*Berisha: Imzot Rrok Mirdita rindërtoi kishën, protagonsit i ngjarjeve historike
TIRANE- Krerët e Shtetit, politikanë, ambasadorë, diplomatë të huaj dhe personalitete të shumta kanë zhvilluar sot homazhe në nderim të Imzot Rrok Mirditës, i cili u nda nga jeta më 7 dhjetor. Trupi i pajetë i Arqipeshkvit të Tiranës dhe Durrësit është vendosur në Katedralen “Shën Pali”, ku përgjatë këtyre ditëve qytetarë të shumtë i kanë dhënë lamtumirën e fundit.

Sot në homazhe ka marrë pjesë dhe kryeministri Edi Rama, i cili më pas në shenjë respekti dhe mirënjohje ka lënë një mesazh kujtimi në nder të Imzot Rrok Mirditës. Fill pas tij, në homazhe mori pjese dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Kreu i Shtetit, Bujar Nishani bashkë me bashkëshorten Odeta Nishani i janë drejtuar rreth orës 11:45 katedrales së “Shën Palit” në kryeqytet ku kanë kryer homazhe pranë arkivolit me trupin e pajetë të Imzot Rrok Mirditës. Për Presidentin Nishani, Imzot Rrok Mirdita nuk i ka shërbyer vetëm katolicizmit por edhe Shqipërisë me një nga parimet e mëdha, të respektit dhe harmonisë midis besimeve të ndryshme por edhe mes qytetarëve.

“Ndajmë dhimbjen e thellë por edhe respektin e madh dhe përuljen ndaj këtij prelati të lartë, i cili me përkushtimin e mahnitshëm në shërbimin e jashtëzakonshëm që i bëri vlerave të krishterimit në radhë të parë, por edhe me shembullin e jashtëzakonshëm që ofroi në udhëheqjen e bashkësisë së krishterë gjatë gjithë kohës. Me shpirtin e madh, nuk i shërbeu vetëm vlerave të katolicizmit por edhe një prej parimeve të mëdha atij të respektit, të harmonisë midis besimeve të ndryshme por edhe mes qytetarëve dhe duke përuruar vlerat e mirëkuptimit e vëllazërisë. Sot të gjithë lutemi, Imzot Rrok Mirditës, dritë i pastë shpirti në paqe dhe në parajsë!”, deklaroi Nishani.

Gjithashtu katedrales “Shën Pali” i është drejtuar edhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, e cila ka kryer homazhe në nderim të Imzot Rrok Mirditës duke u shprehur ngushëllimet përfaqësuesve të tjerë të Kishës Katolike.

Edhe ish-kryeministri Sali Berisha ka nderuar klerikun katolik dhe bashkë me bashkëshorten e tij, Liri Berisha kanë kryer homazhe në Katedralen “Shën Pali”.

Gjithashtu Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Brucaj bashkë me përfaqësues të tjerë të komunitetit mysliman kanë zhvilluar homazhe dhe kanë ngushëlluar komunitetin katolik për humbjen e madhe.

MYSLIMANET TE HOMAZHET E RROK MIRDITES

Imzot Rrok Mirdita u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare më 7 dhjetor. Imzot Rrok Mirdita iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi pësoi një hemorragjie cerebrale. Ai u shugurua meshtar më 4 korrik 1965. Ndërsa në vitin 1985 u caktua administrator i “Zonjës së Këshillit të Mirë”, dhe në 28 shtator 1989 u zgjodh Arqipeshkev i “Zojës së Shkodrës”.

BERISHA: IMZOT RROK MIRDITA RINDËRTOI KISHËN, PROTAGONSIT I NGJARJEVE HISTORIKE
Ish-kryeministri Sali Berisha fill pas homazheve të mbajtura në nder të Imzot Rrok Mirditës deklaroi se ai i kthehu vlerën kishës. Në një deklaratë drejtuar mediave, Berisha pohoi se Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit u bë protagonist i dy ngjarjeve të mëdha, madje dhe i dy vizitave të mëdha, vizita e Papa Gjon Palit II dhe Papa Francesku.

“Në një përkushtim njerëzor dhe hyjnor Imzot Rrok Mirëdita ja dali së bashku me bashkëpunëtorët e tij të rindërtojë vlerë pas vlerë e gur pas guri infrastrukturën morale dhe materiale të Kishës Katolike. U bë protagonist i madh i dy ngjarjeve të mëdha historike të kombit tonë, dy vizitave historike papale, përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të madh me arenën arkitektnorë. E bëri Tiranën epiqendrën e zhvillimeve. Frytet e punës së tij të pavdekshme. Edhe njëherë lutem sot së bashku me besimtaret shqiptarë që shpirti i tij të gjej paqe.”, tha Berisha.

KUSH ISHTE IMZOT RROK MIRDITA?
Mons. Rrok Mirdita ka lindur në Këllezen të Ulqinit (Mal i Zi), më 28 shtator 1939. Shkollën fillore dhe të mesme e ka ndjekur në vendlindje. Ka kryer Liceun Klasik dhe studimet filozofike dhe teologjike në Zagreb, me rezultate të shkëlqyera. U shugurua meshtar më 4 korrik 1965 nga Arqipeshkvi i Tivarit, Aleksander Tokic. Deri në 1973 ka zhvilluar veprimtarinë e vet baritore ndër famullitë shqiptare të dioqezës së Tivarit (Mal i Zi). Në këtë vit dërgohet nga Arqipeshkvi i Tij në New York për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve shqiptarë në nevojat baritore pranë qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Bronks (Bronx).

Në përkim me Arqipeshkvin e Tivarit Eminenca e Tij Card. Terence Cook, Arqieshkvi i New York-ut, me një dekret të 19 qershorit 1981 e inkardinon në dioqezën e tij duke e ngarkuar me veprimtarinë baritore pranë qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë”. Në 1985 Eminenca e Tij Kardinal O’Connor Arqipeshkëv i New York-ut e emëron administrator të qendrave Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe “Shën Pali”.

Në 28 shtator 1989, ai emërohet nga i njëjti arqipeshkëv, famullitar i famullisë së re “Zoja e Shkodrës”, e themeluar nga vetë Mons. Rrok Mirdita. Gjatë viteve në New York do të merret me përkushtim të veçantë me çështjen e të larguarve nga Shqipëria, me të cilët bashkëndan dramën e dhimbjes e fatkeqësinë e të afërmve të mbetur në atdhe, të cilët i trajtojnë si tradhtare. Në 1991 viziton Shqipërinë, që e kishte njohur përmes emigrantëve shqiptarë të ShBA-së dhe solidarizohet me plagët e këtij vendi të martirizuar. Në 1992 Papa Gjon Pali i II e emëron Arqipeshkëv i Durrës – Tiranë. Pas këtij emërimi largohet për tu vendosur në Shqipëri duke u përkushtuar për ngritjen shpirtërore dhe promovimin njerëzor të popullit besuar kujdesit të tij baritor.

Më 24 prill 1993 shugurohet Ipeshkëv nga Papa Gjon Pali i II, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Shqipëri , në Katedralen e Shkodrës, së bashku me tre klerikë të tjerë të mbijetuar nga regjimi komunist. Të njëjtën ditë bën hyrjen zyrtare në dioqezë së bashku me Atin e Shenjtë. Në vitet 1994-2000 është president i Caritasit Shqiptar dhe angazhohet fuqishëm në lehtësimin e vuajtjeve të shkaktuara nga lufta e Kosovës. Më 29 mars 1999 i bën thirrje institucioneve të ndryshme Katolike të Evropës për t’iu ardhur në ndihmë popullsisë në nevojë të skajshme, thirrje së cilës i përgjigjen me efektshmëri shumë prej tyre.

Në vitin 1996 zgjidhet Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe kryetar i parë i Shoqërisë Biblike Ndërkonfensionale në Shqipëri, shoqëri e sapo themeluar. Në vitin 2000 Sovrani i Maltës i jep titullin Kapelan i Kryqit të Lartë ad honorem duke e vënë në kategorinë e mësuesit të madh.

Në vitin 2002 përfundon ndërtimin e Kishës Katedrale të Shën Palit Në Tiranë, duke i dhuruar bashkësisë katolike një pikë referimi për rritjen shpirtërore, gjë që do të lejë shenjë në zhvillimin shoqëror e shpirtëror të vendit. Në janar të vitit 2005 Papa Gjon Pali i II e lartëson në rangun e Arqipeshkvit Metropolit dhe më 29 qershor të të njëjtit vit merr nga Papa Benedikti i XVI në Bazilikatën e Shën Pjetrit Platinium e Metropolit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës i jep titullin Qytetar Ndrei, duke vlerësuar ndihmesën e jashtëzakonshme të Arqipeshkvit për zhvillimin e harmonisë fetare, rilindjen e besimit në të gjithë vendin dhe maturinë me të cilën ka ndihmuar në kapërcimin e vështirësive politike. Po të njëjtin titull i jep edhe Kryetari i Bashkisë Rrëshen për ndihmesën e shkëlqyer në ndërtimin e strukturave kishtare. Për më se 13 vite Arqipeshkvi është angazhuar që Kisha Katolike më Shqipëri në këtë dioqezë të rëndësishme, t’i vijë në ndihmë të gjithë kategorive të popullsisë.

Për këtë arsye i ka nxitur misionarët që të angazhohen në fushën e arsimit, atë shëndetësore, në mbrojtjen e fëmijëve, në mbështetjen e familjeve në vështirësi dhe në strehimin e të braktisurve përmes hapjes së shkollave fillore ( fillore, e të mesme), azileve, qendrave sociale, shkollave profesionale, qendrave shëndetësore, dhe atyre për fëmijët e braktisur, si dhe një qendër për rikuperimin e të rinjve të prekur nga droga, dhe e gjithë kjo pa bërë diskriminime fetare e shoqërore.

Në vitin 2006 Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Alfred Moisiu i ka akorduar “Urdhrin Nënë Tereza” me motivacionin: “për kontributin e dhënë në ndërtimin e institucioneve të Kishës Katolike në Shqipëri; për vëmendjen e veçantë të dialogut ndërfetar; për angazhimin në themelimin e institucioneve të ndihmës sociale dhe ndihmesës së njerëzve në kushte të pafavorshme”. Në maj 2006 asambleja e zakonshme e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë e zgjedh rishtas Kryetar të saj. Në vitin 2010 presidenti i Republikes Z. Bamir Topi i akordon urdherin Gjergj Kastrioti Skenderbeu, me 13 maj 2013 Akademia Ndekombetare Bonifaci 8 i akordon titullin Akademik Nderi.

(ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb