Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Hotel Tirana, i shpallur monument kulture i kategorisë së dytë, në vitin 2000 (si pjesë e qendrës historike), ka dalë nga lista e objekteve nën mbrojtje me një vendim të datës 3 korrik 2015. Vendimi është marrë nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit pranë Ministrisë së Kulturës. Në relacionin që shoqëron vendimin, sqarohet se monumenti nxirret nga lista dhe si rrjedhojë nuk është më monument dhe as nuk gëzon mbrojtjen e shtetit, për arsye se nuk ka as vlera historike dhe as arkitektonike.
“Fasada e objektit është një fasadë e thjeshtë, me një trajtim linear e horizontal. Elementet dhe detajet arkitektonike, janë tepër modeste dhe i përkasin periudhës mbas viteve 2000 kur edhe është bërë ndërhyrja e fundit. Ato nuk e bëjnë atë të veçantë dhe specifik si objekt i cili mund të evidentohet nga pikëpamja kulturore dhe arkitektonike në qendrën e qytetit”,- thuhet në këtë relacion.
Në të njëjtin dokument, sqarohet se objekti i përmbahet frymës së arkitekturës bashkëkohore dhe nuk ka elementë apo vlera historike dhe arkitektonike për të pasur statusin e një objekti monument kulture, por është absorbuar dhe qëndron mirë si pjesë integrale e qendrës historike.
“Duke u nisur nga këto argumente, si edhe nga propozimet e sugjerimet e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Restaurimit, propozojmë heqjen e statusit Monumente Kulture i kategorisë së dytë të këtij objekti”,- argumenton KKR, pranë Ministrisë së Kulturës.
Historiku
Ndërtesa Hotel Tirana lnternacional (Pronë private), ndodhet në territorin e Qendrës Historike të Tiranës, shpallur me Vendim Nr. 180, datë 13. 04. 2000 “Për shpalljen ansambël monument-kulture të aksit kryesor dhe Qendrës Historike të qytetit të Tiranës”, si dhe kishte statusin monument kulture i kategorisë së dytë, shpallur me urdhër nr.122, datë 0503.2007, për shpallje monument kulture të kategorisë së dytë të ndërtesave në aksin kryesor të Qendrës Historike të Tiranës nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në të njëjtin dokument, jepet edhe një lloj historiku i godinës që qe ndërtuar në truallin e një kishe. “Objekti ka filluar ndërtimin në vitin 1979, dhe ka përfunduar në vitin 1989. Hotel Tirana Internacional është konsideruar si simbol i kryeqytetit i ndërtuar gjatë viteve të socializmit në Shqipërisë, me një arkitekturë imponuese të stilit socialist, ishte ndërtesa më e lartë e vendit deri para disa vitesh. Në vitin 2001 ky hotel ju nënshtrua një rikonstruksioni si dhe rimodelimi të plotë”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)




Etiketa: