Kortezhi me familjarë, miq e kolegë të komisarit Artan Cuku ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku kanë nisur homazhet në nderim të tij. Në homazhe merr pjesë Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Po kështu në Drejtorinë e Policisë së Tiranës kanë shkuar për t’i dhënë lamtumirën e fundit, ish-zyrtarit të policisë edhe kreu i PD-së Lulzim Basha me deputetët Flamur Noka e Astrit Patozi si dhe kreun e departamentit të sigurisë në PD Enkelejd Alibeaj.

Homazhe Cuku, Basha (10)

homazhe 2

Ish-zyrtari i lartë i policisë, u ekzekutua dje në pritë pranë banesës së tij në Tiranë, te “Rruga e Kosovarëve”.

“Në kuadër të realizimit të ceremonisë së lamtumirës të ish-punonjësit të Policisë së Shtetit, Z. Artan Cuku, ish-drejtues i lartë i strukturave policore në nivel vendor, i cili u nda nga jeta më datë 08.04.2017, nga Drejtoria e Policisë së Shtetit, do të organizohen homazhet ditën e sotme 09.04.2017, nga ora 12:00-13:30, tek Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë”, njoftoi Policia.

artan-cuku

Ai la pas bashkëshorten dhe dy fëmijë me të cilët qëndroi deri pak minuta para vrasjes që tronditi dje Tiranën. Cuku u vra dje rreth orës 20:00 nga persona ende të paidentifikuar në hyrjen e pallatit ku jetonte. Ai ka përcjellë familjen e tij, gruan dhe dy fëmijët për në banesë, ndërkohë që vetë ka qëndruar për disa minuta në një supermarket për të blerë diçka.

Njëri nga autorët ka qenë i fshehur te holli i pallatit, ndërsa personi tjetër e ka pritur te hyrja Cukun duke ndjekur të gjitha lëvizjet. Teksa ka dalë nga supermarketi, Cuku është përballur me dy autorët. Ai u qëllua me 5 plumba, njëri në kokë dhe 4 të tjerë në gjoks. Autorët e kanë qëlluar 5 herë duke u siguruar se e kanë lënë të vdekur. E gjithë ngjarja ka ndodhur në më pak se një minuta, rreth 40 sekonda, ndërsa më pas dy autorët janë larguar me shpejtësi duke përfituar nga nata.

Policia ka nisur kontrollet në zonë për armët e krimit, pasi dyshohet se është hedhur nga autorët, ndërsa janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë së bizneseve për të çuar në identifikimin e autorëve.

Grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe dëshmitarët për të krijuar një identitik të dy autorëve të atentatit. Krimi dyshohet se mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës së tij si polic ose hakmarrje pasi ka dyshime të forta se ekzekutimi i ish-drejtuesit të Lartë të Policisë, lidhur me një ngjarje të vitit 2005, kur në zyrën e tij është vetëvrarë 25-vjeçari Agim Daka.

Artan Cuku ka mbajtur poste të larta në Policinë e Shtetit, si zv/drejtor i Policisë së Tiranës, zv/drejtor i Fierit, si edhe drejtor i Vlorës në periudhën 2012-2013.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb