Në vazhdën e zhvillimeve politike dhe ndërsa Shqipëria po shkon 29 vjet pas rrëzimit të diktaturës në zgjedhje pa opozitën ose me një kandidat, historiani Kastriot Dervishi ka publikuar një fletë votimi të vitit 1958 duke shtuar dhe një koment.

“Kujt ia merrte mendja se do shihnim sërish fletëvotimi me një emër”, shkruan Dervishi, ndërsa publikon  fletën e votimit për zgjedhjet e Kuvendit Popullor, të mbajtura më 1 qershor 1958.

Emri i kandidatit për deputet siç shihet në fletën e votimit është Jorgji Pano, nga Fronti Demokratik.

Fleta E Votimit Komunizem
Fleta E Votimit Komunizem

Nga Kastriot Dervishi

Komunistët erdhën në pushtet në vitin 1944 duke vrarë e duke prerë kundërshtarët e tyre. Vitin e parë në pushtet, u morën edhe në mënyrë zyrtare me goditjen dhe zhdukjen e kundërshtarëve politikë të tyre. Pasi ishin konsoliduar, organizuan “zgjedhjet” e para në 2 dhjetor 1945. Gjatë gjithë kohës së ekzistencës së regjimit të tyre, Partia e Punës nuk konkurroi asnjëherë si subjekt zgjedhor. Ajo fshihej pas Frontit Demokratik. Zhvilloheshin zgjedhje për Kuvendin Popullor (çdo 4 vjet) dhe zgjedhje për pushtetin vendor (këshillat popullore) dhe gjykatat popullore (çdo 3 vjet). Në listat e zgjedhësve ishte vetëm një kandidat, i caktuar në emër i Frontit Demokratik, i miratuar më parë nga strukturat e Partisë së Punës: Byroja Politike për organin legjislativ dhe komitetet e partisë për këshilltarët popullorë. Zgjedhësi nuk bënte asgjë, por vetëm çonte fletën në kutin e votimit. Zgjedhjet çeleshin në orën 7.00. Deri në orën 8.00, të gjitha levat e Partisë së Punës në lagje bënin garë për pjesëmarrjen në votime (e vetmja konkurrencë). Kudo buçiste ahengu dhe radio, çka e jepnin një karakter tragjikomik ditës kur gjoja bëhej shëtitja që quhej “zgjedhje”.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb