BRUKSEL

Holanda ka dorëzuar sot zyrtarisht në Komisionin Europian projekt rezolutën e miratuar pak kohë më parë në parlament, që kërkon rikthimin e vizave për shqiptarët. Në letrën drejtuar komisionerit për migrimin dhe punët e jashtme, Dimitris Avramopulos, përfaqësuesi i Holandës në BE, Robert de Groot i kërkon të shqyrtojë informacionin e dërguar nga Holanda dhe në konsultim me vendet anëtare të vendosë në lidhje me nevojën për të vepruar.

Sipas Groot, shqiptarët kanë një rol në krimin e organizuar në Amsterdam si dhe ka një rritje të veprave penale nga shqiptarët në Holandë. Holanda e vlerëson bashkëpunimin konstruktiv dhe të vazhdueshëm me qeverinë dhe autoritetet shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar thuhet në letër. Të dyja vendet po punojnë në fuqizimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

Në vijim të letrës njoftuese, Komisioni Europian do të vlerësojë nëse do të ketë nevojë për të ndërmarrë veprim. Komisoni do të informojë Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian mbi rezultatet e këtij vlerësimi. Deri në një njoftim tjetër, politika e vizave për nënshtetasit shqiptarë do të mbetet e njëjtë: qytetarët shqiptarë mbajtës të një pashaporte biometrike nuk kanë nevojë për viza për të udhëtuar në zonën Shengen për maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.

Rezoluta që kërkon rikthimin e vizave për shqiptarët u votua më 16 prill në parlamentin holandez. Rezoluta u hartua nga 5 partitë,  VVD, CDA, PVV, SP, CU dhe u votua me me shumicë votash, 108 vota pro dhe 42 kundër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb