PARIS– Presidenti francez, François Hollande dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel do të prezantojnë sot në Kiev dhe nesër në Moskë një plan paqeje për Ukrainën, përpjekja më e rëndësishme diplomatike për daljen nga kriza në dhjetë muaj konflikt në portat e Evropës që ka shkaktuar më shumë se 5 000 të vdekur.

Iniciativa e drejtuesve evropianë ndodhi në një kohë kur sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ndodhet në Kiev për të diskutuar me autoritetet pro-perëndimore në lidhje me livrimin e armëve në Ukrainë me qëllim për të ndryshuar situatën në terren, ku ushtria ukrainase ndodhet në një situatë të vështirë përballë rebelëve prorusë.

“Në Ukrainë, është luftë. Armë të rënda janë përdorur, çdo ditë vriten civilë”, deklaroi Hollande në një konferencë shtypi duke shtuar se Franca dhe Gjermania kishin ndërmarrë një nismë në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Me kancelaren gjermane, Angela Merkel, kemi vendosur të marrin një nismë të re. Ne do të shkojmë në Kiev dhe do të bëjmë një propozim të ri për zgjidhjen e konfliktit që do të bazohet në integritetin territorial të Ukrainës dhe do të diskutojmë sot me presidentin ukrainas, Petro Poroshenko dhe nesër me presidentin rus, Vladimir Poutine”, theksoi Hollande.

“Koha po kalon dhe nuk do të thotë se Franca dhe Gjermania nuk kanë bërë gjithçka për të ruajtur paqen”, shtoi ai duke nënvizuar se mundësia diplomatike nuk mund të shtyhet pafundësisht.

Presidenti francez konfirmoi gjithashtu se Franca kërkon të shmangë luftën në Ukrainë.

Konflikti i armatosur në lindje të Ukrainës ka shkaktuar më shumë se 5 300 të vdekur në nëntë muaj.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: