Holanda do të investojë 400 milionë euro në një program të zhvillimit të dronëve për Ukrainën, ka njoftuar Ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans, gjatë një vizite të papritur në Kiev.
Rreth gjysma e investimit do të shpenzohet në Holandë, me pjesën tjetër të ndarë midis Ukrainës dhe vendeve të tjera.
“Ne do të fokusohemi në lloje të ndryshme të dronëve, dronë të vëzhgimit, mbrojtës dhe të sulmit, sepse ne shohim se Ukraina ka nevojë për dronë sulmues për të shënjestruar objektet ushtarake”, tha Brekelmans.
Bëhet e ditur se nëse programet e reja të dronëve rezultojnë të suksesshme, do të ketë fonde të mëtejshme për të rritur prodhimin.
“Lufta, natyrisht, po intensifikohet çdo ditë dhe Ukraina po ngre më shumë brigada që të gjithë kanë nevojë për mbështetje, që të gjithë kanë nevojë për pajisje ushtarake. Ne duhet të kemi këtë rrjedhë të vazhdueshme mbështetjeje”, shtoi ai.