Në Komisariatin e Policisë Rrugore të Tiranë është përuruar sot busti në nderim të Dëshmorit të Atdheut, efektivit Allaman Dervishi.
Efektivi i policisë rrugore Allaman Dervishi humbi jetën në krye të detyrës në 24 maj të viti 2004.
Sot pas 20 vitesh në shenjë nderimi dhe vlerësimi është vendosur busti i Allaman Dervishit në komisariatin e policisë rrugore të Tiranës.
Të pranishëm në ceremoni ishin familjarë të Dëshmorit të Atdheut, drejtues të policisë rrugore dhe efektivë, të cilët përkujtuan dhe vlerësuan figurën e kolegut të tyre.
Allaman Dervishi u lind më 20 shtator 1969, në Kryezi të Pukës. Ai ishte i martuar dhe ka një djalë.
Dervishi ka filluar punë në strukturat e Policisë së Shtetit në vitin 1997, në kohën kur rendi e siguria në Shqipëri ishin të tronditura. Fillimisht në Komisariatin e Policisë Pukë, për të vazhduar më tej në Durrës e Tiranë.
Në shtator të vitit 2003 është emëruar kontrollor linje në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, ku shërbeu deri në ditën e rënies në krye të detyrës. Gjatë gjithë kohës është shquar për devotshmëri, profesionalizëm e korrektësi në përmbushjen e detyrës dhe në marrëdhëniet me kolegët e qytetarët, të cilëve u shërbeu me përkushtim.
Më datë 24 maj 2004, duke qenë në shërbim së bashku me kolegun e tij Resmi Hasanpapaj, në hyrje të qytetit të Tiranës, vritet në krye të detyrës gjatë kohës që po tentonin të ndalonin një mjet të dyshuar, ndërkohë kolegu i tij mbeti I plagosur rëndë.