Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçak ka mbajtur një fjalë lamtumire për nëntetaren Zarife Hasanaj në ceremoninë e përcjelljes së dëshmores për në banesën e fundit.

Ministjra Xhaçka u shpreh se askush nuk e kishte menduar një çast të rëndë si ky për tu mbledhur, Ajo shtoi se bashkë me trishtimin, ndjente edhe krenari e respekt për ata shqiptarë që sakrifikuan gjithçka në shërbim të atdheut.

“Zarifja ju bashkohet sot atyre dhjetëra mijëra djemve e vajzave, që dhanë jetën për atdheun. Ata që shërbejnë në FA, njerëz të thjeshtë, por që i bën të jashtëzakonshëm përkushtimi ndaj uniformës. Humbëm një nga më të mirat që kishim dhe që do ta kemi shumë të vështirë ta zëvendësojmë”,- tha ajo.

FJALA E PLOTE

Të dashur familjarë miq dhe kolegë të nentetare Zarife Hasanaj,

nuk është e lehtë të zgjedhësh sot fjalët e lamtumirës për vajzën dhe motrën tuaj, për kolegen dhe miken tonë të dashur, sepse asnjeri prej nesh, nuk e kishte menduar kurrë një çast si ky, apo një arsye të rëndë si kjo, për t’u mbledhur këtu, në këtë ditë zie kombëtare, sepse asnjeri prej nesh as e kishte çuar ndërmend që, Zarife Hasanaj, me gjallërinë dhe vitalitetin që kishte, me dëshirën dhe dashurinë për jetën që e karakterizonte, do të nisej kaq papritur për t’u ndarë nga gjithë njerëzit, që e donin siç i deshte, që e respektonin siç edhe ajo i respektonte, që u besonte siç edhe ata e besuan në gjirin e familjes së Forcave të Armatosura dhe në një nga detyrat më të vështira dhe sfiduese.

Prandaj sot, fjalët tona për ty e dashur Zarife, nuk do të arrijnë kurrë të plotësojnë atë boshllëk të madh njerëzor, që na le të gjithëve dhe të na çlirojë nga dhimbja e rëndë që ndjen sot babai yt i mirë, Muharremi, nëna jote e dhimbsur Rivja, vëllai Adriatik, motrat Valbona dhe Eduarta, por edhe miqtë e kolegët e tu, gjithsecili prej nesh që të njohëm.

Vetëm pak ditë më parë, kur përkujtuam Ditën e Dëshmorëve vizitova varrezat dhe eca mes varreve të të rënëve.
Çdo herë që e vizitoj atë vend e kam të pamundur të mos ndjej trishtim të thellë, kur shoh aq e aq jetë të prera në mes: djem e vajza, burra e gra, ëndrrat, planet, dëshirat e të cilëve u lanë në mes. E kam të pamundur të mos mendoj për familjet, që lanë pas me një barrë dhimbje, që askush, veç tyre, nuk mund ta kuptojë kurrë plotësisht. Por bashkë me trishtimin, ndjej edhe krenari, admirim, dhe respekt, për ata shqiptarë të thjeshtë, që ishin të gatshëm të rrezikonin shumëçka e të sakrifikonin gjithçka në shërbim të atdheut të tyre.
Zarifja u bashkohet sot atyre dhjetëra-mijëra djemve e vajzave, burrave e grave, që kanë dhënë jetën për atdheun. Dhe besoj se nuk ka mënyrë më të mirë për ta nderuar vajzën tonë, sesa duke kujtuar një të vërtetë të madhe për të gjithë ato djem e vajza, që si Zarifja zgjedhin të shërbejnë në Forcat e Armatosura. Ka një fjalë që thotë se: ata që shërbejnë në FA janë njerëz të thjeshtë, por që i bën të jashtëzakonshëm përkushtimi i tyre ndaj uniformës dhe gatishmëria për të sakrifikuar. Sepse në kohë lufte e në kohë paqeje, të shërbesh do të thotë të pranosh rrezikun dhe sakrificën personale, edhe sakrificën supreme, për të mirën e përgjithshme: që të jetojmë në paqe, që të jetojmë të sigurt, që të meritojmë vendin tonë si aleat në aleancën më të madhe ushtarake të të gjithë kohëve.
Për të shërbyer në FA, sidomos në një kompani si EOD, ku shërbente nëntetarja Hasanaj, ku praktikisht të duhet të përballesh çdo ditë me rrezikun, nevojiten djem e vajza të një prerje të veçantë, speciale. Më të mirët! Djem e vajza që nga momenti që veshin uniformën e dinë, që një ditë mund t’u duhet të rrezikojnë jetën e tyre për atdheun.
Prandaj unë dua t’i bëj sot, homazhet e mia kësaj vajze, vërtet të mrekullueshme, që kam pasur rastin ta takoj disa herë. Nëntetarja Hasanaj nuk ishte thjesht një efektive e talentuar, që e mbante uniformën me krenari dhe që i bënte nder uniformës së FA me punën dhe shërbimin e saj. Ajo ishte edhe një shembull për shumë vajza që duan t’i bashkohen FA. Ajo ishte një nga më të mirat. Një nga ushtaraket më të afta dhe që unë besoj që kishte përpara një karrierë të shkëlqyer. Dhe kjo e bën gjithçka akoma më të dhimbshme. Humbëm një nga më të mirat që kishim dhe, që do ta kemi shumë të vështirë ta zëvendësojmë.
Ky është një moment shumë i dhimbshëm për të gjithë ne. Por në këto momente dhimbja jonë, mendimet tona, solidariteti ynë shkon së pari për familjen e Zarifes.

E di që ky është një nga ato raste për të cilat nuk gjen dot kurrë fjalët e duhura. Asnjë fjalë, asnjë veprim nga ana jonë nuk mund t’ju rikthejë ju vajzën që humbët. Por edhe ne dhimbjet më të thella ka gjithmonë një ngushëllim dhe force për t’u ringritur. Unë, qe e njoh dhe e vlerësoj qëndrimin e familjes së Zarifes, forcën me të cilën po përballin këtë dhimbje të jashtëzakonshme, jam e bindur, se ata do ta mbajnë gjithnjë të hapur derën e madhe të familjes Hasanaj. Ata do ta mbajnë të hapur atë derë për shokët, miqtë e kolegët, të cilët bashkë me ta, do ta ruajnë gjithmonë në kujtesë Dëshmoren me të Re të kombit shqiptar, ashtu siç ajo ishte deri në ditën e fundit të jetës së saj, e qeshur, miqësore dhe e përkushtuar.

U prehsh në paqe motër e dashur!

U prehsh ne paqe heroina jonë, u prehsh në paqe në Altarin e Dëshmorëve të Atdheut, nga ku frymëzohemi të mbajmë të shenjtë amanetin e të rënëve, Shqipërinë e lirë, shtëpinë tonë të përbashkët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb