Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, tha të hënën se Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol thelbësor në nxitjen e autoriteteve serbe për të trajtuar shqetësimet serioze dhe të vazhdueshme për të drejtat e njeriut. Kërkesa drejtuar nënpresidentit amerikan Joe Biden, u bë në prag të vizitës në Washington të kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që fillon të martën.

Në një letër të nënshkruar nga Hugh Williamson, drejtor i kësaj organizate për Evropën dhe Azinë, tërhiqet vëmendja në mosndëshkimin e krimeve të luftës, ndjekja e të cilave në Serbi është penguar nga mungesa e vullnetit politik, mekanizmave të dobët për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe në atë që duket të jetë mbrojtje e zyrtarëve të lartë të përfshirë në krime të rënda.

Që nga viti 2003, kur është ngritur dhoma e posaçme për krime lufte në Gjykatën e lartë të Serbisë dhe zyra e prokurorit për krime lufte, vetëm 68 persona janë dënuar për krime në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë, pothuajse të gjithë zyrtarë të rangut të ulët.

Gjykata për krime lufte në ish Jugosllavi, ka gjykuar dhe dënuar zyrtarë të lartë serbë, ndërsa gjykata serbe përveç tri rasteve të zyrtarëve të mesëm, nuk ka akuzuar asnjë zyrtarë të lartë ushtarak apo policor dhe asnjë zyrtar qeveritar, me gjithë dyshimet e besueshme ndaj disa individëve, raporton VOA.

Organizata thekson se ndër rastet më të rënda është dërgimi i mbi 900 trupave të shqiptarëve nga Kosova në Serbi dhe rivarrimi i tyre në varreza masive, përfshirë edhe qendrat e stërvitjes së policisë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: