e pyeti si zakonisht se si e kaloi ditën, por i tha me një zë sikur nuk ishte i tij: – “Ku është guri nga Kisha e Laçit? Ku nuk e kërkova, por nuk e gjeta”?! -“Guri? Si, nuk të kam thënë që e ka marrë Bora në Otava”?!

– “Gjithnjë unë do t’i mësoj i fundit, ngjarjet e kësaj shtëpie?! Sa kohë ka? Nuk nxirrej ai gur nga dera e shtëpisë, po sikur ta humbasë? Ti e di se unë e kam të shenjtë. Ai gur është fati ynë”! – “Po për fat e ka marrë edhe ajo”.

– “Ta marrim shtruar, pa eja ulu këtu pranë meje, m’i trego të gjitha me radhë. Ka diçka që nuk shkon këtu, ka diçka që më mbani fshehur, bie erë pabesi, pse kështu? Ku kam gabuar me ju, ku jam sjellë keq”?! – bëri disa pyetje rresht Dalini. E shoqja u pendua që nuk e kishte vënë në dijeni rreth problemeve që i ishin hapur së bijës dhe vendosi t’ia tregojë të gjitha: – “Bora ka rënë në dashuri me një djalë, por nuk ka vendosur të martohet me të pa marrë mendimin tonë. Ka disa muaj”. – “Dhe nuk ma keni thënë mua? E ke sjellë me vete këtë vajzë apo e kemi lindur së bashku? Nuk kam të drejtë të di unë për fatin e bijës sime”?! – ngiti ai zërin si rrallëherë.

– “Problemi është më delikat se kaq, ai djali është pak me lëkurë të zezë”, – u përgjigj Selma përmes lotëve. – “E ç’të keqe ka se e ka lëkurën pak të zezë? Ashtu e ka pasur edhe gjyshi im nga nëna”. – “Jo, ai është zezak”, – tha ajo me një zë të vakët. Dalini u nemit, ndjeu se të rrahurat e zemrës po i shuheshin. Gati po i binte të fiktë. Këtë lajm nuk e kishte pritur kurrë. “Si kështu Bora?! – Fare i zi”?

“Nga është”?! –“Amerikan”. – “Fare, fare i zi? – Fare”. Ky lajm ishte për të si një rrufe në qiell të kthjellët. Kurrë nuk i kishte shkuar ndërmend, se bija e tij e dashur, Bora e zgjuar dhe e ëmbël, do të lidhej me një zezak! O Zot, pse zgjodhi Kanadanë për të emigruar?! Po kush djalë shqiptar, nuk do ta preferonte bijën e tij të bukur, e të zgjuar?! Ndjente se nga çasti në çast, mund të rrëzohej për tokë. Nuk kishte fuqi as t’i fliste e, as t’i bërtiste së shoqes.

Nuk është se ai kishte ndonjë paragjykim ndaj racave, ngjyrave dhe kombësive, por nuk e gëlltiste dot, të quhej vjehrri i një afro-amerikani. “Pse, kur Kanadaja ka plot djem të rinj me origjinë nga Europa apo, qoftë edhe nga Turqia, mendoi. Si dreqin qenka magjepsur kështu Bora? Dhe pse nuk më ka rrëfyer po e ka mbajtur të fshehtë? – Pse, pse nuk më ka treguar mua”?! – iu kthye së shoqes. – Sepse e ka ditur, që nuk do ta gëlltisje zgjedhjen e saj. “Po ti, e di se sa e gabuar është në Kanada të tregohesh racist, dënohesh me ligj?! Të ecim edhe ne me botën, – deshi ta ngushëllojë ajo”.

– “Tani, pasi keni bërë proçkën, më tregoni edhe kulturën, edhe ligjin. Ke faj Selime, je bërë bashkëpunëtore në gabimin e saj, e ke ditur dhe nuk ia ke prishur Borës. Jo, nëna duhet ta drejtojë të bijën”. – “Ka plot vajza të bardha, që martohen me zezakë, nuk është vetëm kjo jona”, – i tha Selma dhe u ngrit të hiqte rrobat e punës. Dalini mbeti vetëm. Vuri kryet midis pëllëmbëve dhe po përpiqej të gjente arsyen, se ku kishte gabuar me të bijën.

Solli ndërmend jetën e saj. Asnjëherë nuk i kishte folur me zë të lartë, asnjëherë nuk i kishte hequr ndonjë pëllëmbë. Ajo është princesha e tij, mbretëresha e dashurisë së tij të pakufishme. Çudi, ajo nuk kishte sjellë në shtëpi ndonjë shok klase, nuk ishte vonuar asnjëherë në party apo mbrëmje argëtimi, kurrë alkool. Nuk kishte marrë kurrë narkotikë, pra, nuk të linte shkak për ta qortuar, model e shembullore në çdo drejtim. Ai mendonte se ajo i ngjante plotësisht atij vetë.

“Sikur ta kesh nxjerrë nga hundët” i përsëriste e shoqja vazhdimisht. Madje kur Bora nisi studimet në Otava, Selma i tha:

– “Nuk duhet t’ia kemi frikën, kur nuk gaboi në kolegj, tani nuk mund të gabojë më”. Dalinin Mirakajt, as i hahej e as i pihej. Nuk kishte vënë asgjë në gojë, qysh prej mëngjesit. E shoqja diçka thoshte nëpër dhëmbë, duke u marrë me punët e shtëpisë, por ai nuk dëgjonte asgjë.

E gjithë qenia e tij, ishte përqendruar tek e bija. Mos ishte vënë në pozitë të vështirë, nga ky zezaku?! U mat disa herë ta merrte në telefon, por u druajt, nga se do të dilte jashtë karakterit të tij dhe mund t’i bërtiste. E dinte se Selimeja do t’ia tregonte të gjitha dhe ndoshta Bora, mund t’i bënte një thirrje telefonike, e t’i thoshte, se ajo puna e zezakut nuk është gjë.

E gjitha kjo mesele ndodhi, kur ai kishte kapur një punë të re: me rrogë sa dyfishi i asaj së parës. Ishte pranuar të punonte për mirëmbajtjen e mjeteve motorike, në një fushë golfi. U habit kur i thanë se mensa, si për atë, si për gjithë klientët, ishte e paguar. Mund të hanin në çdo kohë dhe mund të zgjidhnin gjithçka. Gatime të mrekullueshme, si për mbretër, edhe haviar kishte. Të anëtarësoheshe në klubin e golfit, duhet të paguaje një shumë të madhe vjetore, gati sa trefishi i rrogës së tij, për një vit.

Anëtarët e klubit të golfit, ishin të gjithë të pasur dhe racë e bardhë, kryesisht me prejardhje angleze. Shumica milionerë. Në sajë të korrektesës dhe ndërgjegjes në punë, Dalini kishte fituar simpatinë e të gjithëve. Mjetet motorike shkëlqenin si kurrë ndonjëherë dhe ishin të gjitha në efiçencë të plotë. Ndryshimi dukej ashiqare, si kurrë më parë.

Ama edhe ai vetë as në ëndërr nuk kishte parë punë të tillë dhe rrogë kaq të madhe, madje nuk e merrte me mend se ekzistonte kjo lloj pune. Dhe dihet se e kujt ishte merita. Fati i tij fshihej pikërisht në atë gurin e vogël, të sjellë nga Kisha e Laçit. Ai kishte bekimin e Shna Ndout, kështu mendonte. Ndoshta së bijës i ndërrohej mendja, pikërisht asaj i duhej fati. E ardhmja i takonte asaj. Nuk duhet t’ia kërkonte gurin. Mjafton që ajo të ishte mirë. Në fund të fundit, si ai, si Selimeja, për atë punonin, për atë rezervonin gati një rrogë në muaj.

Ishte koha kur ajo duhet të krijonte familjen e vet. As kur kishte rënë agu dhe nga dritarja po hynte drita e ditës së re, atë nuk e kishte zënë gjumi. U ngrit nga shtrati, ngadalë e pa zhurmë. I pihej një kafe shqeto. U kthye nga drita e mëngjesit që binte fasha-fasha nga dritarja dhe u lut: “Vër dorë, o Zot, vër dorë, o Kisha e Laçit dhe ma shpëto time bijë”! dhe rënkoi nga thellësia e shpirtit. Priti sa të hapte sytë e shoqja dhe i tha duke rrokëzuar fjalët.

– “Bora është zemra jonë, shpirti ynë, duhet t’i thërresë mendjes, t’i vërë kapak kësaj historie. Kush nuk e merr atë me atë bukuri, diplomë e mençuri që ka. Djalin më të mire, i sjell këtu nga Shqipëria. Sido që të jetë, bythëziun nuk dua ta takoj kurrë. Bora e ka të hapur derën e shtëpisë dhe të jesh e bindur, se nuk do t’i them asnjë fjalë, ama atë afro-amerikanin, nga qielli të jetë i rënë, kurrë nuk e kam për ta qasur në shtëpi”.

– “Këto që më the mua, mos ia thuaj askujt, do ndëshkohesh si racist, do të marrin gazetat, jemi në shtet demokratik”, – iu kthye Selma.

– “Po, moj po, por në fushat e golfit, nuk kam parë asnjë zezak”, – i tha ai me shpoti. – “Zezakët janë si ne, nuk kanë fuqi të paguajnë kuotën 250 mijë dollarë në vit, ashtu si ata miqtë e t’u milionerë, ama në sporte të tjera dhe në muzikë, ata po bëjnë namin, në gjithë botën. Në deje iu rrjedh gjak i kuq si i yni”. – “Kaq di të them dhe ti e njeh mirë kokën time, atë që them, e bëj”, – e mbylli ai bisedën dhe u bë gati për të shkuar në punë. Selma ia njihte mirë tabiatet, asgjë nuk mund t’ia kthente mendjen, veç Kishës së Laçit. Por ajo kishë ishte shumë larg.

Bora u diplomua për informatikë, gjeti edhe punë, por afro-amerikanin nuk e ndau. As në shtëpinë e prindërve, nuk e solli. Zunë banesë me qira në lagjen ‘Etobiko’ të Torontos. Dalini me kursimet e tij, i bleu së bijës dhuratë, një makinë të re japoneze, nga më të fundit, akull të re. – “Çfarë njeriu qenka kështu, ky babai yt, – i tha Borës i shoqi – të blen makinë të markës së fundit dhe nuk pranon të njohë dhëndërrin, me të cilin ti ndan shtratin dhe jetën”. – “Babin mos ma zër më në gojë, – iu përgjigj ajo dhe një çurg lotësh i rrodhën nëpër faqe – të jetë hera e fundit, janë punët tona të brendshme”.

Edhe kur Bora u bë me djalë, Dalini nuk pranoi ta njohë e ta takojë dhëndërrin. Vetëm pyeti se kujt i ngjan nipi. – “Mulat, pak brun e i lezetshëm, me flokët kaçurrela, – iu përgjigj e gëzuar Selimeja – por nga ne anon më shumë”. Dalini vuri pakëz buzën në gaz. Ardhja në jetë e një fëmije, u bë mollë sherri midis çiftit të ri. Pa kaluar as dyzetë ditë nga lindja e tij, Xhejsoni, kështu quhej afro-amerikani, i dha ultimatum së shoqes. – “Me që vjehrri, nuk dëshiron të më takojë mua, as unë nuk lejoj që ai të takojë birin tim. Babi yt është racist, madje ai nuk më thotë as zezak, por ‘bythëzi’. Kjo për mua është një fjalë ofenduese”, – tha ai me mllef të akumuluar prej kohësh. Borës iu ngritën nervat.

– “Harrove ti, kush e paguante qiranë e dhomës në universitet për katër vjet, sepse prindërit e tu, nuk kishin të ardhura?! Ishte pikërisht babai im. As ke fytyrë ta zësh në gojë dhe çfarë do të bëj unë, as të pyes fare. Mos mendo se jam skllavja jote. Ai është babi im, e jo yti”, – tha duke ngritur zërin. Nuk vazhdoi më tej, por mori të birin në karrocë dhe u nis për tek prindërit e saj.

Dalini u lidh fort me të nipin dhe i lutej ta sillte sa më shpesh, sidomos për fundjavë. Por Bora nuk u kishte treguar prindërve diçka tjetër. Xhejsoni ishte xheloz dhe sa herë ajo takonte ndonjë mik të vjetër, sidomos shqiptarë, ai bëhej nervoz, grindej kot së koti dhe një ditë i tha prerë:

– “Nuk dua të takohesh me djem shqiptarë. Shumë i zgjat bisedat me ta, pastaj, ç’janë ato kafe ekspres, që ju i keni aq qejf”.

– “As unë nuk të kam penguar, të flasësh me ndonjë zezake”, – i tha ajo me shpoti. Ai u bë bishë, ngriti dorën ta goditë me shpullë, por në momentin e fundit u tërhoq. Borës i dolën shkëndija nga sytë dhe tërë atë javë qëndroi në shtëpinë e prindërve, por atyre nuk u tregoi asgjë nga grindja dhe konfliktet me të shoqin. Marrëdhëniet në çift ishin tronditur. Xhejsoni nuk dorëzonte asnjë të ardhurat prej rrogës.

Justifikohej se ndihmonte prindërit në New-York, që ishin shumë të varfër dhe pensioni nuk u mjaftonte. Në grindje e sipër Bora i tha, të zgjidhte ose atë, ose prindërit e vet. Secili prej tyre, kishte detyrime të barabarta për qiranë e shtëpisë, ushqimin dhe mirërritjen e fëmijës, por ai vazhdoi në të njëjtën rrugë, të mos dorëzonte asnjë të ardhur. Ai e kishte mësuar mirë, se prindërit shqiptarë, janë të përkushtuar për fëmijët e tyre dhe kurrë nuk i lënë në baltë.

Shkaku i vërtetë që ata u ndanë përfundimisht, ishte diçka tjetër. Bora takoi në supermarket një shok fëmijërie, ishte një jurist shqiptar. Ajo u vonua dhe Xhejsoni e priti gjatë në një qendër tregtare, duke u kujdesur edhe për të birin. Grindjet vazhduan deri tek makina në parking. Po bëheshin gati të hynin në makinë, por Xhejsonit nuk iu durua, por i tha me cinizëm:

– “Këtij shokut shqiptar, ia ke falur virgjërinë, kur ishe shtatëmbëdhjetë vjeçe”? – “Nga e nxore këtë, o bythëzi”?! – “Nga që u puthët gjatë në ndarje, ja ku të kam filmuar me celular, – tha ai”. – “Domethënë po më përndjek, ti e paske shpirtin më të zi se sa fytyrën”! – bërtiti ajo. Xhejsonit nuk iu durua. Sytë i zunë në bagazh të makinës, një furçë bishtgjatë me të cilën, pastronin borën e xhamave në mëngjes.

E rrëmbeu me shpejtësi dhe e goditi Borën, me sa fuqi që pati. Instinktivisht ajo ngriti dorën për të mbrojtur kokën dhe shkopi-fshesë, u përplas mbi llërën e krahut të majtë. Ndjeu që një kockë e parakrahut, ia bëri “krrak”. Duhet t’ia kishte thyer sepse, as dorën, as krahun, nuk mund ta lëvizte më. As bërtiti dhe as qau. Gurin nga Kisha e Laçit, e shtrëngoi fort në pëllëmbën e dorës së djathtë. Çudi, guri i dha fuqi dhe guxim të paparë. As vetë nuk e dinte se si mbërriti së bashku me të birin në shtëpinë e prindërve të vet, duke mbajtur timonin, vetëm me dorën e djathtë! Kishte merakun e të birit. Amësia i jepte forcë.

Kur frenoi përpara shtëpisë, gati sa nuk i ra të fiktë. Mbylli sytë, ajo dhe i biri, ishin në duar të sigurta. E ëma i mori fëmijën nga karroca, Dalini duke e mbështjellë në gji, si atëherë kur ishte fëmijë, e ngriti në duar dhe e futi me përkëdhelje brenda shtëpisë. I tha të qetësohej dhe të tregonte çfarë i ndodhi. “Më goditi bythëziu, gurin nga Kisha e Laçit e kam në çantë”, iu përgjigj ajo. Dalini nuk e zgjati, sytë i shkrepën zjarr. Mori në telefon 911-tën. Zëri iu drodh dhe një lëmsh lotësh i mbetën në fyt. Duke pritur të vinin policët, i dha së bijës një gotë ujë, së bashku me dy kokrra tylenol. E shoqja merrej me qetësimin e ushqimin e fëmijës.

Për njëmbëdhjetë minuta, dy policë mbërritën së bashku me ambulancën dhe tre infermierë. Policët, pasi dëgjuan ngjarjen, kërkuan të dinin vendin ku ishte parkuar makina. Bora tregoi se ngjarja kishte ndodhur në kuadratin 7 të parkingut. Policët panë njëri-tjetrin në sy. “Aty ka kamera sigurie, incidenti është i filmuar, jeni me fat, nuk iu duhen dëshmitarë”, tha njëri prej tyre. Siç u muar vesh më vonë, Xhejsoni ishte arrestuar po atë natë. Ai u dënua tre vjet burg. Kishte edhe një rekord tjetër dhune që Borës, nuk ia kishte treguar kurrë. Memorie.al

 Kanada, Mars-prill 2020

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: