Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha është takuar me David McAllister, i cili është kryesues i Komisionit për punë të jashtme, siguri, mbrojtje dhe të drejta të njeriut në Parlamentin Evropian, me të cilin ka biseduar për procesin e liberalizimit të vizave.

Gjatë këtij takimi në Strasburg, Hoxha ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi për liberalizim dhe ka kërkuar nga McAllister përkrahje në këtë proces.

“Është radha e BE-së të kryejë pjesën e vet pasi që ne kemi plotësuar kriteret”, ka thënë ministrja Hoxha, duke kërkuar që ky proces të procedohet sipas afateve në mënyrë që lëvizja e lirë të mos bëhet pengesë e zhvillimit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Pas rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian dhe votimit në favor të liberalizimit nga Parlamenti Evropian, sfida kryesore në këtë proces për Kosovën mbetet në Këshillin e Ministrave, ku ministrat e brendshëm të vendeve anëtare të BE-së i japin vlerësimet e tyre, shkruan rel.

Kosova është vendi i vetëm në rajon, qytetarët e së cilës i nënshtrohet regjimit të vizave në zonën Shengen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb