Një djalë 7-vjeçar arriti të mbijetonte për pesë ditë në një park kombëtar që përmban dhjetëra luanë, pasi u largua nga shtëpia e tij dhe humbi, ka thënë Autoriteti i Menaxhimit të Parqeve dhe Kafshëve të Egra të Zimbabvesë (ZimParks).

Fëmija u zhduk nga zona e Marindit në veri të vendit të premten e kaluar, tha ZimParks në një deklaratë. Policia, rojet e parkut dhe komuniteti lokal ishin të gjithë të përfshirë në përpjekjet e shpëtimit brenda Parkut Kombëtar Matusadona, shtoi ai.

Kërkimi u pengua nga reshjet e dendura të shiut, të cilat “shkatërruan gjurmët e fëmijës”, tha ZimParks.

Megjithatë, gjurmët e këmbëve u zbuluan të hënën në zonën e Luginës Sakata. Kjo bëri që djali të gjendej herët të nesërmen.

ZimParks tha se ai i mbijetoi sprovës duke ngrënë fruta të egra dhe duke hapur gropa për ujë përgjatë një bregu të thatë lumi – një teknikë e zakonshme në zonat e prirura nga thatësira.

“Çuditërisht, vlerësohet se ai eci nëpër terrenin e ashpër të Parkut Kombëtar Matusadona të mbushur me luanë për 49 km nga fshati i tij deri në pikën ku u gjet,” tha ZimParks.

Fëmija u dërgua fillimisht në një klinikë mjekësore dhe më pas në spital për ekzaminime mjekësore.

Mutsa Muombedzi, një politikane që përfaqëson Mashonaland West, tha se ishte një “mrekulli e vërtetë” që djali i kishte mbijetuar “egërsisë së pafalshme” të parkut kombëtar.

Në një postim në X, Muombedzi shkroi se 7-vjeçari kishte filluar të “flinte në një pozitë shkëmbore, mes luanëve dhe elefantëve që kalonin”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb