POLIÇAN

Gazetarja Eneida Petova raporton për “Balkanweb” se disa ditë pasi një punëtor humbi jetën në guroren e Malit të Tomorrit, ka nisur procedimi penal për teknikun e firmës.

Besnik Kanani, 36 vjeç nga fshati Fushë-Peshtan i Poliçanit humbi jetën të dielën në një aksident në punë, në fshatin Dëvri të Tomorrit. Kanani humbi jetën, pas rrëzimit të kamionit të mbingarkuar me gurë gëlqeror, në afërsi të fshatit Dëvri, në malin e Tomorrit.

Babai i 2 fëmijëve punonte në një nga kantierët e nxjerrjes së gurit gëlqeror të mermerizuar (pllakave të mermerit). Sipas policisë së Beratit, ngjarja u klasifikua si aksidentale, ndërkohë që ditën e sotme bëhet e ditur se ka nisur procedimi penal për teknikun e firmës, ku ishte i punësuar 36-vjeçari Besnik Kanani.

Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit bëjnë me dije se ka nisur procedimi penal për Vangjel Demirin,77 vjeç nga Tirana, tekniku i Kantierit të nxjerrjes së Gurit Gëlqeror të Mermerizuar, ku edhe ishte i punësuar Kanani. Tekniku, mësohet se punonte me kohë të pjesshme pranë kësaj firme, ndërkohë që do të procedohet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”.

36-vjeçari,Besnik Kanani banor i fshatit Fushë-Peshtan, punonte prej vitesh si shofer në këtë firmë për transportimin e gurëve, ku humbi edhe jetën. Prej gati një viti aktiviteti i nxjerrjes së gurit dekorativ dhe atij gëlqeror të mermerizuar në malin Tomor, është ndaluar me urdhër të Minisrit të Mjedisit Blendi Klosi, për “krim mjedisor”, por siç duket disa prej firmave kanë fituar çështjet ligjore me Ministrinë në Gjykatë dhe herë pas here vijojnë punën.

Me gjithë kontrollet në mal nga Agjencia Rajonale e Mjedisit dhe policia e Beratit, puna nuk ka munguar asnjëherë në 3 fshatrat: Novaj, Dëvri dhe Nishovë.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb