Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar sot se nuk ka shkëmbim territoresh për njohje nga Serbia.


Në një intervistë për Telegrafin Hoxhaj ka folur për 10-vjetorin e shtetësisë së Kosovës si dhe dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.


Hoxhaj ka thënë se gjatë këtyre 10 vjetëve, Kosova ka shënuar suksese. “Janë dy suksese të mëdha që i ka pas Kosova, ka konsoliduar shtetësinë e saj brenda territorit, në planin e jashtëm si dhe ka vendosur Kosovën në hartë, ka shënuar raport kontraktual me BE me nënshkrimin e marrëveshjes së MSA-së, ka arritur të ketë 116 njohje, anëtarësimi në 7 organizata ndërkombëtare”, ka thënë Hoxhaj.


Ai u shpreh më tej se gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe ngecje, rënie dhe dështime të caktuara, duke përmendur tri sfidat kryesore për këtë periudhë.

“Sfida e parë ishte kur ne në Vjenë negociuam pakon e Ahtisarit, ishin dhe Kina dhe Rusia, e cila vazhdon edhe sot të jetë kundërshtare strategjike e Kosovës bllokoi miratimin e planit të Ahtisarit dhe ia pamundësoi anëtarësimin Kosovës në OKB. Sfida e dytë ka qenë situata në veri të vendit ku kemi bërë përpjekje ta normalizojmë situatën në këtë pjesë, dhe sfida e tretë ka qenë ndarjet që i kemi pasur këto vitet e fundit për temat e mëdha nacionale”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka shtuar se “Kosova është shtet më shumë se 70% e shteteve që janë anëtare të OKB-së”.
Duke folur rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, zëvendëskryeministri Hoxhaj ka theksuar se Kosova është për afatizim të dialogut, por që dialogu duhet të ketë qëllim të matshëm.

“Qëllim i matshëm është njohja e ndërsjelltë, anëtarësimi në OKB dhe nënshkrimi i marrëdhënieve diplomatike, janë tri qëllimet tona sa i përket dialogut Kosovë-Serbi”, ka thënë Hoxhaj.

Duke komentuar deklaratat e zyrtarëve serbë Ivica Daçiç dhe Aleksandër Vulin, të cilët kanë thënë se njohja e Kosovës nga Serbia mund të bëhet me shkëmbim territoresh, Hoxhaj ka thënë se çështja e shkëmbimit të territorit nuk është biseduar asnjëherë.

“Shkëmbimi i territorit nuk është në tavolinë, edhe nuk ka qenë asnjëherë në tavolinë”, tha Hoxhaj. Ai shtoi se kundërshtojnë një gjë të tillë, dhe se po të ndodhte diçka e tillë do ta hapte një “Kuti të re të Pandorës” në Ballkan.

“Kosova e kundërshton fuqishëm edhe partnerët tanë ndërkombëtarë e kundërshtojnë dhe çfarë thotë Vulini dhe Daçiç nuk ka rëndësi, ata janë vetëm papagaj të Rusisë në Ballkan”, u shpreh Hoxhaj.
Ai ritheksoi se nuk ka marrëveshje bilaterale Kosovë-Serbi pa njohje, pa anëtarësim në OKB dhe pa marrëdhënie diplomatike.

(m.k/BalkanWeb)