Ndarja nga jeta e këngëtarit të madh shqiptar, Sherif Merdani, ka trishtuar të gjithë botën e artit, por jo vetëm.

Artisti ndërroi jetë dy ditë më parë nga një sëmundje e rëndë që vuante prej kohësh. Për të kujtuar veprimtarinë e tij, e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” ishte artistja Justiana Aliaj. Ajo tregoi gjatë fjalës së saj se si e priti lajmin, si dhe ndau detaje nga festivali i 11, koncert pas të cilës, Sherif Merdani u dënua me 16 vite burg.

“E dija që ai ishte sëmurë, por lajmin e mësova nga ora 23:00 e natës. Sigurisht nuk fjeta. Ishim shumë pak që morëm dënimin, por Sherifi është bashkudhëtari im, kështu që lypet me bo adetet e fundit sipas tagertin tim. Gjithmonë në të keq, njeriu kthehet e ka dëshirë me pa e kalu në mendjen e vet ato njerëz që ka pasur afër, ata që nuk e kanë tradhtuar. Kur ka dalë shumë vite mbrapa, sepse dhe unë ika nga Shqipëria. I thashë, po të mos kishim kënduar në festivalin e 11. Më tha mos u mërzit, do të dënoheshim në të 12”, tha artistja.

Më tej, Aliaj rrëfeu se dhe ajo ishte e rrezikuar të burgosej, sepse me Sherif Merdanin komunikonte shpesh. Megjithatë sipas saj, Merdani kurrë nuk e tradhtoi e përmendi emrin e saj pas marrjes në pyetje.

“Në atmosferën tonë nuk ndodhi asgjë sepse nuk e nuhatën që kishte tradhti në mes. Ne dinim t’i ndanim njerëzit, cilët ishin të preferuarit e kush jo, ne ishim të pa preferuarit. U përgatitëm, shkëmbeheshim nëpër korridore. Kjo ishte krejt normale, domethënë, lumturia vetë për ne. U përgatitëm në maksimum, ishim seriozë në prova, ishim në pikat më të imta e të forta. Një prej tyre ishte dhe i madhi, e asgjë nuk ndodhi në momentin që pas dy ditëve morëm vesh që po fillon kalvari. Nuk e kuptonim, por u rrethuam në atë ambient mjegull e shihnim kush na tradhtoi. Kishim frikën kush do dënohet e do e marrë më rëndë. Sherifi e mori më rëndë. Kur Sherifi ishte atje ku ishte, prisja të më merrte dhe mua, sepse kisha fol shumë me sherifin. Unë i shkoja mbrapa në korridor e i thosha kam mësuar një këngë të bukur.

E të gjitha këto pastaj rënduan shumë te mua, kur ai ishte brenda sepse thoja që të paktën unë të mos i thoja asnjë fjalë për këtë brengë nëse pyet për mua atje. Por ai nuk tradhtoi kurrë. Unë kam qëndruar 1 vite e gjysmë në shtëpi me më prit e më arrestuar, derisa Sherifi mori dënimin. Unë isha bllokuar në shtëpi. Shpirti është i rëndë me qenë i burgosur jashtë. Më thanë që do të ikja në Dukagjin, do t’i mësoja muzikë atyre. Isha shumë e re për të shkuar atje, ishte e frikshme. Por Shkodra bëri të vetën. Më kthyen mbrapsht më pas në familje.

Qëndrova në Shkodër 4 vite, e më pas u martova në Tiranë, e erdha prapë. Për 18 vite nuk dola në televizor, në festivale. E dija si ishte situata, atë e akuzuan për propagandë. Fakti është që ishte festival. Jam takuar me Sherifin kur doli nga burgu, por në kohën e tranzicionit ika me të gjithë familjen, ndërkohë Sherifi shkoi diplomat në Romë, e prapë u ndamë. Ne do të donim të rikthehej festivali i 11, por kishte marrë përmasa të tjera, për mua ishte etalon, është historia”, tregoi Aliaj.

Artitja nënvizoi se në ato vite, edhe në rrethin e artistëve kishte persona që i kritikonin e i shihnin me një sy ndryshe:

“Kishte persona nga ne që na kritikonin për atë që ndodhi në festival. Ne ishim mësuar me atë baltosje, periudha jonë ishte e jona, e paprekshme, e vuajtëm ne, shpirti jonë e di. Duke qenë e tillë për mua është e mbyllur, e kushdo që hyn ë këtë copëz jete janë falso. E di sa e rëndë është të jesh partizan pas lufte? Duhet ta përballosh mbi kurriz e më pas të flasësh”.

Në përfundim, ajo u ndal te beteja e ashpër që kaloi me COVID-19. Këngëtarja tregoi se në atë periudhë nuk komunikoi me Sherif Merdanin, pasi ajo nuk ishte në gjendje. Ndërsa pas shërimit, Sherifi u sëmur dhe komunikimi i tyre nuk u arrit. Ajo gjithashtu, tha se me ikjen nga kjo jetë të Sherif Merdanit, arti shqiptar humbi personifikimin e lirisë.

“Ne nuk kishim më kontakte. Ishte vetëm një dashamirësi e të gjithëve, unë nuk e përdorja telefonin kur isha me COVID. Më pas ka zënë shtratin Sherifi dhe nuk mundëm më. Ai ka qenë shumë i heshtur. Arti shqiptar me Sherifin humb personifikimin e lirisë, e të bukurës, e guximit, e talentit, e muzikës”, tha Aliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb