TIRANË- Këshilltarët demokratë të Bashkisë Fier i kanë propozuar Këshillit Bashkiak dhënien e titullit “Qytetar nderi” për 54-vjeçarin Agur Vrenozi, i cili u vra gjatë përpjekjes për të ndaluar grabitësit në një pikë këmbimi valutor në këtë qytet.


Këtë gjë e ka bërë të ditur Kryetari i PD në Fier, Luan Baçi. Ai humbi jetën duke mbrojtur biznesin e një bashkëqytetari nga grabitja. Agur Vrenozi ishte kryetar seksioni i PD në Fier.


“Qytetarët e Fierit, përcollën me dhimbje dhe plot respekt, për në banesën e fundit, njeriun model të sjelljes qytetare, djalin e dy prindërve shembullor, babain e dy vajzave dhe dy djemve të mrekullishëm, bashkëshort, vëlla dhe mikun e mirë, Agur Vrenozi. Aguri, kreu një akt heroik, nuk ngurroi të ndërhynte duke i ardhur në ndihmë bashkëqytetarit të tij, për të ndaluar grabitjen në mes të ditës, në mes të qytetit duke bërë të mundur kapjen e autorëve të këtij krimi brenda pak minutash. Ishte akti heroik i Agurit, që bëri kapjen nga policia të autorëve, por kjo i kushtoi jetën Agur Vrenozit. Unë personalisht i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij. Aguri ishte një nga drejtuesit më të mire të strukturave të PD Dega Fier, një kryetar seksioni i aftë dhe i përkushtuar dhe një nga miqtë e mi më të mirë. Sot këshilltarët e Partisë Demokratike në Fier i propozojnë Këshillit Bashkiak bërjen; qytetar nderi të bashkisë Dier z. Agur Vrenozi. Nesër në seancë parlamentare do t’i kërkoj Kuvendit të Shqipërisë të mbajmë një minutë heshtje për nderimin e aktit heroik të qytetarit të nderuar dhe mikut tonë AGUR VRENOZI”, shkruan Baçi në “Facebook”.


Paraditen e së enjtes, dy persona të armatosur dhe me maska hynë në një pikë këmbimi valutor përballë gjimnazit “Janaq Kilica” në Fier, duke lënë të plagosur pronarin e pikës Gëzim Hoxha dhe pronarin e ndërtesës Agur Vrenozi, i cili ndërroi jetë më pas në spital. Tre autorët Zini Fyraj, Lulëzim Demiraj, Dashamir Gergali u kapën pas një aksioni të shpejtë të policisë.

(m.k/BalkanWeb)