Kompania amerikane që ofron shërbime transporti, Uber, është gjobitur me 290 milionë euro në Holandë për dërgimin e të dhënave personale të taksistëve evropianë në Shtetet e Bashkuara në kundërshtim me rregullat e BE-së, raportoi të hënën Reuters.

Siç ka bërë të ditur mbikëqyrësi holandez për mbrojtjen e të dhënave, DPA, Uberit e ka ndalur këtë praktikë.

“Ky vendim dhe kjo gjobë e jashtëzakonshme janë krejtësisht të pajustifikuara”, ka thënë zëdhënësi i Uberit, Caspar Nixon. “Procesi i transferimit të të dhënave ndërkufitare të Uberit ishte në përputhje me rregullat e BE-së gjatë një periudhe 3-vjeçare” shtoi ai, duke thënë se kompania do ta kundërshtojë vendimin.

DPA-ja ka thënë se Uber transferoi të dhënat personale në Shtetet e Bashkuara dhe nuk arriti t’i mbrojë siç duhet ato.

“Kjo përbën shkelje të rëndë të Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR)”, thuhet në reagim.

Hetimi u nis pasi një organizatë franceze e të drejtave të njeriut paraqiti ankesë në emër të më shumë se 170 shoferëve të taksive në Francë pranë autoritetit të mbrojtjes së të dhënave të vendit.

Megjithatë, duke qenë se Uberi ka selinë e saj evropiane në Holandë, ajo iu përcoll DPA-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: