Autoritetet e Hong Kongut mbyllën të hënën një pjesë të një kopshti zoologjik për publikun pasi tetë majmunë u gjetën të ngordhur brenda një dite të vetme.
Tetë majmunët u gjetën të ngordhur në Kopshtin Zoologjik dhe Botanik të Hong Kongut të dielën.
Seksioni i gjitarëve të kopshtit zoologjik u mbyll për dezinfektim dhe pastrim, tha Departamenti i Shërbimeve të Kohës së Lirë dhe Kulturës. Departamenti urdhëroi nekropsi dhe teste laboratorike për të përcaktuar shkakun e vdekjeve të papritura.
Objektet e tjera brenda kopshtit zoologjik si kopshti botanik mbetën të hapura për publikun. “Ne gjithashtu do të monitorojmë nga afër kushtet shëndetësore të kafshëve të tjera,” tha departamenti.
Seksioni i gjitarëve u rrethua dhe u vendosën njoftime që informonin vizitorët për mbylljen e përkohshme deri më 20 tetor.
Stafi i kopshtit zoologjik u pa duke ushqyer majmunët të veshur me veshje të plota mbrojtëse ndërsa rojet e sigurisë të vendosura pranë seksionit të gjitarëve mbanin maska për fytyrën.
Mbyllja la disa turistë të zhgënjyer.
“Sapo kaluam pranë dhe ishim të lumtur që gjetëm një kopsht botanik dhe kopsht zoologjik të hapur për publikun falas. Dhe këtu është e pastër. Sigurisht që ka një zhgënjim të vogël. Por është ende një vend i mirë për t’u vizituar, “tha një vizitor.
Një turist nga Amerika, tha për The Star se ai erdhi në zonën e gjitarëve “sepse e dija se kishte majmunë”, por duhej të largohej pa arritur të shihte asnjë.
Kopshti Zoologjik dhe Botanik është parku më i vjetër në Hong Kong. Krijuar që në 1860, ai strehon 158 lloje zogjsh, 93 gjitarë dhe 21 zvarranikë në rreth 40 rrethime.
(A.A/BalkanWeb)