KOSOVE-Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për Gazetën “Zëri”, ka folur në lidhje me transformimin e FSK-së në ushtri.

Sipas tij ligjet për ushtrinë duhet të miratohen, por se këto ligje vetëm e hapin një kaptinë të re për ndërtimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

 Para pak ditësh në Kuvend u miratua në parim Pakoja e projektligjeve për transformimin e FSK-së në ushtri. Sa ka gjasa që ushtria të përmbyllet brenda këtij viti?

Hoxhaj: Unë mendoj që ligjet mund të kryhen sivjet dhe duhet të kryhen sivjet. Por ato tri ligjet që miratohen në Kuvendin e Kosovës vetëm e hapin një kaptinë të re se si realisht fillon ndërtimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe ndërtimi i Forcave të Armatosura të Kosovës do të jetë një proces, i cili do të marrë vite.

Ne kemi bërë në vitin 2012, 2013, 2014 rishikimin e sektorit të sigurisë dhe sipas planit parashihet që brenda 10 vjetësh ne mund ta kemi një ushtri të mirëfilltë, meqë duhet të rriten kapacitetet njerëzore, kapacitetet e tjera ushtarake, armatimi dhe gjëra të tjera, meqë duhet të ketë një doktrinë të mbrojtjes së Kosovës, një ministri të mbrojtjes, një komision parlamentar të mbrojtjes dhe shumë gjëra të tjera. Do të thotë, ne jemi duke folur për fillimin e procesit.

Por meqë ne jetojmë në një botë të pasigurt, meqë Ballkani asnjëherë nuk ka qenë më i pasigurt sesa këto 3-4 vjetët e fundit dhe meqë merr kohë derisa të përmbyllet procesi i krijimit të një ushtrie të mirëfilltë, profesionale, është shumë mirë që Kuvendi i Kosovës e ka nisur këtë proces dhe unë mendoj që partnerët tanë ndërkombëtarë nuk kanë qenë shumë të drejtë me Kosovën që e kanë shtyrë në pafundësi, meqë pritja e tyre që serbët e Kosovës do të votonin pro ndryshimeve kushtetuese nuk ka qenë pritje e duhur. Kështu që vendimi në Kuvend ka qenë një vendim historik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: