Dëgjon, flet, percepton gjithçka, veç dritës. Erio Mekaj, 38-vjeçari nga fshati Porodinë i Korçës, në nëntor të vitit 2023 filloi të kishte shqetësime, dhimbje të forta koke, aq sa brenda një nate humbi shikimin në masën 100%. Pas një vizite, mjekët zbuluan se 38-vjeçari kishte një masë tumoriale në tru. Çdo gjë po avanconte shumë shpejt, brenda 6 muajve Erioni kreu 4 operacione dhe e gjithë jeta e tij filloi të merrte një tjetër rrjedhë, duke u shndërruar në një kalvar vuajtjesh dhe dhimbjesh për të dhe familjen e tij.

Kurimi i vazhdueshëm i Erionit, trajtimet e veçanta dhe ilaçet e shtrenjta kanë vështirësuar gjendjen ekonomike të familjes Mekaj. Për të ulur sadopak kostot, prindërit e 38-vjeçarit kanë aplikuar për marrjen e KEMP-it pranë sektorit të Ndihmës Ekonomike në Njësinë Administrative Bulgarec, pjesë e Bashkisë Korçë, por pas ndjekjes së procedurave 38-vjeçari nuk u shpall përfitues i KEMP-it.

Lidhur me këtë rast, News24 kontaktoi specialisten e Ndihmës Ekonomike në Njësinë Administrative Bulgarec, Drina Ravolli, e cila me anë të një e-maili sqaron gjithë procedurën e ndjekur për rastin e Erion Mekajt.

Pasi u njoh me vendimin e Komisionit Mjekësor të Përcaktimit të Verbërisë, që e shpalli Erion Mekajn jopërfitues të statusit të të verbrit, babai i 38-vjeçarit, Luan Mekaj plotësoi më 10 tetor formularin e ankimimit të vendimit në Njësinë Bulgarec, nga ku dosja do të ridërgohet sërish në Tiranë, ku pritet vendimi përfundimtar.

(BalkanWeb/News24)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: