Lufta e Tretë Botërore, doni ta besoni apo jo, ka nisur tashmë. Ajo po përshpejtohet dhe Europa është teatri i saj. Kontinenti i Vjetër, siç na quajnë, është bërë edhe një herë vendi më i rrezikshëm në Perëndim. Duhet të jemi gati për çdo gjë. Mes tmerrit, gjakut, ankthit që ka mbërthyer tashmë Parisin, një vendim të lëndon shpirtin, si një rrëfim i brishtë, patetik, emocional i pafuqisë: kufijtë e Francës janë mbyllur. Një gjest i vogël policor që pezullon shekuj të tërë pushtimesh nga liria më e madhe e lëvizjes në kohët moderne, e shpërndarë nëpër botë nga vetë Franca, nga Franca e të drejtave të individit: e drejta për të lëvizur lirisht nëpër botë. Një gjest i vogël policor, të ngjashmit e të cilit janë zbatuar në Europë vetëm gjatë luftërave botërore.

I reduktuar në thelbin e tij, përtej dhunës dhe frikës, akti më i fundit i terrorizmit që ka goditur Parisin, mund të rrëfehet, në esencë, përmes këtij gjesti të vogël. Ne të gjithë mund të mbyllim dyert, të fshihemi në shtëpitë tona, mund të bëjmë më të mirën për të kontrolluar territorin tonë, me qëllim që të identifikojmë dhe godasim ata që na sulmojnë; por ata që na sulmojnë janë tashmë këtu.

Ata janë burra dhe gra me pasaporta të ligjshme në vendin tonë, burra dhe gra që janë rritur këtu, apo që kanë hyrë duke u futur mes mijëra viktimave, imigrantë që largohen prej dhunës që ka mbështjellë vendlindjet e tyre. Këta burra dhe gra dinë gjithçka për Shengenin, për Europën, për zakonet tona, vendet që na pëlqen të shkojmë për pushime, baret, restorantet dhe kinematë, apo diskot ku kalojmë mbrëmjet dhe fundjavat. Dhe ata duken tamam si ne: vishen dhe veprojnë si ne. Në këtë mënyrë, atyre as nuk u duhet të mbajnë maska. As nuk kanë nevojë të organizojnë sipërmarrje të mëdha, si sulmet kundër Kullave Binjake. Gjithë sa u nevojitet, është që t’u jepet apo të blejnë një automatik, më pas të dalin në rrugë dhe t’i marrin jetën dikujt që po pi kafe. Gjithë sa u nevojitet është një mik në aeroport. Apo pak eksploziv, për t’u hedhur në erë, në vendin me më shumë njerëz që mund të gjejnë.

Kjo është marka më e fundit e terrorizmit, ku ka evoluar ISIS. Këta nuk janë më ujq të vetmuar, por nuk janë as organizata të mëdha. Janë grupe të vegjël, me organizime të vegjël e të thjeshtë, të vendosur për të vrarë sa më shumë njerëz që të munden dhe të vdesin duke bërë këtë – thjeshtë duke u shfaqur, kudo ku mund të gjejnë numrin më të lartë të viktimave. Lloji i operacionit që pamë në Paris është i njëjti që kemi parë prej muajsh. E kemi parë në mënyrë të përsëritur, të njëjtin kombinim.

Të rinj me automatikë, me fytyrat të pambuluara, që dalin dhe vrasin këdo që u del përpara në trotuarët e Parisit, janë të njëjtët që pamë në plazhin e Egjiptit, që qëllonin kundër turistëve me rroba banje, apo kundër turistëve në Muzeun Kombëtar Bardo në Tunizi. Eksplozivë të thjeshtë, të vendosur nga duar të panjohura në një avion rus që shpërtheu mbi Sinai, janë të njëjtët eksplozivë që kamikazët kishin në trupin e tyre, teksa i afroheshin stadiumit të Parisit. Grupe të vegjël, hapa të shpejtë, të vdekur që përpara se të fillojnë të qëllojnë, pikërisht si ata që sulmuan Charlie Hebdo. Eshtë një evoluim i jashtëzakonshëm i terrorizmit, krahasuar me operacionet masivë që ëndërronte Osama bin Ladeni.

Evolucione tejet të rrezikshëm, sepse në fund të ditës, Osama mendonte dhe planifikonte si një takticien ushtarak, e si pasojë ishte i identifikueshëm dhe i luftueshëm. Ky lloj i ri terrorizmi është thjeshtë një rrjedhë masive pa një definicion fizik, një lumë nëntokësor që shfaqet dhe zhduket sepse është tashmë brenda shoqërisë sonë, ashtu si edhe jashtë saj, pa kufi, pa strukturë, pa edhe dëshirën më themelore për të jetuar dhe riprodhuar.

Eshtë forma më e rrezikshme e organizimit që kemi ndeshur deri sot. Dhe është një fenomen pothuajse i gjithi europian: sepse rrënjët e tij janë këtu; ka studiuar këtu, në shkolla europiane; dhe sepse në fund, pikërisht këtu, terrorizmi do e shkarkojë urrejtjen e tij. Lufta e Tretë Botërore, doni ta besoni apo jo, ka nisur tashmë. Ajo po përshpejtohet dhe Europa është teatri i saj. Kontinenti i Vjetër, siç na quajnë, është bërë edhe një herë vendi më i rrezikshëm në Perëndim. Duhet të jemi gati për çdo gjë. (Bota.al)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: