Nga: AHMED KALAJA* /ELVIS NAÇI*

Ka gjëra të cilat në jetë marrin rëndësi të jashtëzakonshme. Ka momente në të cilat duhet të jesh trim për të vendosur, të marrësh pjesë në betejë, të thuash të vërtetën, apo të qëndrosh edhe kur të tjerët ia kanë mbathur e nuk janë më aty. Ka gjëra të tjera të cilat janë të domosdoshme që t’i mendojmë për familjet tona, për veten tonë, për të afërmit. Mënyra se si krijojmë marrëdhënie me punën, me kohën që u kushtojmë miqve, janë shumë të rëndësishme për jetën tonë shoqërore.
Për të gjitha këto, duhet gjithnjë të studiosh kohën e çmueshme që duhet t’u kushtosh familjes, fëmijëve, prindërve, punës, miqve, si dhe angazhimit në jetën sociale të shoqërisë, sidomos angazhimin ndaj atyre që kemi detyrime të rëndësishme në jetën tonë.
Por ka diçka që mundet të jetë “e mirë në të gjitha kohët”. Kjo pa dyshim që është humanizmi, ndihma ndaj tjetrit në nevojë. Ne jemi të këshilluar që t’i qëndrojmë dikujt pranë kur ai është në situatë të vështirë, atëherë kur nuk mundet i vetëm, atëherë kur hapat që ia hedh nuk e nxjerrin dot nga rruga e vështirë që i ka qëlluar. Atëherë ai ka nevojë për një dorë. Ka nevojë më së pari për një buzëqeshje, ka nevojë për një fjalë të mirë, ka nevojë për praninë e, sidomos, ka nevojë që ne të gjithë së bashku ta ndihmojmë për t’i ridhënë edhe një shans që të rikapë rrugën e lënë përgjysmë apo në vetëm pak kohë.
Ne besojmë se nuk ka gjë më kuptimplotë për njeri sesa të bëhet shkak për të shpëtuar jetë. Dhe nuk ka pse një rast i tillë të na prekë personalisht, të jetë afër familjeve tona, për të kuptuar se sa e rëndësishme është që të zgjasësh dorën ndaj dikujt që është në nevojë dhe që pa ndihmë nuk do të mund të rinisë ecjen me të tjerët.
Në këtë mision, brenda mundësisë për të shpëtuar sa më shumë jetë fëmijësh, e pamë edhe iniciativën e dhënë tri javë më parë në “News 24” të drejtuesit të shoqatës “Një botë për një zemër”, Agim Baçi, dhe kardiokirurgëve të QSUT-së, Arben Baboçi e Altin Veshti, të cilët iu drejtuan publikut që të kontribuojë për Kardiokirurgjinë Pediatrike me një set mjetesh që do të mundësojnë sa më shumë operacione dhe do të mund të përmirësojnë cilësinë e tyre.
Ndaj, duke besuar se kështu mund t’u vijmë në ndihmë këtyre mjekëve që të shpëtojnë sa më shumë jetë, që do të gëzonin më së pari qindra familje që kanë këtë sprovë në jetë, ne vendosëm t’i bashkëngjitemi kësaj nisme, duke iu drejtuar bashkëqytetarëve tanë, që të kontribuojnë që të bëhet e mundur blerja e sa më shumë pajisjeve, që do të rrisnin cilësinë e shërbimit ndaj kujtdo.
Ne besojmë se çdo ndihmë e dhënë nga bashkëqytetarët tanë, të cilët iu përgjigjën thirrjes sonë, do të jetë një falënderim për këdo kontribues, sa herë që ato pajisje do të përdoren në shpëtimin e jetëve.
Duke besuar se humanizmi mbetet maja më e lartë e njerëzores dhe zbut zemrat e atyre që kanë fatin të shënojnë emrat e tyre në këtë libër, ne iu bashkëngjitëm thirrjes së ardhur nga “News 24”. Dhe ne sot themi plot krenari se, si pasojë e përgjigjes që i bënë qytetarët, jemi në përmbushje të misionit për t’ua mundësuar blerjen e këtyre pajisjeve. Dhe shpresojmë se ata do t’u përgjigjen gjithnjë këtyre thirrjeve, duke dhuruar nga pasuria e tyre, me shpresën se gjithçka do t’u shkruhet në Librin e Madh të Mirësive.
*Imam i Xhamisë “Dine Hoxha”
*Imam i Xhamisë së Tabakëve

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb