Është drejt përfundimit ceremonia e homazheve në nder të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, që u nda nga jeta dy ditë më parë.
Fjalën në ceremoni e ka mbajtur kryeministri Edi Rama, i cili zbuloi se një detyrë e tillë iu kërkua nga bashkëshortja e gjeniut, Helena Kadare.
Ai ka zbuluar edhe skenën me shenjtoren Nënë Tereza në sallë, ku tha se ishte një rastësi, pasi po montohej për një shfaqje.
Kreu i qeverisë tha se e di që Kadare do do të ndjehej i marrë nën mbrojtje nën hijen e shenjtores së tij të dashur.
Trupi i Kadaresë do të përcillet pas pak në banesën e fundit.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Këtë hije të Nënës Terezë mbi trupin e Ismailit nuk e solli kush e përgatiti këtë ceremoni shtetërore.
Ishte këtu.
Kishte ardhur më parë.
Njoftimi që salla ishte e zënë dhe Nënë Tereza nuk lëvizej dot prej aty, më erdhi bashkë me foton e kësaj skene, e cila po montohej për një shfaqje sonte në darkë.
Lëreni aty u thashë, nuk ka më mirë.
Askujt nuk do t’i shkonte mendja çka rastësia e solli këtu, enkas për Ismailin dhe më mirë se sa nën hijen e saj, shqiptares që i takon botës, assesi tjetër nuk mund të bëhej ceremonia e përcjelljes nga jeta të shqiptarit që i takon botës.
Dhe duke e pasë njohur, e dita në çast që nën hijen e shenjtores së tij të dashur, Ismaili symbyllur do të ndjehej i marrë nën mbrojtje nga të tërë ata shumë që s’e donin, po edhe nga ata jo pak që e donin po s’do t’i donte assesi rrotull, përgjatë kalimit të tij nga kjo botë në tjetrën.
Ndërkohë, qyshse lajmi i vdekjes së Ismail Kadaresë mori dhenë, në kutinë e mesazheve të shpeshta të ditëve të mia të zakonshme, më vinin hera-herës opinione të ngutura nga një ankth i çuditshëm për vendvarrimin e tij.
I lexoja dhe më kujtohej Ismaili.
Përpiqesha të merrja me mend se si do t’i merrte ai, ato propozime të pakërkuara për ta varrosur tek Vëllezërit Frashëri, tek parku përballë Rognerit, tek fusha e gjelbërt mbrapa Kryeministrisë, tek Varrezat e Dëshmorëve të Luftës Nacional – Çlirimtare, e deri tek Varrezat e Dëshmorëve në Kosovë.
Nuk e di dot çfarë do të thoshte.
Po e di njësoj si ai arkmort ku është shtrirë trupi i tij, se po t’ia kisha treguar dot vigjiljen time të këtij ceremoniali dje në darkë, atje në Durrës tek shtëpia buzë detit, ku u mbyll për të ndjekur perëndimin e diellit të vet si një spektator i zbritur nga jeta e gjatë në zenith, do të argëtohej shumë – e siç thoshte Gabriel Garcia Markezi, do t’i vinte plasja që nuk do të merrte dot pjesë në funeralin e vet.
Kur edhe Helena më çoi fjalë se donte veç fjalën time në këtë funeral, duke i qëndruar besnike si në të gjitha herët Isit të saj, i cili kishte një alergji të rëndë nga tubimet, nderimet, e sidomos fjalimet, zgjodhi besoj të keqen më të vogël.
Një fjalim të pashmangshëm të rastit, po të paktën nga dikush që nuk flet thjesht se ia kërkon detyra, por edhe si dikush me të cilin Ismailin e lidhte kënaqësia e bisedave jo të shpeshta.
Kështu ky nder kaq i posaçëm, përveçse një barrë e rëndë përgjegjësie, mu pranë arkmortit të njeriut që e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj, ndërsa letërsinë shqipe në panteonin e mbarë botës së letrave, m’u bë edhe një siklet i ububushëm, po aq i rrallë sa dalja në një provim përpara fytyrës tallëse të Ismailit me tubimet, nderimet dhe fjalimet.
Në fakt, sa e mora vesh që vdiq dhe mendova pashmangshmërinë e përgatitjes së ceremonialit, bashkë me pamundësinë për ta shmangur unë vetë përfshirjen në tubim, nderim e fjalim, m’u bë si pullë poste që s´më ndahet nga sytë pamja e tij e sekëlldisur gjatë ceremonisë së gradimit me shkallën më të lartë të Urdhërit të Legjionit të Nderit, nga vetë Presidenti i Francës, në Pallatin e Brigadave.
E qyshse filluan të merrnin jetë, komisioni i posaçëm shtetëror i ceremonialit funebër dhe paralelisht përplasjet e opinioneve në skenë e në prapaskenë për të dhe vendvarrimin e tij, u ndjeva personazh i kurthit të fundit letrar të Ismail Kadaresë, një vorbull e hatashme ëndrrash në zhgjëndërr, me mua vetë si nëpunësin e pallatit të zhgjëndërrt të atyre ëndrrave.
Kërkohej një varr. Kush mundej thoshte të vetën, si në një garë të vetëshpallur ethesh letrare, ku ai apo ajo që do të gjente vendin ideal për gropën e trupit pajetë të autorit të “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur” dhe “Komisionit të Festës”, do të siguronte edhe vendin më pranë tij në botën tjetër.
Bashkë me fytyrën e sekëlldisur në sy të Ismailit, më rri në vesh vargu i tij paralajmërues për vdekjen, “Do bëj një shenjë dhe do ik”, e më ngjan se e gjitha kjo novelë e pashkruar në kërkimin e vendvarrimit, ku nuk ka sesi mungon edhe si vëllai i tij i madh Naimi, të cilit ia ndërruan varrin plot pesë herë, e në këto orë të ethshme mes realitetit, historisë dhe letërsisë, donin t’ia ndanin më dysh për t’i futur pranë Ismailin, si dikur ata të dalët nga burgu që i futën në shtëpitë e të vdekurve për së gjalli të regjimit të vjetër, po as mund të mungojnë në këtë novelë edhe plot të tjerë të varrosur, zhvarrosur e rivarrosur në këtë vend.
(BalkanWeb)