NGA BESNIK MUSTAFAJ*
Sokol Olldashi nuk është një hero. Saktësisht një vit më parë ai u nda prej nesh në një aksident tragjik, duke ngjallur një trishtim dhe keqardhje të gjerë popullore si rrallë në ndonjë rast tjetër të paktën gjatë çerekshekullit të fundit. Miqtë e tij, kryesisht ata politikë, do të mblidhen sot për ta kujtuar.

Çfarë kishte bërë Sokol Olldashi për ta merituar një trishtim dhe një keqardhje të tillë popullore?

Ai u nda nga kjo jetë shumë i ri për një burrë. Kishte bërë pak rrugë prej gazetari, ku nuk kishte shkëlqyer. Politikën aktive e filloi pa i mbushur të tridhjetë vjetët, kur u përfshi në stafin tim të ngushtë elektoral gjatë fushatës sime për kryetar bashkie i Tiranës. Dua të them se qysh në fillim të jetës së tij politike, Olldashi u bë pjesëtar i një humbjeje. Një vit më pas ai do të hynte në Parlament. Në vazhdim, ngjitja e tij politike do të ishte vërtet e përshpejtuar. Ai do të drejtonte Forumin Rinor të Partisë Demokratike, do të njihte brenda një dekade opozitën parlamentare dhe pushtetin, duke mbajtur njëri pas tjetrit dy portofola ministrorë të rëndësisë së veçantë për jetën e vendit, atë të ministrit të Brendshëm dhe atë të ministrit të Transporteve. Dhe do të kthehej përsëri në opozitë, por kësaj here jo për shumë kohë, fatkeqësisht për atë vetë dhe familjen e tij, për Partinë Demokratike dhe, do të thosha, fatkeqësisht edhe për vendin. Por jeta ka befasitë e veta të hidhura.

Karriera politike e Sokol Olldashit nuk është e zakonshme. Por në historinë postdiktatoriale të Shqipërisë, kjo karrierë nuk është një përjashtim, nuk është pra unike. Ka disa shembuj të tjerë politikanësh, të cilët madje edhe më të rinj se Sokoli, janë bërë deri edhe kryeministra. Sokol Olldashi ka bërë, megjithatë, diçka ende të papërsëritur në jetën politike shqiptare dhe që i jep kontributit të tij politik një shkëlqim të veçantë. Pas humbjes së palavdishme në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit (2013), Sali Berisha, me hir a me pahir, dha formalisht dorëheqjen nga kreu i Partisë Demokratike. Si përkujdesje të fundit për trashëgiminë e vet politike, Berisha caktoi pasardhësin, siç dihet, dhe ky do të ishte Lulzim Basha, për të cilin do të kishte gjithsesi një legjitimim përmes një votimi të anëtarësisë demokrate. Duke përfituar nga kjo klauzolë demokratike – votimi -, menduar fillimisht nga Berisha “sa për të larë gojën”, Sokol Olldashi hyri në garë.

Haptazi dukej se do të ishte një garë krejt e pabarabartë në kuptimin më të gjerë të fjalës, një garë me fitues të paracaktuar. Shkurt fjala, ajo që do të zhvillohej, nuk do të ishte garë. Sokol Olldashi nuk kishte me vete asnjë rrethanë organizative, për t’i dhënë atij ndonjë xixëllimë shprese për fitore. Ma merr mendja se përvoja që ai kishte tashmë në politikë, dhe po aq njohja e thellë që kishte për funksionimin e Partisë Demokratike, ishin krejt të mjaftueshme për ta kuptuar se po hynte në një betejë teorikisht të humbur. Por ai e hodhi hapin. Kam qenë i bindur atëherë dhe vazhdoj të jem i bindur se Sokol Olldashi hodhi në atë rast hapin e duhur dhe më të rëndësishmin që kishte hedhur gjatë gjithë jetës së tij politike, një hap që dëshmonte se ai ishte pjekur si politikan dhe kishte brenda vetes tharmet e nevojshme që e bëjnë politikanin udhëheqës. Ai hyri kështu në shtegun e ngushtë e të përpjetë për t’u bërë lider. Pikërisht sepse vendimin për t’i dalë përballë kandidatit zyrtar të kryetarit historik e mori tërësisht me vullnetin e tij, duke e zënë madje në befasi Berishën, dhe po ashtu i shkoi fushatës deri në fund me një vullnet të hekurt, përkundër të gjitha stërkëmbëshave të llojllojshme që iu vunë, ai tregoi se e kishte tashmë brumin aq të rrallë për t’u bërë një ditë lider.
Ashtu siç i takonte një lideri të së ardhmes, Sokol Olldashi i bëri me këtë rast Partisë Demokratike në radhë të parë një shërbim shumë të çmuar. Ndoshta një shërbim historik. Po kaq i çmuar duhet të mbetet ky shërbim edhe në vlerësimin personal të Lulzim Bashës, i cili, në përfundim të asaj fushate, do të ulej në karrigen e kryetarit të Partisë Demokratike. Ky është gjykimi im thellësisht i sinqertë.

Dhe po e shpjegoj pse. Gjatë verës së vjetshme Partia Demokratike u përfshi, qysh nga zgjedhjet e para të lira ku kishte marrë pjesë, në një traumë shumë të rëndë në vetëdijen e saj politike. Pa hyrë në një analizë, do thënë vetëm se Sokol Olldashi, me përfshirjen e tij “jozyrtare” në garë, i dha mundësinë e vetme Partisë Demokratike të fillonte të mblidhte veten për t’u shkëputur nga e kaluara e vet, duke u reformuar përmes zgjimit të demokracisë së brendshme, kthjelltësimit të ndërgjegjes kriticiste, afishimit të vlerave të veta moderne përmes debatit parimor dhe alternativave. Partia Demokratike, e atrofizuar siç ishte, nuk u tregua në gjendje të përfitonte nga kjo mundësi që i dha Sokol Olldashi me nismën e tij. Por fara e mirë u mboll gjithsesi. Të paktën unë, veteran i kësaj partie, kështu dua të besoj. Ndërsa mirënjohja personale e Lulzim Bashës ndaj Sokol Olldashit lidhet me legjitimitetin e domosdoshëm që mori mandati i tij vetëm në sajë të fushatës që bëri Sokol Olldashi si rival i ndershëm. Pavarësisht votave që do të kishte në kuti, pa këtë legjitimitet që e jep vetëm gara, mandati i Lulzim Bashës do e kishte gjithmonë pak erë të keqe, që ndihet posaçërisht në mjedisin politik me ajër lirie.

Për t’iu kthyer në mënyrë të përmbledhur pyetjes që shtrova në krye të këtij homazhi, do të thosha me bindje se trishtimi dhe keqardhja e gjerë popullore që shoqëroi ndarjen përfundimtare me Sokol Olldashin një vit më parë, nuk lidhet aq me moshën e tij të re, as me kontributin ekzistues tashmë që ai kishte në politikën shqiptare, por me ndërprerjen brutale të asaj që ky burrë i ri sapo kishte nisur të bënte. Në ndërgjegjen e vet shoqëria shqiptare e ndjeu se humbi një vlerë të çmuar për të ardhmen e vet si shoqëri me aspirata për demokracinë. Si i tillë, ky përjetim është sa njerëzor aq edhe politik, dhe i bën nder të madh shoqërisë shqiptare.

Sot miqtë e Sokol Olldashit do të mblidhen për ta kujtuar. Për shkak të angazhimeve të mia, unë duhet të jem diku tjetër, jashtë Shqipërisë. Dhe më vjen keq për këtë koincidencë. Do të kisha dashur të isha aty. Nuk e di ç’do të bëjnë miqtë e Sokol Olldashit me këtë rast. Në ftesën që mora nga grupi organizator, nuk ishte paralajmëruar ndonjë rend dite. Por besoj se ata nuk do të mblidhen thjesht për të ngushëlluar njëri-tjetrin dhe për të ofsharë para karriges bosh të Sokol Olldashit. Kujtimi i Sokol Olldashit nuk ka nevojë për këtë lloj ceremonie postmortum. Kujtimi i Sokol Olldashit merr kuptim vetëm duke u vendosur në kontekstin vital të ëndrrës së tij për ta ringritur frymën e Partisë Demokratike dhe të opozitës në përgjithësi sipas një modeli europian, që do të thotë një organizëm i shëndetshëm politik, i cili ushqehet me kulturën demokratike europiane dhe qëndron përballë pushtetit brenda institucioneve të shtetit, me të drejtën dhe detyrimin që i ka dhënë vota e popullit për të ndërtuar një vizion më të mirë për të ardhmen e Shqipërisë. Vetëm kështu rritet fara e mirë që mbolli Sokol Olldashi në Partinë Demokratike gjatë muajve të fundit të jetës së tij intensive.

(Botuar sot ne Panorama)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: