Qeveria holandeze njoftoi sot një rritje prej shumë miliarda eurosh në shpenzimet e mbrojtjes, duke investuar në tanke, avionë luftarakë dhe fregata për të forcuar NATO-n pas “agresionit të pamëshirshëm rus” kundër Ukrainës.

Holanda do të rrisë shpenzimet e saj të mbrojtjes me më shumë se 10% vitin e ardhshëm dhe kështu buxhetin e saj me 2.4 miliardë euro, për të sjellë buxhetin vjetor të mbrojtjes në 24 miliardë euro, njoftoi qeveria në memorandumin e saj vjetor për mbrojtjen. “Ushtria do të ketë përsëri tanke, Forcat Ajrore do të marrin F-35 shtesë dhe Marina do të jetë në gjendje të mbështetet në fregata shtesë për luftën kundër nëndetëseve,” tha Departamenti i Mbrojtjes.

Fondi i ri do të shkojë kryesisht për pajisjet luftarake, por ministria tha se do të shpenzojë gjithashtu 260 milionë euro të tjera për rekrutimin dhe trajnimin e personelit.

“Kërcënimet e reja kërkojnë veprim. Agresioni i pamëshirshëm rus në Ukrainë tregon se një sulm ndaj aleancës së NATO-s nuk është më i paimagjinueshëm,” tha Ministri i Mbrojtjes Ruben Brekelmans.

Kina, Irani, terrorizmi dhe sulmet kibernetike paraqesin gjithashtu kërcënime të mundshme për sigurinë kombëtare holandeze, shtoi ai.

“Mund të duket sikur jetojmë në paqe, por nuk është më kështu,” tha ai kur zbuloi planet në një bazë ushtarake në qytetin Amersfoort në Hollandën qendrore. “Ne jemi nën sulm çdo ditë. Sistemet tona dixhitale, universitetet tona, kompanitë tona, portet tona, rrjetet tona të energjisë. Ne po spiunohemi gjatë gjithë kohës dhe numri i sulmeve po rritet.”

Holanda po ndërmerr “një hap të madh” për të parandaluar një sulm të tillë duke rritur shpenzimet e saj për armatim, theksoi ministri. “Mënyra më e mirë për të parandaluar luftën është të mbajmë kundërshtarët tanë të mundshëm larg”, shtoi ai. NATO i angazhon anëtarët e saj t’i kushtojnë mbrojtjes 2% të prodhimit të brendshëm bruto. Sipas vlerësimeve të fundit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Holandës do t’i duhet t’i kushtojë mbrojtjes 2.05% të PBB-së në vitin 2024. “Me këtë buxhet, qeveria deklaron se Holanda përmbush rregullat e NATO-s”, shkruante ai në memorandum.

Aleanca do të ketë së shpejti një sekretar të përgjithshëm holandez, ish-kryeministrin Mark Rutte, i cili do të marrë detyrën më 1 tetor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb