Është 69 vjeçe dhe nënë e dy fëmijëve, ajo rrëfen se jeta e saj ka qenë plot tragjedi dhe drama. U martua në një moshë shumë të vogël dhe u bë nënë shumë e re.

Pas ardhjes në jetë të femijës së parë, bashkëshorti i ndërroi jetë tragjikisht. Në këtë vorbull të ngjarjeve, ajo ishte shtatzënë dhe me një fëmijë 3 vjeç. Pas kësaj ngjarjeje jetoi dhe rriti të dy femijët nga martesa e parë, por për shkak të kushteve të vështira ekonomike, u detyrua të martohej në një moshë të re me një burrë të moshës së madhe.

Por kjo nuk do të mjaftonte, pasi edhe bashkëshorti i dytë ndërroi jetë. Mbeti sërish e vetme me 3 fëmijë tashmë jetim. Peripecitë nuk kishin fund, fëmijët u rritën dhe ajo vazhdon të jetojë mes skamjes dhe pa nje çati shtëpie mbi kokë.

Dëgjoni rrëfimin e të moshuarës në emisionin Me zemër të hapur të moderatores Evis Ahmeti në News 24.

E moshuara: Unë jetoj sot për ata jetimë. Unë jam martuar 17 vjeçe, sepse e tillë kohë ishte, më martuan, nuk e mbaj mend isha e mitur, nuk e dija se çfarë ishte burri, e mendoja si lodër, nuk isha e pjekur. Prindërit më gjetën burrin, jo se nuk më pyetën, por dhe unë thashë dakord, por sesi ishte burri nuk e mendoja. Isha e papjekur. Ne kemi qenë 8 fëmijë, 2 kanë vdekur dhe jemi 6 tani. Unë punoja në Fier-Shegan, punoja shumë. Unë isha e edukuar në vetvete, kisha sjellje shembullore. Burri që më ka vdekur edhe më dhunonte, e mendoja se hë se kjo është jeta. Prsh nuk kishim për të ngrënë, se varfëri ishte. Gjeta jetimin 3 vjeç, sepse atij i kishte vdekur gruaja e parë. Atë fëmijë e rrita, e doja shumë dhe më dukesh sikur e kisha një vëlla ose diçka, e doja atë fëmijë. Mua më pëlqente rritja e fëmijëve, sepse kështu isha gatuar, më pëlqente roli i nënës. 3-vjeçari nuk e mbante mend mamanë që i kishte vdekur, ai më thërriste gjithmonë teta. Ky djalë edhe sot gëzon shumë respekt për mua. Kur burri më vdiq, ia lashë djalit pasurinë. Nuk tregoja për dhunën sepse isha tip i mbyllur.

Më pas u bëra nënë dhe linda djalë. E kuptoja çfarë ishte të jesh nënë, sepse rrita jetimin. Vdiq burri nuk rroi shumë, sepse kishte sëmundje të keqe në stomak. Unë ika, pasi ai kishte vdekur. U martova me një burrë të moshuar. Vjehrra mbajti jetimin, ajo nuk mendonte se do ikja. Ikja dhe u martova në Plug të Lushnjës, ma sugjeruan. E falënderoj se më mbështeti, sepse kisha nevojë për mbështetje. Ky e kishte pasur ish-burrin tim ushtar. Ky kishte pasur një vajzë dhe vajzën e kishte marrë ish-bashkëshortja. Ai rriti fëmijët e mi. Unë sot jam një nënë, që gjithë rininë time e kam kaluar në trishtim. I moshuari ishte shumë i varfër, kishte një krevat, që kur hipja lart për të fjetur, më binin tullat. Unë me një ligj fitova shumë pasuri, toka. Shita tokën dhe bëra shtëpinë.

Më morën shtëpinë me një firmë false, më ra çatia dhe ka 4 vite që jetoj në qiell të hapur. Djalin e kam në Itali, bënë jetë të vështirë, vetë punon me turne, gruan e ka pa punë, djalin e ka të vogël dhe nuk i del ekonomia që të më ndihmojë. Burri më ka ndërruar jetë tani. Tani e ndjej vetminë. Edhe nipi nuk më flet. Mua m’u thye këmba, isha e vetmuar, nuk kishte kush të më jepte ujë. Vajza është e sëmurë dhe jeton në Bolonja. Jam vetëm e vetmuar. Jetoj në një pellg me ujë, me gjarpërinj e breshka. Ju betohem që ishte gjarpri tepër i madh dhe preva barin përpara shtëpisë, që mos më hynte gjarpëri në shtëpi, se dhe shtëpia është e dëmtuar. Unë marr 92 mijë lekë pension të plakut, 45 mijë lekë marr ilaçe dhe 47 mijë lekë më ngelën për drita, ujë dhe për vete. Këto janë kushtet ku jeton një nënë e mjeruar.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb